Matjanët protestojnë edhe në Angli: ” Ndal shkatërrimit të parkut kombëtar Zall-Gjoçaj”

Grupimi i të rinjve matjanë se bashku me patriotë/e qe ndodhen në Britaninë e Madhe u mblodhën në një protestë paqësore pranë ambasadës shqiptare në Londër për t’u dhënë mbështetje nënave dhe baballarëve qe janë ngujuar ne çadër“. Kështu shprehet një nga qytetarët pjesëmarrës në protestën përballë ambasadës shqiptare në Londër, gjatë një interviste të dhënë për Citizens Channel. Ai tregon  se ky organizim është në fakt një formë solidariteti dhe inkurajimi ndaj protestuesve të zhvendosur në çadër.

“Stop destroying our national Zall-Gjoçaj Park” [Ndal shkatërrimit të parkut tonë kombëtar Zall-Gjoçaj], “The killers of Albanian rivers” [Vrasësit e lumenjve të Shqipërisë] ishin disa nga pankartat e shpalosura ditën e shtunë gjatë protestës para ambasadës shqiptare në Londër.

Paralelisht është krijuar edhe një peticion i cili i drejtohet qeverisë shqiptare. Sipas nismëtarit Ylli Kola, qëllimi i krijimit të këtij peticion i tij është rritja e vëmendjes ndaj kauzës së ngritur prej qytetarëve matjanë.

Screenshot i peticionit

Në rrjedhën e lumit Mat, në një gjatësi prej 115 km, janë parashikuar të ndërtohen tetë hidrocentrale. Sipas vendimit të marrë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave në datë 20 korrik 2016 janë miratuar HEC-et e emërtuara: “Gjoni”, “Blishta”, “Klosi”, “Domi”, “Luci”, “Shoshaj”, “Zenishti” dhe “Burreli”. Edhe më herët banorët i kanë kundërshtuar këto vendime, duke i konsideruar shkatërrimtare për mjedisin.  

Pamje nga protesta në Angli/ Foto: Nostalgji Matjane

Image 1 of 5

Citizens Channel ka raportuar në vazhdimësi rezistencën e banorëve. Në datë 16 nëntor ata protestuan dhe arritën të largojnë makineritë të cilat po punonin në hapjen e tuneleve ku parashikohen të kalojnë lumenjtë. Ndalesa e fundit ishte në fshatin Zall-Gjoçaj, ku banorët kanë ngritur çadrën e rezistencës. Ata tregojnë se marrja e ujit do ua pamundësonte jetesën në ato zona.  

 

“Ne, djemtë matjanë do të vazhdojmë protesta të tjera pranë ambasadës shqiptare në Londër duke mbrojtur vendlindjen tonë“, artikulon më tej protestuesi, i cili dëshiron të mbetet anonbim. Ai bën me dije se do organizohen tubime të vazhdueshme në mbrojtje të lumenjve por kanë nevojë për mbështetje më të madhe qytetare. 

*Citizens Channel/Entenela Ndrevataj