Bulqizë: Përgjatë dy muajve aksidentohen tre minatorë në minierat e AlbChrome

Minatorët Altin Kola dhe Mentor Gjeta janë aksidentuar mbrëmjen e ditës së djeshme gjatë procesit të punës në minierat e AlbChrome. Ata janë dërguar për të marrë shërbimet mjekësorë dhe raportohet se janë jashtë rrezikut për jetën. Kola gjendet në spitalin rajonal të Bulqizës, ndërsa minatori Mentor Gjeta është dërguar në Tiranë për të marrë trajtim më të specializuar.

Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës (SMBB) ka reaguar lidhur me plagosjen e Gjetes dhe Kolës. Duke i uruar shërim të shpejtë dy minatorëve të lënduar, ata u bëjnë thirrje autoriteteve shtetërore të zbardhin ngjarjen dhe të marrin masat e nevojshme.

Njoftimi  i Policisë së Shtetit, minatori që shkaktoi aksidentin do ndiqet penalisht

Në një deklaratë në profilin zyrtar të Facebook, Drejtoria Vendore e Policisë Dibër bën me dije se aksidenti është shkaktuar nga pakujdesia e minatorit Asqeri Çupi, i cili në galerine e 18-të kishte rolin e sinjalistit dhe manovruesit.  Minatori ka kryer veprën “Shkelje e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe për këtë arsye do të ndiqet në gjendje të lirë, njoftuan ata.

 

Citizens Channel komunikoi me Behar Gjimin, ish-minator në minierat e Bulqizës, i cili është pushuar nga AlbChrome disa javë pasi u organizuan në veprimtari sindikaliste. Sipas tij, aksidenti ka ndodhur pasi një minatori i vetëm, Asqeri Çupi, ka kryer disa funksione njëherazi. Këto funksione, pohon Gjimi duhet të kryhen nga tre minatorë të tjerë, në mënyrë që të shmanget lëndimi i punëtorëve.

Është arganellisti që i ul dhe i ngre vagonat, një manovrues dhe sinjalisti. Këtu ka qenë vetëm arganellisti me sinjalistin. Manovruesin e ka bo ky që është sinjalist. Edhe poshtë, atje ku ulen vagonat duhet të jetë sinjalisti, që lajmërohet me sinjal që janë duke ardh vagonat poshtë. Edhe atje poshtë mungonte. Tashi, e kanë bo vetëm me sinjalistin dhe arganellistin. Kanë shkurtu tre vende pune“, sqaron më më tej Behar Gjimi. Ai ka shërbyer si brigadier rreth 13 vite dhe ka punuar si minator që prej vitit 1995 deri në muajin dhjetor të 2019-tës.

Nga ana tjetër, kompania AlbChrome ka postuar në profilin zyrtar deklaratën e Asqeri Çupit, i cili njofton se merr përsipër fajin për aksidentin e ndodhur. Në atë letër ai deklaron se aksidenti ka ndodhur si pasojë e humbjes së vëmendjes, pasi ka marrë urdhrin për të punuar në kokën e dishenterisë.

 

Aksidenti i dytë në dy muaj: 

Pak javë më parë, një tjetër minator është aksidentuar në minierat e Bulqizës. Në datë 19 dhjetor, 2019 Tush Asllani është lënduar gjatë procesit të punës dhe është dërguar për trajtim në kryeqytet. SMBB-ja në një deklaratë ka fajësuar kompaninë për këtë aksident pasi u ka ndërruar punëtorëve pozicionet e punës dhe shpjegon se dëmtimi ka ardhur si pasojë e goditjes nga një masiv kromi në pjesën e kokës.

  

Citizens Channel ka raportuar ka raportuar më parë rreth shkeljeve të vërejtura në miniera nga Inspektorati i Punës i cili ka kryer 16 inspektime në të cilat rezulton se kompania AlbChrome ka kryer 18 shkelje administrative që lidhen me ligjin nr. 10.237, datë 18.02.2010,  “Për sigurinë dhe Shëndetin në Punë” dhe Kodin e Punës.

*Citizens Channel / Entenela Ndrevataj