Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Reklama me protestën studentore; reagojnë aktivistët: “Palaçollëk në favor të kompanive private”

Një kompani private e telekomunikacionit ka shpërndarë një reklamë ku ironizohet protesta e studentëve.  “Çfarë duan studentët?”; “Me kartën e studentit +3GB falas”, shkruhet në posterin e shpërndarë në rrugët e Tiranës.

Një ditë më parë, kryebashkiaku Erion Veliaj shpërndau në porfilin e tij në Facebook spotin, ku imitohet një protestë në një ambient universiteti dhe studentët shfaqen me megafon, duke brohoritur për më shumë gigabyte internet.

Postimi erdhi si vazhdimësi e marrëveshjeve që Bashkia Tiranë po bën me kompanitë private për Kartën e Studentit për ulje, pikë, apo produkte shtesë. “Super lajm” e ka quajtur Veliaj njoftimin se studentët mund të përfitojnë 3 GB dhuratë nëse ata aktivizojnë një nga paketat e ofruara nga një kompani private telekomunikacioni.

“Shikojeni këtë palaçollëk të Erion Veliajt! Rezistencën studentore ka vendosur ta përdorë për të çuar ujë në mullirin e një kompanie private”, thuhet në një reagim të lëvizjes studentore “Për Universitetin”, e cila shton se kërkesat e studentëve lidhen më pasjen e një arsimi dinjitoz i cili i orienton individin kah dijes dhe mendimit kritik.

Reagime të shumta ka pasur nga aktivistë dhe studentë të cilët e konsiderojnë këtë shërbim dytësor përsa i përket nevojave te tyre. Bislim Lakna, student i Filozofisë dhe njëkohësisht aktivist i lëvizjes Për Universitetin ka reaguar lidhur me këtë shërbim të shtuar dhe tregon se nevojat parësore në fakt mbeten ende të paplotësuara.

Tani, pak ditë para protestës, paskan shpërthyer reklama që lajmërojnë ulje në ofertat e internetit nga një kompani celulare. Shumë mirë! Deri sa të vërtetohet një mashtrim brenda kësaj skeme e marrim si të mirëqenë se kjo do jetë kështu. Por, dreqi e mori, cila pjesë e “duam ulje në mensa”, “ulje në transport urbane e ndërurban”, “ulje në librari”, “ulje në supermarket” është e paqartë?!“, tregon ai për Citizens Channel.

Bislim Lakna, student dhe aktivist i lëvizjes Për Universitetin

Lëvizja Për Universitetin (LPU) prej javësh është organizuar në tryeza studentore në shumë nga universitetet publike të Tiranës. Studentët pjesëmarrës kanë pasur mundësinë të diskutojnë problemet ekzistuese të universitetit pas protestës dhe është shqyrtuar Pakti për Universitetin, i krijuar me qëllimin për t’iu përgjigjur tetë kërkesave të studentëve në dhjetor të 2018-tës. LPU ka shpallur rifillimin e protestave në datë 4 dhjetor.  Lakna artikulon se studentët janë hallka e fundit të cilët kanë përfituar nga këto shërbime dhe ndaj bën thirrje që të bashkohen sërish në protestë.

Si përfundim, nga Karta e Studentit, kanë përfituar dreqi dhe i biri, çdo biznes e sipërmarrës i pasur, përveç subjektit kryesor të çështjes: studentit. Prandaj, me datë 4 është e rëndësishme të vërshojmë me mijëra në rrugë, për t’i thënë stop kësaj propagande të pistë, në emër dhe në kurriz të studentëve“, shprehet më tej ai.

Të njëjtin qëndrim ndan edhe Irdi Ismaili, student i Fakultetit të Shkencave Sociale dhe njëkohësisht aktivist i kësaj lëvizjeje. Ai liston nevojat e tij si student të cilat mbeten ende për t’u plotësuar dhe lehtësuar nga  Karta e Studentit.

Kjo është veç një tallje e qeverisë dhe Bashkisë ndaj studentëve sa arrin dhe paralelizon kërkesat e tyre për të drejta dhe arsim falas me kërkesën për GB internet. Unë si student kam nevojë për lehtësira në markete, mensa, transport publik, ulje qirash dhe ulje çmimesh në ofertat e telefonisë celulare“, artikulon për Citizens Channel Irdi Ismaili.

Irdi Ismaili, student dhe aktivist i lëvizjes Për Universitetin

Burimet zyrtare të qeverisë bënë me dije se deri në datën 21 tetor 2019 janë shpërndarë 20,116 Karta Studenti në kryeqytet. Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) ka lidhur kontratë me Postën Shqiptare të cilës i është deleguar prodhimi dhe shpërndarja e kësaj karte edhe për studentët të cilët ndjekin studimet në universitetet e qyteteve të tjera të Shqipërisë.

Referuar raportit të fundit të bërë publik nga Qëndresa Qytetare, Karta e Studentit përmban mbi 40 shërbime, ku studentët u lehtësohet aksesi në muze, teatro apo kinema por nuk i adreson nevojat bazike të tyre, siç janë veshmbathja, ushqimi, kancelaritë, librat, spitalet dhe komunikacioni.

*Citizens Channel/E.N/L.K

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *