Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Qytetarët protestë para Bashkisë; kërkojnë që të mos vriten kafshët

Aktivistë dhe qytetarë u mblodhën sot para institucioneve për të ngritur zërin kundra qasjes që ato kanë në trajtimin e kafshëve të pastrehuara.  Ata i drejtuan gishtin praktikave institucionale të Bashkisë Tiranë apo Agjencisë së Mbrojtjes të Konsumatorit (AMK) duke i konsideruar tejet të pandjeshme dhe jo etike.

Endri Noti, një ndër organizatorët, tregon se protesta u organizua duke u ndërlidhur me grupimet aktive që  adresojnë problematikat lidhur me kafshët në situatë rruge dhe që mundësojnë strehimin e tyre. Noti shfaq shqetësimin e tij lidhur me vrasjen e kafshëve.

Bashkia, në kundërshtim me ligjin, me aq sa unë e njoh ligjin, unë nuk jam jurist që ta them në formë të prerë, por me konsultat që unë kam marrë, i vret në formë abuzive dhe askush nuk na jep shpjegim pse vriten. E vetmja gjë që thonë është që ishin të sëmura“, shprehet ai për Citizens Channel.

Noti është nismëtar i një peticioni ku kërkohet të ndalet vrasja apo ndryshimi i habitatit të kafshëve nga AMK-ja. Peticioni thekson se edhe pse kjo praktikë është e hapur në të gjitha qytetet e Shqipëri, ajo vihet më së shumti re në Tiranë. Gjithashtu, vullnetarët kërkojnë që të përfshihen në procesin e trajtimit dhe akomodimit të kafshëve të gjetura në rrugë.

Qytetarë të tjerë pjesëmarrës në protestë theksojnë po ashtu problemin e trajtimit të kësaj çështje nga institucionet. Terezina Frroku artikulon se në lagjen e saj kanë mbetur tashme 4 qenushë, nga 15-16 që ishin më përpara.

Kësaj proteste i jam bashkuar sepse kemi katër vjet që na gënjejnë, na mashtrojnë. Është thënë që do merren, do sterilizohen dhe do kthehen në habitat. Në fillim e bënin mirë punën. Filloi projekti mirë, bashkëpunuan disa vullnetarë. Erdhi puna, filluan po na zhdukeshin qentë. I merrnin dhe nuk i kthenin në habitat. Tek lagjja ime kanë qenë mbi 15-16, tani… katër. Një [qen]  e mbaj unë tek dera e shtëpisë. Ia kam vënë emrin Ujk se është i bukur si ujk“, tregon Terezina, tejet e shqetësuar për situatën në të cilën gjenden kafshët.

Ajo rrëfen se është rritur me kafshë shtëpiake dhe se ka në shtëpinë e saj 15 qen dhe mace. Për zonjën Terezina, ata janë e gjithë jeta.

Nga goja po heq se e  kam shtëpinë plot. Kam arrit me 25 kafshë brenda, në dy dhoma e kuzhinë. Çdo gjë me djersën time dhe me të shoqeve. Kam dhënë jetën time, në punë në shtëpi.. eh hamë një çikë pak vetë, atyre [kafshëve] nuk ua kam lënë mangët, i ushqej tre herë në ditë“, shprehet më tej ajo.

[ngg src=”galleries” ids=”19″ display=”basic_imagebrowser”]Duke vijuar më tej, zonja Terezina tregon e përlotur si qeni me emrin Marko ia ka shpëtuar jetën 30 vite më para.

Historinë që unë nuk e harroj… Kam qenë 15 vjeç dhe kur ikja me babin, ngado që iknim na vinte qeni i komshiut mbrapa, Marko. Ishte vapë, u ulëm me babin në një si pemë, si përrua kshu, ishim në një fshat. U ulëm dhe Marko po më rrinte tek këmba, më vjen gjarpri… gjarpri në vend që të hante këmbën time, Marko nxori kokën dhe [gjarpri] e hëngri tek hunda. Pas katër orëve Marko ngordhi. Ai është dashuria ime dhe do mbesë dashuria ime. Që atëherë thashë që njeriu nuk është asnjë gjë para atyre. Ai [qeni] dha jetën për mua. E si mos ta doja?”, kujton e mallëngjyer Terezina Noti.

Trajtimi i kafshëve nga personat përgjegjës në institucione është problematikë e ngritur edhe nga pjesëmarrësit e tjerë në këtë protestë. Elona Ocka bën me dije se bashkë me disa vullnetarë të tjerë kanë formuar grupin “Ndihma e kafshëve në Shqipëri” dhe kanë shfaqur interes të kontribuojnë në trajtimin e rasteve të paraqitura në Bashki por janë hasur me refuzim apo mungesë dëshire për bashkëpunim.

Neve si faqe jemi përpjekur gati një vit më përpara të bëjmë një bisedë me një nga punonjëset e Bashkisë për të dhënë ndihmën tonë plotësisht vullnetare, tek spitali i Bashkisë. Me këtë punonjësen e Bashkisë që u tregua e sjellshme në fakt, biseduam edhe pjesën që ka shumë persona të punësuar në Bashki të cilët nuk janë kafshëdashës dhe që pjesë e procesit të kapjes së qenve e bëjnë totalisht në mënyrë… do thoja “kafshërore” por nuk e them dot. Kjo ka rënë në vesh të shurdhët. U bë ajo pjesa e zyrtarizimit që ‘po po, do t’ju kontaktojmë’ dhe u la me aq“, shpjegon ajo për Citizens Channel.

Duke rrëfyer punën vullnetare të grupit “Ndihma e kafshëve në Shqipëri”, ajo informon se kafshët e zhdukura nga rrugët e kryeqytetit janë zhvendosur në periferi të largëta të Tiranës apo qyteteve të tjera. Gjendja e tyre shëndetësore, pohon ajo, është përkeqësuar dhe qentë janë më të dobët dhe të uritur.

Protestuesit kërkuan nga Bashkia sigurimi i një hapësire ku të mund të zhvendosen kafshët që nuk e kanë një familje përkujdesëse dhe t’u sigurohet akses dhe transparencë vullnetarëve dhe kafshëdashësve.

Absolutisht edhe ne mund të jemi dakord që të ndërtohet një vend, ambient për kafshët. Të kemi mundësi që t’i shikojmë, t’i trajtojmë aty dhe të japim donacionin tone por duke pasur edhe përfaqësi nga vullnetarët, qe ne të kemi garanci dhe besim që aty nuk keqtrajtohen dhe kafshët nuk vriten“, përfundon Endri Noti.

*Citizens Channel/ Entenela Ndrevataj

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *