Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Ditari i një qyteti të shkatërruar nga tërmeti, banorët e Durrësit ende në udhëkryq

Autore: Mila Ballhysa | Citizens Channel 

Ora 03.54, e martë, 26 nëntor…

Durrësi përjeton 30 sekondat e tij të tmerrit. Pallate dhe hotele të shembura sikur të ishin kala rëre, njerëz nën rrënoja, qindra të plagosur në spital, mijëra të tjerë të traumatizuar. Familja e policit të paraburgimit të Durrësit, Edmond Hysa po flinte në apartamentin në katin e dytë, në një pallat shumëkatësh në lagjen nr.18, të ndërtuar nga kompania “Kristi Konstruksion”. Për fatin e tij të mirë, një nga djemtë e familjes që po flinte në dhomën e ndenjes i shpëtoi copave të murit dhe suvasë që u shkëputën dhe ranë mbi jastëkun dhe dyshekun ku flinte. Familja me 7 anëtarë, ku më e madhja është nëna 92-vjeçare e kryefamiljarit Hysa dhe më e vogla është vajza e vetme e tij, nxënëse në klasën e 8-të, fatmirësisht shpëtuan të pa lënduar.

Prej vetëm dy vitesh banonin në këtë apartament që e kanë blerë me kredi dhe që pas tërmetit të 26 nëntorit është bërë i pabanueshëm. Në foto duken qartë dëmtimet e shumta në muraturë. I ndodhur në këto kushte, Edmondi e dërgoi familjen e tij në Tiranë, tek e motra.

Ora 12:15, e Premte, 6 Dhjetor…

Edmond Hysën e takojmë ditën e 11-të pas tërmetit, kur ende duket sikur tragjedia sapo kishte ndodhur. Copat e suvasë dhe tullave të shkërmoqura ndodheshin ngado. E vetmja gjë që mungonte në shtëpi ishte televizori, të cilin ia kishin vjedhur gjatë natës.

Edmondi, por edhe banorë të tjerë të pallatit prisnin grupet e ekspertimit. Prisnin prej 11 ditësh, askush nuk kishte shkuar të shihte pallatin e tyre dhe t’u thoshte se çfarë duhet të bënin. Vetëm pasditen e 6 dhjetorit, pas insistimit të Citizen Channel, një grup ekspertësh inspektoi pallatin dhe u komunikoi banorëve se godina shumëkatëshe ishte e pabanueshme, deri në riparimin e dëmeve në muraturë.

“Të paktën tani e di, që është i pabanueshëm, megjithëse unë e shihja dhe vetë me sy të lirë. Që nga dita kur ra tërmeti, vetëm unë jam futur në shtëpi. S’kam lejuar asnjë nga familjarët. Siç e sheh, gjithçka ka mbetur njësoj si ditën e parë. Tani kam hall ku do rri. Këto ditë kemi bërë si kemi bërë tek shtëpia e motrës, por llogarite, 14 veta në shtëpi. Duhet të gjej shtëpi me qira”- tregon polici Hysa.

Çmontimi i apartamenteve

Skenat me të cilat qytetarët durrsakë u përballën në javën e dytë dhe të tretë të tërmetit i kishin parë vetëm në filma. Pas traumës dhe frikës së ditëve të para, njerëzit nisën të rifuteshin në apartamentet e dëmtuara, për të marrë gjithçka mundeshin. Në fillim rrobat e trupit, më pas mobiljet, pikturat, kompletet e pjatave e gotave… Në javën e dytë pas tërmetit, një nga produktet më të shitura ishin thasët e zinj të mbeturinave, që u përdorën për transportin e sendeve. Në një pallat të shpallur të pabanueshëm, në sheshpushimin e shkallës ka mbetur e braktisur një pemë e vitit të ri. Në një kohë tjetër do të ishte e zbukuruar dhe do të gëzonte ndonjë fëmijë, tani qëndron përkrah suvasë së rënë…

Në javën e tretë pas tërmetit nisi çmontimi i plotë i apartamenteve. Pallati që shihni në foto ndodhet në rrugën “Aleksandër Goga”, në lagjen nr.18. Dy rrathë të mëdhenj, me kryq të kuq në mes u tregojnë banorëve që godina 5 katëshe rrezikon shembjen. Kur ngre kokën lart sheh se disa dritare mungojnë. Nuk janë dëmtuar nga tërmeti, por janë çmontuar nga vetë banorët. Në momentin kur ishim aty, një çift të moshuarish kishin zbritur poshtë gjithçka kishte mbetur nga apartamenti i djalit të tyre që jeton në Shtetet e Bashkuara.

“Kjo është hera e tretë që po marrim plaçkat e djalit. Dy herët e tjera na lanë pa problem. Këtë herë, polici që ruan objektin nuk na la. Na tha shkoni merrni leje në bashki. Shkoi plaku dhe e mori. Tani i çmontuam të gjitha, vetëm dyert kemi lënë. Ne kemi shtëpinë tonë private dhe atje do t’i çojmë gjërat e djalit. Nuk dimë fare çfarë do bëhet me pallatin. I kanë vënë kryq të kuq. Ky është ndërtuar para viteve ’90, por dyqanet në kat të parë na e kanë fajin. Kanë qenë apartamente dhe i kthyen në dyqane duke i prishur strukturën. Neve na bënë gjëmën!” – rrëfen e moshuara.

Si për ironi të fatit, njëri nga dyqanet në kat të parë (të gjithë kanë ulur qepenat prej ditësh) ka vendosur një lajmërim se transferohet 50 metra më tutje…

Çfarë do bëhet me pallatet e dëmtuara?

Askush në Durrës nuk di të thotë me siguri të plotë se si do të bëhet riparimi i pallateve të dëmtuara. Ato të para vitit ’93 i ka marrë përsipër shteti. Për këtë arsye, Këshilli Bashkiak i Durrësit miratoi në mbledhjen e datës 10 dhjetor, krijimin e strukturës së përkohshme me 100 punëtorë ndërtimi, me një afat 3 mujor. Bashkia e Durrësit madje njoftoi në një postim në rrjetet sociale se kishte nisur puna për riparimin e tyre. Një ditë më pas, më 12 dhjetor, këto punime u inspektuan nga afër nga ekspertët izraelitë që dhanë rekomandimet e tyre për mënyrën sesi duhet të realizohen ato.


Ndërkohë, askush nuk di të thotë se çfarë do të ndodhë me pallatet e ndërtuara nga kompanitë private, kush do t’i riparojë dëmet dhe kur do të nisin punimet. Duke iu referuar sërish postimit më të fundit të bashkisë së Durrësit, që mban datën 19 dhjetor, grupet në terren janë ende në fazën e akt-konstatimeve vizuale.


“Të dhënat e këtyre akt-konstatimeve hidhen në tablet, në aplikacionin e UNDP-së, që udhëhiqet nga OSHEE. Këto të dhëna krijojnë një data bazë për të ditur me saktësi dëmet e shkaktuara në strukturën apo muraturën e ndërtesave që i nënshtrohen inspektimit” – thotë nënkryetari i bashkisë, Florian Tahiri.

Florian Tahiri, nën kryetar i Bashkisë Durrës

Që në ditët e para pas tërmetit, kryeministri Edi Rama u bëri thirrje ndërtuesve të riparojnë dëmet në pallatet e ndërtuara prej tyre, në të kundërt do të shkojnë në burg. Po në rastet kur ndërtuesi ka ndërruar jetë apo ka ikur jashtë shtetit çfarë do të bëhet me pallatet?

Në pallatin 13 katësh, në lagjen nr.5, të ndërtuar nga kompania “Rekon”, ndërtuesi është ndarë nga jeta disa muaj më parë. Pallatit i është vënë shiriti që pas tërmetit, banorëve u është komunikuar që është i pabanueshëm, por vetëm kaq. Janë interesuar disa herë në bashki, por asnjë zgjidhje konkrete deri më tani për problemin e tyre. Ndërkohë, bankat vazhdojnë u vjelin këstin e radhës së kredisë, megjithëse apartamenti për të cilën u mor kjo kredi nuk dihet çfarë fati do të ketë…

Sa do të zgjasë sistemimi në shtëpi me qira?

Në ditët dhe javët pas tërmetit, si rrallëherë në Durrës lulëzoi tregu i dhënies me qira të apartamenteve, që u shoqërua me rritjen e çmimit. Kjo e detyroi bashkinë e Durrësit që të miratojë vlera më të larta të bonusit të qirasë, krahasuar me Tiranën. Deri më tani Këshilli Bashkiak ka miratuar një listë me 1310 qytetarë, ndërkohë që numri i aplikimeve ka arritur në mbi 3000. Por sipas nënkryetarit Tahiri, jo të gjithë qytetarët që kanë aplikuar do të përfitojnë, sepse nga stafi i bashkisë po bëhen verifikimet përkatëse për secilin emër në listë. Lëvrimi i bonusit pritet të nisë në muajin janar 2020.

Por problemi më i madh i banorëve është gjetja e ambientit me qira.

Ora 19:30, e Premte, 20 dhjetor…

“Vazhdoj të kërkoj shtëpi, por nuk kam gjetur ende. Ne jemi 7 persona dhe s’mund të rri dot në 1+1. Gruaja e shoqëron çdo ditë vajzën me autobus nga Tirana, për ta çuar tek shkolla “Jan Kukuzeli” në Durrës. Nuk po arrij të përballoj më shpenzimet. Banka kërkon këstin, e pagova muajin dhjetor. Drejtori i bankës që i çova të gjitha letrat, më tha të shohim çfarë do bëjmë në janar. Nuk e di si do shkojë puna jonë”- thotë polici i paraburgimit, Edmond Hysa.

Si Edmondi janë shumë qytetarë të tjerë durrsakë, të cilët Viti i Ri i gjen të pastrehë dhe pa asnjë zgjidhje të qartë për problemin e tyre.

*Ky artikull u realizua në vazhdimësi të ciklit të trajnimeve “Mjetet dhe Teknikat e Raportimit Lokal”, të organizuara nga Citizens Channel. 

*Redaktor-Lorin Kadiu/Citizens Channel 

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *