Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Bulqizë: Inspektorati i Punës liston 18 shkeljet administrative të kompanisë që administron minerat

Në përgjigje ndaj një kërkese për informacion të publikuar në platformën e të dhënave të hapura “PubLeaks”, Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore (ISHPSHSH) ka ndarë raportet e inspektimeve  që ka kryer në minierën e kromit në Bulqizë.

Inspektorati i Punës ka raportuar vetëm rreth kontrollit të bërë tre vitet e fundit ndaj kompanisë AlbChrome dhe bën me dije se përgjatë kësaj periudhe kohe, ka kryer 16 inspektime ku janë konstatuar shkelje nga kjo kompani që lidhen me sigurinë në vendin e punës, higjienën dhe mjetet e punës.

AlbChrome rezulton të jetë gjobitur vetëm një herë nga Inspektorati i Punës. Kjo ka ndodhur në periudhën shkurt-mars 2018 dhe gjoba ka pasur vlerën prej 240.000 lekësh të reja pasi janë shkelur dispozitat ligjore që lidhen me kryejen e vlerësimit të rreziqeve që mund të ndodhin në vendin e punës në mënyrë që të shmanget dhe të mos dëmtojë jetën e punëmarrësve. Gjithashtu, Albchrome rezulton të ketë shkelur pikën 1/c të VKM-së 639, që lidhet me kryerjen e ekzaminimeve periodike mjekësore.

Kundrejt mosrespektimit të legjislacionit gjatë periudhës 2018-2019, ISHPSHSH-ja ka dhënë ndaj kompanisë AlbChrome 10 paralajmërime për shkeljet ligjorë që lidhen me sigurinë në punë, higjienën në mjediset e punës dhe pastrimin e mjeteve të domosdoshme për të zhvilluar procesin e punës. Pesë shkeljet e tjera nga kompania private, pjesë e Balfin Group, janë evidentuar nga Inspektorati i Punës por në raport nuk përmendet asnjë masë administrative e marrë ndaj AlbChrome-it.  

Në këtë raport theksohet se ISHPSHSH-ja nuk është institucioni kompetent për të kryer inspektime në nëntokë dhe se në rastet e aksidenteve në punë, ata bashkëpunojnë me Autoritetin Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera (AKSEM).

Konkretisht, raporti bën me dije se ndër vite kompania ka kryer shkelje administrative që lidhen me respektimin e ligjit që garanton sigurinë dhe shëndetin e minatorëvë ne punë dhe  Kodin e Punës.

Ligji nr. 10.237, datë 18.02.2010,  “Për sigurinë dhe Shëndetin në Punë” nuk është respektuar dhe AlbChrome nuk ka garantuar:

  • Vlerësimin dhe rivlerësimin e rreziqeve, duke përfshirë këtu edhe grupet e punëmarrësve të ekspozuar ndaj rreziqeve të veçanta;
  • Udhëzimin e hollësishëm të punëmarrësve mbi risqet dhe dhe zbatimin e Dokumentit të Vlerësimit të Riskut, si një dokument që përmban masa me karakter teknik, organizativ, higjeno-sanitar, të cilat zbatohen sipas kushteve specifike të vendit të punës;
  • Kryerjen e ekzaminimeve mjekësore periodike për të gjithë punëmarrësit si dhe plotësimin e kartelave mjekësore;
  • Kryerjen e kontrollit paraprak shëndetësor në momentin e punësimit dhe/ose gjatë tremujorit të parë nga mjeku i punës;
  • Funksionimin i Këshillit të Sigurisë Shëndetit në Punë;
  • Vendosjen e tabelave përshkruese në të gjithë kantierin dhe zëvendësimi i atyre tabelave që i ka humbur shikimi;
  • Marrjen e masave për funksionimin e aspiratorit në mjedise të caktuara;
  • Kryerjen e kontrolleve specifike të pajisjeve;
  • Instalimin i paisjeve të punës në dhe përdorimi i tyre në mënyrë korrekte;
  • Minimizimin e nivelit të pluhrave në kantier;
  • Përdorimin me korrektësi të makinerive, aparaturave, veglave, substancave me rrezikshmëri dhe mjetet e tjera;
  • Pastrimin e vazhdueshëm të vendit të punës;
  • Përshtatjen e vendit të punës me punëmarrësin

Raporti thekson gjithashtu mosrespektimin e Kodit të Punës nga kompania AlbChrome dhe nënvizon:  

  • Ndërtimin e dhomave higjienike për gratë
  • Krijimin e mjediseve të ngrënies
  • Kryerjen e riaprimeve të mureve dhe tavaneve në mjedise të caktuara
  • Ndërtimin e dhomave të ndërrimit mjaftueshëm të mëdha që punëmarrësit të vendosin veshjet dhe sendet personale në një vend të mbrojtur nga përvetësimet, kushtet e vështira atmosferike dhe burimet ndotëse

*Citizens Channel/Entenela Ndrevataj

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *