Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Gjirokastra, qyteti muze që përpëlitet mes rrënojave dhe përpjekjeve për rijetëzim

Foto: Pazari i vjetër i Gjirokastrës në vitin 1978
Autore: Brikena Metaj | Citizens Channel 

Ky ishte një qytet i pjerrët, ndoshta më i pjerrëti në botë, që i kishte thyer të gjitha ligjet e urbanistikës. Çdo udhëtari që e shikonte për herë të parë, qyteti i zgjonte dëshirën për të bërë një krahasim, por pasi udhëtari binte në granckë, qyteti e flakte krahasimin, sepse ky ishte një qytet që nuk ngjante me asgjë.” kështu e nis Ismail Kadare përshkrimin e Gjirokastrës në romanin “Kronikë në gur” me të cilin ai evokoi qytetin e tij të lindjes.

Prej 14 vitesh, Gjirokastra, qyteti i vlerësuar për historinë dhe traditën e vet, është e përfshirë në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s si një vlerë arkitekturore dhe historike që duhet ruajtur dhe trashëguar brezave. Guri, materiali ndërtimor më i qëndrueshëm në vend për kohën, vazhdon të jetë edhe sot mbizotërues në qytetin që pikërisht për këtë shkak njihet si “qyteti i gurtë”.

Një dekadë e gjysmë pas hyrjes në UNESCO Gjirokastra vijon ende të përpëlitet mes rrënojave të një qyteti muze dhe përpjekjeve për rijetëzim. Qeveri që ikin e vinë. Strategji të reja dhe të vjetra. Shtëpi që rrënohen e të tjera që ngrihen por situata mbetet larg asaj të duhurës e të dëshirueshmes.

Të duhet të gjesh kënde të ndryshme vështrimi që çdoherë Gjirokastrën ta shohësh ndryshe. Por e pashmangshmja në çdo rast është përballja me rrënimin që prej vitesh është ulur këmbëkryq.

Sadi Petrela – Fondacioni Gjirokastra

Zëra të ndryshëm nga pushteti, me ndikim në jetën sociale të qytetit, shprehin opinionin se në 14 vite, edhe pse përparimet janë të dukshme, bilanci vijon të mbetet negativ. “Brenda një viti më shumë rrënohet sesa mirëmbahet e restaurohet”, pohon Sadi Petrela, drejtor i Fondacionit Gjirokastra. Sipas Petrelës një qeverisje me një apo dy mandate është e pamjaftueshme për ta shpëtuar Gjirokastrën, që ai e cilëson “një çështje të rëndësishme kombëtare”.

“Në 2005 -ën kur Gjirokastra hyri në UNESCO, gjendja ishte e mjerueshme. Sot përmirësimet janë të dukshme, sidomos në zonën e Pazarit, që ka qenë e rrënuar dhe e braktisur. Por sërish unë them se bilanci është negativ. Shpëtimi i Gjirokastrës kërkon një angazhim kombëtar dhe multidisiplinor me gjithëpërfshirje të administratës, bizneseve, aktivistëve dhe vetë qytetarëve” shprehet më tej Petrela.

Rrënimi i qytetit muze

Shtëpitë karakteristike të Gjirokastrës po shkojnë përditë e më shumë drejt zhdukjes si pasojë e braktisjes nga pronarët dhe mungesës së vëmendjes institucionale. E ndërsa shteti investon mijëra euro në restaurimin e fasadave dhe Qafës së Pazarit, lagjet e vjetra të Gjirokastrës numërojnë banesat e shembura dhe largimin masiv të banorëve. Gjirokastra është një qytet që po shkon drejt zhdukjes ku lagjet historike të saj kanë shumë shtëpi gjysmë-rrënoja.

Drejtoria Rajonale e Monumenteve të Kulturës në bashkëpunim me fondacionin “Trashëgimi pa Kufij” ka realizuar 3 vjet më parë katalogimin e situatës së rreth 650 banesave në Gjirokastër duke dalë në përfundimin se situata është kritike dhe nevoja për ndërhyrje është emergjente. Vlerësimet teknike evidentojnë të paktën 51 godina që  rrezikojnë  shembjen përfundimtare dhe që do të jetë e vështirë të shpëtohen.

Zv/drejtoresha e fondacionit “Trashëgimi pa Kufij”, arkitektja Elena Mamani, tregon se sipas rezultateve të studimit, Qendra Historike e Gjirokastrës përmban afërsisht 1200 ndërtesa historike, prej të cilave 650 janë të shpallura Monumente Kulture dhe kanë nevojë të menjëhershme për një qasje strategjike. Ajo thotë se nga vlerësimi që u bë për gjendjen e 650 monumenteve të kategorisë së 1-rë dhe të 2-të u verifikua se ato janë në një gjendje kritike. 169 monumente kanë rezultuar të jenë në kategorinë e gjendjes strukturore shumë të keqe apo të dobët, 35 prej të cilave janë rrënoja. 51 monumente janë në nevojë të ndërhyrjeve të menjëhershme dhe 40 të tjera në nevojë të ndërhyrjeve brenda një kohe shumë të shkurtër. Sipas rezultateve të vlerësimit të gjendjes, 357 monumente u janë nënshtruar ndërhyrjeve të jashtëligjshme, dhe këto përfaqësojnë më shumë se gjysmën e ndërtesave të shpallura monumente. 122 prej këtyre 357 monumenteve kanë humbur pothuajse gjithë karakteristikat e tyre monumentale. 170 monumentet e tjerë janë transformuar plotësisht.

Ndonëse konstatimet e bëra nga specialistë të huaj dhe vendas tregojnë se qyteti i gurtë numëron mbi 600 objekte muzeale, një pjesë e konsiderueshme është zhdukur nga harta e monumenteve.

Sipas Drejtorisë së Monumenteve Gjirokastër numri i banesave monument kulture në rrezik shkon në 20, ndërkohë që është ndërhyrë vetëm në 30% të tyre dhe shifra e shtëpive karakteristike gjirokastrite në rrezik është më e lartë se ajo e zyrtarizuar.

Monumentet e braktisura janë ato që paraqesin rrezikshmëri më të lartë. Sot në Gjirokastër ka 79 monumente të pabanuara, pa përfshirë në këtë numër monumentet e rrënuara, dhe gjendja e tyre është duke u përkeqësuar. Në qytet janë 56 banesa të kategorisë së parë, ndërkohë që 28 prej tyre tashmë janë të pabanueshme.

Lexo më shumë: Shtëpitë e zhdukura të Gjirokastrës

Më shumë se 200 shtëpi, monumente të kategorisë së dytë dhe të parë në Gjirokastër, janë shembur ose janë shpallur të pabanueshme gjatë 2 dekadave të fundit. Banesa të tilla si Kabilatët, Selfatët, Lolomani, Lito, Topulli, Hadëraj, Kunavi, Cene, Çabej, etj., të gjitha në këmbë gjatë dekadës së kaluar, tashmë janë kthyer në rrënoja apo gjysmërrënoja. Fotot krahasuese e tregojnë më së miri këtë fakt tronditës.

236 monumente kulture më pak. Ku shkuan monumentet?

“Deri në vitin 2013, Gjirokastra kishte të shpallura në qytet vetëm 71 monumente duke përfshirë edhe Qendrën historike, në 2016 shpallen 323 monumente, pra në total sot kemi në listë 394 monumente në qytet”, thonë të dhënat zyrtare të Ministrisë së Kulturës.

Zyrtarizimi i listës së monumenteve të kulturës në Gjirokastër dy vite më parë, ndezi debatet mbi arsyet e vërteta të tkurrjes së kësaj liste dhe cënimit të pashmangshëm që po i bëhej ansamblit të qytetit muze.

Ministria hartoi një listë prej 323 monumentesh të kategorisë së dytë që u shpallën me vendimin nr. 60, dt. 11.03.2016 të Këshillit Kombëtar të Restaurimeve dhe urdhër të posaçëm të Ministrit të Kulturës. Ndërsa lista e UNESCO-s ka në total një numër prej 559 monumentesh të kategorisë së dytë. Shpjegimi i zyrtarëve lokalë të Drejtorisë së Monumenteve në atë kohë lidhet me faktin se një pjesë e këtyre banesave janë rrënuar dhe sot nuk ekzistojnë më ose kanë pësuar ndërhyrje që kanë cënuar ndjeshëm strukturën tradicionale të shtëpive muze. Arsyetimi mbetet thjesht një dëshmi e zhdukjes se vlerave identifikuese të qytetit muze.

Investime dhe jo restaurime

Mbi 2 milionë dollarë janë investuar në pesë vitet e fundit nga qeveria shqiptare për rehabilitimin e Pazarit Karakteristik të Gjirokastrës. Por ndërhyrjet e vazhdueshme në zonën muzeale dhe banesat karakteristike kanë hasur jo rrallëherë kundërshtitë e specialistëve për mosrespektim të traditës dhe shkelje të rregullave të restaurimit ku nuk kanë munguar as rastet konkrete të përmendura prej tyre, përfshirë këtu edhe ato të mbulimit të pikturave murale me suva.

Sipas arkitektit restaurator Kreshnik Merxhani, në 50 banesa ku ai ka identifikuar piktura murale që kanë skena floreale, skena lufte apo peizazhi qytetas, 10 prej këtyre pikturave janë të kërcënuara ose të zhdukura tërësisht. Për Merxhanin piktura murale në Gjirokastër është një pasuri shumë e kërcënuar dhe e patrajtuar. “Nga këto 50 banesa të verifikuara, llogaritet që poshte shtresave të gëlqeres të aplikuara më vonë, rasti i pazarit vërtetoi që pas pastrimit dolën piktura murale si në interier ashtu dhe në eksterier, llogaritet pra që të ketë edhe 50 banesa të tjera që vlen të investigohen së afërmi”, thotë Merxhani.

Zekate është sot banesa me më shumë sipërfaqe të pikturuar në interior, në fasaden e saj. Pas saj vijnë banesa si Bela, Skënduli, Çuberi, Babameto (Cfakë) etj. Gjendja e tyre është tepër e rrezikuar në të gjitha rastet.

Ndërsa sjell shembuj konkretë, Merxhani thekson se rreth 94% e pikturave të identifikuara kërcënohen të zhduken apo zbehen e dëmtohen rëndë. “Vetëm 6% mund të themi se konservohem relativisht mirë” shton ai.

Gjatë 2016 janë 5 banesa kanë pësuar humbje të plota apo të pjesshme:

  • Banesa Mezini ne Meçite humbi një stemë floreale bashke me datime në kalendarin gregorian dhe atë të hixhrit e shoqëruar me mbishkrim në osmanisht e greqisht.
  • Banesa Kabili, e cila vuan një degradim shumevjeçar ka humbur pjesë pikture në eksterier e interior. Ajo mendohet të ketë qenë banesa me monumentale dhe më e dekoruar në gjithë qytetin e Gjirokastrës.
  • Banesa Loloçi që gjendet mes lagjes Cfarkë e Manalat i dytë, humbi fasadën kryesore dhe frontonin e saj në 2018, ku kishte dhe një pikturë murale e gjithashtu një gur të gdhendur në çelësin e qemerit të derës hyrëse, ku ekzistonte një mbishkrim në osmanisht i gdhendur, por dhe i trajtuar me pigment.
  • Banesa Kale, në fillim të lagjes “Pllakë” rrezikon të zhduket e bashkë me të një mbishkrim e motiv me ngjyrë blu ultramarinë që në Gjirokastër quhet “çivit”.

Specialistët shprehen se ritmi i restaurimeve në pazarin historik dhe disa komplekse banesash ka sjellë impakt pozitiv dhe një imazh të ndryshuar të Gjirokastrës si destinacion turistik, por për lagjet e vendosura pas kalasë, kemi të bëjmë më një ritëm degradimi dy herë më lartë se ai i restaurimeve.

By Pass i Gjirokastrës – Një investim për infrastrukturën që kërcënon trashëgiminë

Projekti i Bypass-it në Gjirokastër i artikuluar për herë të parë në 2017-ën hasi në reagimin e menjëhershëm të specialistëve dhe publikut duke e detyruar qeverinë të tërhiqej përkohësisht. Së fundmi duket se projekti po ridel sërish në dritë si e vetmja alternativë qarkullimi që u ofrohet gjirokastritëve pas përfundimit të punimeve në Qafën e Pazarit dhe kthimin e saj në pedonale.

Për specialistët projekti “Bypass” jo vetëm që do të shkatërrojë shtëpitë e zakonshme, monumente të kategorisë II, por gjithashtu do të transformojë tipologjinë urbane të zonës historike.

Një tjetër shqetësim i specialistëve, në kohëra aktiviteti sizmik është ndikimi i këtij projekti në strukturat gjeologjike.

Goditjet sizmike të vitit 2016 me qendër në Janinë, shkaktuan dëmtime të konsiderueshme në kullën kryesore të kalasë dhe një devijim nga vija vertikale e strukturës së saj.

Arkitekti Merxhani thotë se Bypass – i  ndryshon memorien historike të Gjirokastrës, kompromenton rëndë peizazhin historik duke propozuar mure betoni 6-10 m të lartë në disa breza, duke shkaterruar tre monumente të kategorisë së dytë për të kaluar gjurma e tij. Ndërtimi i tij, pohon Merxhani, propozohet në një zonë me problematikë gjeologjikë e sizmike, e vërtetuar nga mbi 15 studime që prej vitit 1965 e në vijim (zonë e studiuar edhe nga UNESCO dhe e cilësuar me probleme gjeologjike).

Kjo shton rrezikun që masa e madhe e betonizimit dhe e pilotizimit të provokoje terrenin dhe devijimin e ujërave. Arkitekti Kreshnik Merxhani argumenton se “Bypass-i përqendron një sasi financimi e mjaftueshme për shpëtimin e mbi 90 monumenteve të Kategorisë së parë dhe të dytë të cilat gjenden në prag kolapsi”.

****

Gjirokastra është një ndër qytetet më unike në botë. Por ndërsa vizitorët mahniten me magjinë e saj, banorët e përhershëm të qytetit jo rrallëherë pyesin veten “Edhe për sa kohë akoma?”, ndërsa rregullisht numërojnë banesat që bien. Gjirokastra është një qytet të cilit po i cënohet identiteti. Ndërtimet pa leje të ngritura ndër vite, rrënimet e vazhdueshme të banesave historike dhe restaurimet shpesh pa kritere profesionale nuk mposhten dot nga ndërtimet e reja të banesave që po ngrihen në zonën muzeale, në kohën kur Gjirokastra historike po lëngon nga pesha e viteve dhe e harresës.

*Redaktor-Lorin Kadiu/Citizens Channel 

*Ky artikull u realizua në vazhdimësi të ciklit të trajnimeve “Mjetet dhe Teknikat e Raportimit Lokal”, të organizuara nga Citizens Channel. 

 

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *