Beqir Duriçi, minatori i Bulqizës dhe njëkohësisht anëtar i këshillit të Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar, është pushuar nga puna. Kompania Albchrome, me anë të një vendimi të datës 2 dhjetor ka shkëputur marrëdhëniet e punës me arsyen e shkeljes së disiplinës. 


Pas njoftimit të publikuar nga sindikata për shkarkimin nga puna të z.Duriçi, Citizens Channel kontaktoi në telefon me të. Ai u shpreh se ky vendim ka lidhje me formimin e sindikatës.

Në letër shkrun shkelje etike. Shkelje etike gjoja që unë nuk kam zbatu 8 orarshin nga prilli e mbrapa. Unë nuk e pranova këtë lloj shkeljeje, se i kam qëndru punës te koka. Këto janë thjesht presione që po më kërkoni ju, u thashë. Unë kam një përgjegjës niveli, kam një brigadier, kam një teknik që në çdo fund muaj duhet të më raportojë nëse kam një mungesë ose një shkelje etike, sic thonë ata. Mirëpo mua nuk ma ka tërheq vëmendjen askush. Kam qenë shumë i rregullt. Ky ishte presion në lidhje me sindikatën e formuar nga ne”,– tregon ai për Citizens.

Vendimi i heqjes nga puna

Minatori Duriçi ka 13 vite që punon për kompaninë Albchrome. Sipas tij, lëvizja e parë ka nisur që në muajin prill, në momentin kur ai bashkë me kolegët e tjerë kanë kërkuar rishikim page, për shkak të rritjes së normës në punë.  

Më 26 prill të 2019, unë me shokët e mi të punës ngritëm një problem, atë të rritjes së normës nga 100% në 200%. Menduam së bashku të kërkojmë një rishikim page për arsye të rritjes së normës. Ramë dakord më gjithë kolektivin, përgatitëm një peticion, mirëpo pa emërtim, si kolektiv. Në momentin që ja dërgova administratorit lokal këtu në Bulqizë, tha : “Mirë qe e keni shkrujt po nuk paska një emërtim ky peticion.” Edhe kërkonte një emër, se tha nuk mund ta quaj të rregullt. Po mirë vendose emrin tim, i thashë”.

Për shkak të peticionit të ngritur ndaj kompanisë, Z.Duriçi mendon se ka ardhur edhe lëvizja e tij nga pozicioni i punës që kishte në një pozicion tjetër më të vështirë.

“Ndërroi pozicionin e punës .Unë isha sinjalist manovrues te kolona, më çuan vagonist në nivelin 17”.

Niveli 17 sipas tij është niveli më i vështirë. Pyetjes për të përshkruar vështirësinë e pozicionit që kishte marrë pas zhvendosjes ai i përgjigjet: “Si të marrësh një arsimtar e t’a çosh të punojë në bujqësi”.

Përpos lëvizjes në një pozicion pune, minatori Duriçi vazhdoi punën duke punuar edhe përtej orarit.

I rrijsha te koka, madje kisha raste që punojsha edhe 9 orë e gjys, mirëpo kompania kur më kërkoi këtë herën e fundit, me datë 25 nëntor, kishte llogarit minutat, për 6 muaj, nga prilli deri në nëntor. Unë kam kërku që të më jepnin shpjegime për këto minutat që i kisha bërë hyrje e dalje gjasme, nja dy minuta isha fut më vonë e nja dy minuta kisha dalë më herët”.

Duriçi është kryefamiljar i 6 anëtarëve të tjerë, prindërve, gruas dhe tre fëmijëve, si personi i vetëm që sjell të ardhura në shtëpi. Nëse ai nuk rikthehet në punë, do të shohë si alternativë emigracionin.

Nuk di çtë them, do iki n’ emigracion, s ‘di hiç’.

Megjithatë bindja e tij për të vazhduar grevën vazhdon të jetë e fortë sa në fillim.

Ky është rasti i dytë i shkarkimit nga puna të një punonjësi të minierës së Bulqizës nga kompania Albchrome, brenda këtij muaji. Pak ditë më parë u shkarkua Elton Debreshi, i cili sapo ishte zgjedhur kryetar i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës.

Lexo më shumë: “Barra e rëndë” e Elton Debreshit, minatori që u shkarkua pasi mori kreun e sindikatës në Bulqizë”

Çfarë ndodhi sot në Bulqizë?

Greva e minatorëve ka hyrë në javën e dytë të saj. Të ngritur për të kërkuar kthimin në punë të kreut të sindikatës së tyre, tashmë minatorët kanë rreshtuar edhe kërkesa të tjera që kanë të bëjnë me rishikimin e normës, rritje page dhe ditët e bojkotit të paguara.


 

Pas heqjes nga puna të Beqir Zuriçit, kthimi i tij në punë është një tjetër pikë e shtuar në kërkesat e tyre. Nga ana tjetër, kompania Albchrome e ka cilësuar grevën e minatorëve, si një përplasje mes sindikatash.

Sot, sipas njoftimit të Sindikatës, policia ka nisur procedim penal për tre minatorët, Beqir Duriçi, Behar Gjimi dhe Neki Lica, duke i akuzuar si organizatorë dhe pjesëmarrës në tubime të paligjshme. Ndërkohë janë shoqëruar dhe po mbahen në komisariatin e Bulqizës kryetari i sindikatës, Elton Debreshi së bashku me aktivistin e Organizatës Politike, Xhuliano Bregasi.


 Shoqërimi në polici i këtyre të fundit, ka ardhur si kërkesë e policisë për të dhënë sqarime për vijimësinë e grevës, ndërkohë që vijojnë të qëndrojnë në ambjentet e komisariatit.

*Citizens Channel/ Erisa Kryeziu 

 

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu