Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Aktivistët që shpërndanë fletushka në qendrën TEG lihen të lirë nën masën “detyrim paraqitje”

Bislim Lakna, Frenklin Elini dhe Enriko Peçuli, aktivistë të Organizatës Politike (OP), ndodhen tashmë jashtë qelisë ku mbaheshin prej 72 orësh. Pas aksionit në qendrën tregtare TEG, Gjykata u dha atyre masën detyrim paraqitje dhe e konsideroi të ligjshëm arrestimin.

Te premtën e javës së shkuar, aktivistët Mirela Ruko, Vitori Çipi, Albina Ruko, Frenklin Elini dhe Bislim Lakna u ngjitën në katin e dytë të qendrës tregtare dhe shpërndanë fletushka me mbishkrimin “Samir Mane shtyp minatorët”, skenë e cila është pasuar me reagimin e rojeve private. Aktivistët pretendojnë se rojet kanë ushtruar dhunë fizike dhe psikologjikë ndaj tyre, pasi i kanë zhvendosur në një dhomë të TEG-ut duke i tërhequr zvarrë.

Momente nga lirimi i Bislim Laknas, Enriko Peçulit dhe Frenklin Elini

Bislim Lakna, një prej të arrestuarve tregon për Citizens Channel momentin e shoqërimit në komisariatin e Farkës. Ai pohon se roli i tij dhe i Enriko Peçulit nuk ka qenë direkt dhe lidhej thjesht me filmimin e aksionit, i cili është ekzekutuar nga Mirela Ruko, Albina Ruko, Frenklin Elini dhe Vitori Çipi.

Unë kam qenë jashtë aksionit, nuk kam hedhë fletushka dhe ndërkohë kam dalë nga TEG-u krejt lirshëm sepse rojet nuk kishin punë me mu. Pasi kam dalë, një nga rojet e sigurimit të jashtëm ka thënë ‘kapeni atë çunit sepse është me ata’. Ky i fundit ka ardh m’ka kap për krahu dhe m’ka godit me shqelma, nga ana e mbrapme e gjurit dhe ndërkohë që unë kam qenë duke  fol me policinë në telefon dhe besoj që incizimet e thirrjes së policisë e vërtetojnë këtë gjë”, rrëfen Lakna.

Arsyetimi ligjor i mbajtjes në komisariat për tre ditë lidhet me kryerjen e veprës penale “Prishje e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Përhapje paniku” me justifikimin se në qendrën tregtare ka pasur të moshuar, fëmijë, gra shtatzëna dhe aksioni ka krijuar konfuzion tek ata. Bislimi tregon se në fakt kjo prishje rendi ka filluar pasi rojet kanë ushtruar dhunë ndaj aktivistëve.

Sa panik është hap nëpërmjet fletushkave mund të shikohet nga videoja në rrjetet sociale ku ndër të tjera njerëzit nuk duken aspak të shqetësuar por duket një vajzë e vogël që i mbledh ato fletrushka dhe i hedh sipër sikur të kishin hedh nga ato zbukurimet e Vitit te Ri. Edhe aty nuk ka pas asnjë lloj konfuzioni, asnjë lloj paniku deri në momentin që sigurimi i TEG-ut i ka tërheqë zvarrë Mirelën, Vikin, Albinën edhe Frenklin”, shpjegon më tej ai.  

Lakna njofton se hapi i radhës do të jetë ndjekja ligjore e rastit. Ata do denoncojnë rojet private për dhunën e ushtruar dhe do kërkojnë dëmshpërblim.

Deri tani asnjë nga rojet e TEG-ut nuk është proceduar penalisht. Ne do bëjmë kallëzime penale në polici për disa prej tyre dhe do kërkojmë që t’i identifikojnë përmes fotove, përmes filmimeve, përmes kamerave të sigurisë edhe do kërkojmë edhe dëmshpërblim sepse për shembull Enriko ka rrezikuar të humbasë vendin e punës për shkak se është procedu pa qenë fajtor”, sqaron ai teksa tregon se alibia se ata kanë përhapur panik nuk është përmendur aspak gjatë seancës gjyqësore të zhvilluar sot.

Aktivisti Frenklin Elini shpjegon se ky aksion u mbajt në solidaritet me minatorët e Bulqizës të cilët përballen me kushte të vështira dhe të pasigurta pune.

Përpjekjet tona në mbështetje të minatorëve nuk jane krim, madje gjithsecili prej nesh i detyrohet shumëçka punëtorëve të cilët janë shtresa më e përjashtuar dhe e shfrytëzuar e shoqërisë tonë. Rrjedhimisht, do ndjekim hapat ligjor për të ankimuar procesin. E rëndësishme është që ne nuk do ta ndalojmë aktivitetin tonë politik , çfarëdo forme ndëshkimi të përdoret kundra nesh” përfundon ai, pasi përmend se nuk ka ardhur asnjë mjek për ta vlerësuar gjendjen e tyre shëndetësore, kundrejt faktit që aktivistët e ndaluar nga policia e kanë kërkuar vazhdimisht atë.

Kalimtarët dhe minatorët në mbështetje të aktivistëve

Një kalimtar i rastësishëm, iu bashkangjit protestës para Gjykatës dhe në fjalën e marrë ai ndau padrejtësitë ligjore që i janë bërë prej vitesh dhe iu bashkua thirrjes së Organizatës Politike për të lënë të lirë tre aktivistët. Qytetari kërkoi që të arrestohen ata që e quajti “pisllëk”.

Sot të vjedhin dhe pastaj kur t’i vete dhe kërkon gjënë tënde, pavarësisht nga provat do presësh me vite, me dhjetra vjet. Dhe ‘padashur’ do t’i japim të drejtë atij që nuk ka pasur asnjëherë të drejtë, Ilir Metës. ‘Padashur’ do t’i japim të drejtë të gjithë maskarenjëve që kur shajnë njëri-tjetrin thonë të vërtetën, ama kur mburren për vete, gënjejnë ditë-natë”, u shpreh Engjëll Luka teksa zhvillohej seanca gjyqësore.

Kalimtari i cili iu bashkua protestës për lirimin e aktivistëve

Lironi aktivistët dhe shtrëngoni maskarenjtë, arrestoni pisllëkun, që është nga qeveria deri në fund, në çdo qelizë të pushtetit të këtij vendi”, mbylli fjalën e tij Luka teksa protestuesit shpërthyen në thirrje “Lironi aktivistët” dhe “Rrofshin  minatorët”.

Në këtë protestë morën pjesë edhe tre minatorët e Bulqizës, të pushuan nga puna disa ditë pasi shpallën sindikatën e re. Elton Debreshi, Behar Gjimi dhe Beqir Duriçi, bashkë me protestuesit  e tjerë kërkuan që Lakna, Elini dhe Peçuli të mos mbahen më në qeli dhe e konsideruan të padrejtë burgosjen e tyre.

Behar Gjimi, i treti minator i pushuar pak javë pasi u shpall Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës u shpreh mirënjohës ndaj aktivistëve të OP-së të cilët i kanë mbështetur gjatë ditëve të grevës për të kthyer në punë Elton Debreshin, kryetarin e kësaj sindikate.

Behar Gjimi, minator dhe pjesë e protestës për lirimin e aktivistëve

Unë kam ardhë në mbështetje të aktivistëve sepse edhe aktivistët na kanë mbështet ne me grevën tonë që zhvilluam. Policia merr këtë lloj mase ndaj nesh që jemi fukarenj si me thanë, sepse ndaj atyre që na shtypin neve nuk i merr dot. Shteti funksionon mbrapsht këtu”, tregon ai për Citizens Channel.

Të njëjtin qëndrim ndan edhe Elton Debreshi, i cili artikulon se kundrejt vështirësive ekonomike të thelluara pas pushimit nga puna, ai e gjeti mundësinë të ishte i pranishëm për të ofruar mbështetjen e tij.

Elton Debreshi, kryetar i sindikatës së re dhe pjesë e protestës për të liruar aktivistët

Arsyeja pse i jemi bashkuar kësaj protestë është sepse edhe këto aktivistë, këto djem të mrekullueshëm kanë qenë me ne në ditët e acarta kur kemi pas protestë. Pavarësisht se nga ekonomia, u munduam me sadopak ato rezerva që i kishim, u munduam të vinim këtu dhe të ishim në mbështetje të këtyre aktivistëve”, rrëfen Eltoni, pasi protesta ishte zhvendosur tek Komisariatit numër 1. 

Teksa aktivistët, tashmë të lënë të lirë, u rikthyen tek komisariati ku mbaheshin prej tre ditësh për të marrë sendet personale, protestuesit dhe mbështetësit e tyre i ndiqnin nga pas. Këta të fundit marshuan në këmbë dhe përsëritën thirrjet në mbrojtje të minatorëve. 

*Citizens Channel/ Entenela Ndrevataj

 

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *