Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Gazetarët protestojnë para Kuvendit: “Ky ligj është i paprecedent në botën demokratike”

Hyrja e Kuvendit të Shqipërisë u rrethua nga gazetarë dhe qytetarë të cilët shfaqën mospajtimin ndaj ligjit të ri i cili pritet të kalojë ditën e sotme në Parlament.

Edhe më herët, organizatat ndërkombëtare dhe kombëtare i kanë kundërshtuar dy projektligjet duke i mëshuar mekanizmave vetë-rregullues si formë funksionimi për mediat online. Ata kanë artikuluar njëzëri se kjo paketë cenon fjalën e lirë dhe i nxit gazetarët drejt vetëcensurës.

Me hashtagun #MOSNaPREKfjalën, protestuesit lidhën në shenjë simbolike gojën me një shall të zi. Prej afro dy orësh protestë të heshtur, ata qëndruan përballë Kuvendit dhe shpalosën kundërshtitë e tyre me anë të posterave që kishin zgjedhur.

Flutura Kusari, pjesë e Qendrës Evropiane për Lirinë e Medias dhe Shtypit (European Center for Press and Media Freedom) artikulon se Shqipëria rezulton të ketë përkeqësime lidhur me lirinë e medias, bazuar në vlerësimin e para disa muajve. Ajo e ka ndjekur me shumë shqetësim propozimin e “Paketës Anti-shpifje” dhe e konsideron tejet problematik rregullimin e medias nga vetë shteti.

Aspekti më problematik i këtij ligji është fakti që mediat online duhet të rregullohen nga shteti dhe nuk do të vetërregullohen, ashtu siç do duhet të ishte. Në shtetet si Kosova, Serbia, Maqedonia, Belgjika, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, të gjitha këto shtete mediat online i lejojnë që të vetërregullohen“, tregon Kusari për Citizens Channel.

Personi më i rëndësishëm në fushën e të drejtës së lirisë së shprehjes dhe në fushën e të drejtave të njeriut është Komisionerja e Këshillit të Evropës, zonja Dunja Mijatoviç. Dje, ajo në mënyrë të qartë e tha që ndryshimet ligjore nuk janë në përputhje më standardet e Këshillit të Evropës dhe me standardet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut“, sqaron Flutura Kusari teksa i mëshon faktit që drafti i ri i përmirësuar nuk përputhet sërish me rekomandimet e ndërkombëtarëve.

Edhe Koloreto Cukalli, drejtues i Këshillit Shqiptar të Medias ka reaguar dhe ka listuar pasojat që mund të sjellë miratimi i kësaj pakete në shprehjen e fjalës së lirë në Shqipëri.

Problemi i madh fare është që i jepen AMA-s kompetencat e gjykatës. Do godasin artikuj të veçantë, se nuk është frika që po mbyllin portalin, do selektojnë, do përzgjedhin një artikull të veçantë e atë do godasin. Nëse ke një informacion i cili mund të krijojë problem për qeverinë, ai informacion do të zhduket brenda 72 orëve“, shprehet për Citizens Channel Koloreto Cukalli, drejtues i Këshilli të Medias

Duke iu kthyer lajmeve të rreme, Cukalli mendon se ndër burimet kryesore të lajmeve të pavërteta është vetë qeveria apo kryetari i Bashkisë.

Që të jem i sinqertë, unë mendoj që burimi më i madh i lajmeve të rreme në Shqipëri është qeveria, Kryeministri dhe Bashkia e Tiranës. Prandaj kur një gjë vjen nga kryeministri, unë jam i prirur ta marr si një lajm jo të vërtetë dhe të pakonfirmuar“, artikulon më tej ai.

Gjergj Erebara, gazetar ivestigues pranë BIRN e shikon këtë paketë si një ligj anti-evropian i cili bie ndesh me parimet themelore demokratike.

“Se Partia Socialiste ka vendosur të bëjë një ligj që është anti-evropian dhe anti-demokratik , që quhet ligji për mediat audiovizive dhe online. Ky ligj është i paprecedent në botën demokratike, nuk ekziston në asnjë vend të BE-së dhe bie ndesh me standardet e Bashkimit Evropian”, vijon më tej Erebara gjatë intervistës së dhënë për Citizens Channel.

Duke iu referuar kundërshtimeve të vazhdueshme nga struktura të shumta, kryeministri ka deklaruar se ligji është rregulluar bazuar në rekomandimet e dhëna, por Erebara shprehet se drafti, edhe pse përfundimtar, është i njëjte me atë të parin.

Në të gjitha rastet qeveria është duke bërë fushatë dezinformimi, gjatë gjithë kohës thotë që po e ndryshoj ligjin, po respektoj standardet, dhe gjatë gjithë kohës kjo, pra draftet e ripunuara, janë prapë e njëjta gjë“.

Flutura Kusari, edhe një herë i referohet këtij ligji si krijesë të qeverisë shqiptare. Ajo i bën thirrje që t’i bashkohen frymës ndërkombëtare në menaxhimin e lajmeve të rreme dhe në momentin që të jetë dakordësuar për një zgjidhje, ta zbatojnë atë në Shqipëri.

Prandaj, qeveria e Shqipërisë duhet t’i bashkëngjitet këtyre diskutimeve, të marrë pjesë në diskutime dhe nëse gjindet një zgjidhje ndërkombëtare, ta zbatojë atë në Shqipëri. E jo të shpikë “formula magjike” e të cilat nuk do të kenë efekt dhe vetëm do ta bëjë punën e gazetarëve të pamundur“, përfundon Kusari.

Elvin Luku, drejtues i qendrës “Media Look”  tregon se përkundrejt presionit që ushtron ky ligj dhe sfidave që do hasen gazetarët në të ardhmen, ata do vazhdojnë të raportojnë dhe ta paraqesin realitetin ashtu siç është.

Megjithatë, unë them që mediat kryesore të cilat kanë zhvilluar deri tani gazetari investiguese, jo vetëm investiguese por gazetari dhe verifikimin, sigurisht që nuk do të stepen përballë këtij ligji por do të vazhdojmë të bëjmë të njëjtën punë sigurisht më riskun që nëse do të cenojmë diku, mund të përballemi edhe me gjoba të caktuara“, artikulon Luku, duke u pajtuar me gazetarët e tjerë të cilët pohojnë se nuk janë marrë në konsideratë rekomandimet e organizatave ndërkombëtare.

*Citizens Channel/Entenela Ndrevataj 

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *