Argumentet e Presidentit kundër paketës “anti-shpifje”, nga anti-kushtetueshmëria tek liria e shprehjes

Presidenti Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend ligjin e njohur si paketa “Anti-shpifje”, e miratuar në datën 18 dhjetor të vitit të shkuar.

Miratimi i këtyre dispozitave në thelb përmban elementë censurues të drejtpërdrejtë që kufizojnë të drejtën e lirisë së shprehjes dhe të medias“, thuhet në argumentimin e pulikuar ng Presidenca, ku theksohet se dispozitat ligjore cenojnë parimet themelore kushtetuese dhe interesin publik.

Cilat janë  disa nga argumentet kryesore të Presidencës kundër paketës “anti-shpifje”:

  1. Parlamenti kapërcen Kushtetutën – Rregullorja e AMA do të ketë fuqinë e ligjit

Sipas arsyetimit të publikuar nga Presidenca, Parlamenti kapërceu kufijtë e Kushtetutës, duke i dhënë të drejtë AMA-s të përcaktojë me rregullore atë çka duhej përcaktuar me ligj.

Ligji i jep AMA-s autoritetin për të përcaktuar me rregulloren e saj kritere mbi çfarë përben “shpifje” dhe kur duhet një media të dënohet me gjobë. Çka sipas Presidentit është në kundërshtim me Konventën Evropiane të të drejtave të njeriut, që përcakton se ushtrimi i lirisë së shprehjes i përmbahet vetëm kufizimeve të parashikuara me ligj.

  1. Kuvendi i kontrolluar nga një parti, nuk garanton mekanizma funksional kontrolli

Në vijim të arsyetimit të Presidencës sqarohet se institucionet e pavarura, siç është AMA, duhet të raportojnë rregullisht në Kuvend për punën e kryer dhe nuk precedentët kanë treguar se nuk është i pavarur nga presionet politike. Kjo bëhet më e rëndësishme në kontekstin kohor kur Kuvendi Shqiptar prej më se një viti funksionin me numër të kufizuar deputetësh dhe me një maxhorancë absolute të kontrolluar nga një parti e vetme.

  1. Ligji shkel Kodin Civil – Gjobat paguhen para se të mbyllet procedura e ankimit

Presidenca e ka konsideruar si “të metë” formulimin e ligjit për sa i përket formulimit në ligj se gjobat e vendosura nga Këshilli i Ankesave janë titull ekzekutiv dhe duhet të paguhen menjëherë.

 “Është praktikisht e pamundur që mbi një vendim administrativ jo përfundimtar, që mund të rrëzohet si nga Bordi apo në mënyrë potenciale nga gjykata, të investohet paraprakisht gjykata për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit mbi këtë vendimmarrje jo të formës së prerë, për t`ia nënshtruar më pas procesit të ekzekutimit përmbarimor”, theksohet në argumentimin e Presidencës.

  1. Gjobat “shproporcionale” i jepen si mjet në dorë personave që duhej të kontrolloheshin nga media

“Kjo gjendje censure krijohet përmes aplikimit të masave ndëshkuese jo proporcionale që këto dispozita parashikojnë, masa që mund të vlerësohen dhe vendosen nga organe administrative, të cilat në kundërshtim të hapur me rendin e brendshëm kushtetues dhe ligjor, u jepet fuqia që t’i vënë në ekzekutim të menjëhershëm këto masa, përpara se të ketë një vendimmarrje përfundimtare dhe të formës së prerë mbi ligjshmërinë e tyre”, thuhet në argumentim ku më tej listohen një sërë shkeljesh teknike ligjore të “paketës-antishpifje”:

– Parimet themelore kushtetuese të ndërtimit të një shteti demokratik, sigurisë juridike dhe të proporcionalitetit;
– Dispozitat kushtetuese që mbrojnë të drejtën e lirisë së shprehjes, të lirisë së shtypit dhe të drejtës së informimit;
– Jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, vendimet e së cilës përbëjnë norma të detyrueshme për zbatim;
– Nuk janë në harmoni me standardet e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

5. Ligji vjen në kohë të këqija për lirinë e medias

Më tej në argumentim, Presidenti Meta liston një sërë raportesh ndërkombëtarë që theksojnë përkeqësimin e situatës së lirisë së medias në Shqipëri:

  1.  Zbritja me 7 vende në Indeksin Botëror të Lirisë së Medias, sipas konkluzioneve të organizatës botërore të gazetarëve “Reporterët pa Kufij”;
  2. Përfundimet e raportit vjetor të “Freedom House”, sipas të cilave: “Media në Shqipëri është pjesërisht e lirë”.
  3. Konkluzionet e “Misionit për lirinë e medias” të shtatë organizatave globale, ku theksohet se, “autoritetet shqiptare nuk po përmbushin detyrimet ndaj ligjit vendas dhe instrumenteve ndërkombëtare për të garantuar lirinë e shprehjes dhe të medias, duke theksuar se ka pasur një përkeqësim të sigurisë, kushteve të punës dhe aksesit në informacion të gazetarëve”;
  4. Raporti paraprak i vëzhgimit i OSBE/ODIHR për monitorimin e procesit të votimeve qershor 2019, që ka nënvizuar se, “mediat e mëdha u shërbejnë si platforma lobuese pronarëve të tyre, duke vënë kështu në pikëpyetje pavarësinë e tyre editoriale dhe duke imponuar auto-censurën”.

Citizens Channel /l.k./