Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Aktivisti Isa Myzyraj: “Linçimet e aktivistëve të shoqërisë civile janë të frikshme në vendin tonë”

Sa vite ke që je i aktivizuar shoqërisht në kauza sociale dhe politike?

Unë kam filluar angazhimin tim në shoqërinë civile, në kauza sociale, shoqërore dhe politike që në vitin 2012, kur unë dhe nisa studimet e larta, dhe kuptova që është jo vetëm e drejtë por edhe detyrë e qytetarëve që të jenë të angazhuar publikisht.

Sa të vështirë e ke të shprehësh një mendim apo qëndrim kur e di që do hasësh në komente negative?

Fillimi ka qenë i vështirë, shumë madje. Kur ti nis edhe kritikon, kritikon, dhe vetëm kritikon, jep argument, ulëret, e ngre zërin, rrethi yt shoqëror, fisi por edhe familja, do të nisin duke thënë “u bëre ti?”kush je ti?” Pra janë paragjykime që në hapat e parë të rrëzojnë, pasi presioni është i madh, nga të gjitha palët që nuk e kuptojnë detyrën e të qenit aktivist. Gjithsesi, nëse ti e ke të qartë atë që do, dhe atë që po bën, është pak më e lehtë ta thuash dhe madje edhe ta ulërasësh, por është e vështirë sepse e kupton që disa të tjerëve as që u intereson asgjë.

A të janë shpërndarë të dhëna personale/fotografi vetëm sepse ke mbrojtur një kauzë të rëndësishme?

Linçimet e aktivistëve të shoqërisë civile, të paidentifikuara me një parti politike, janë të frikshme në vendin tonë. Media të tëra serioze dhe më pak serioze, rrjete sociale, faqe rrjetesh, kanë një aktivitet të madh në linçimin dhe përgojimin e këtyre aktivistëve. Më ka ndodhur shumë herë, që media të shkruajnë “biografinë” time, ta shtrembërojnë dhe të më bëjnë sa me një parti sa në një tjetër, sa i blerë sa i shitur, faqe sociale duke publikuar fotografitë e mija. Më e rënda ka qenë në dhjetorin e 2018, kur disa faqe njëherësh filluan duke publikuar fotografi me një rreth në kokë, dukej sikur donin të më vrisnin, por unë e kuptoja që pas këtyre faqeve janë disa adoleshentë që janë të paguar keq për ta bërë punën keq. Pastaj, përsa u përket mediave serioze, sigurisht kam kontaktuar redaksi, të tëra për të verifikuar informacionin e shpërndarë për mua.

Cilat janë kërcënimet që keni marrë si pasojë e aktivizmit tënd?

Ka pasur shumë të tilla në fakt. Më ka ndodhur për shembull tek protestat për Liqenin, të më ndalnin njerëz pa uniformë të hequr si policë e të më thonë hip në makinë. Nuk kam pranuar sigurisht, pa pasur një fletë arresti ose fletë thirrje. Më kanë kontaktuar nga telefoni, duke thënë ju telefonojmë nga Prokuroria për tu paraqitur për protestën që keni bërë tek Bashkia, kam shkuar dhe prokuroria e Tiranës nuk kishte asnjë fletë thirrje për mua. Kërcënime në komente në rrjetet sociale, mesazhe private të rënda në dukje por me një formë presioni të jashtëzakonshëm. Përmendja e familjes, e marrëdhënieve të tua të punës dhe deri tek arrestimet dhe dhuna fizike Brenda dhe jashtë komisariateve të policisë.

Çfarë kërcënimesh/mesazhe apo komente intimiduese/kërcënuese keni marre si pasojë e ngritjes se çështjes LGBT?  

Unë ka vite tanimë që e kam mbështetur komunitetin LGBTI, më përpara me thënë të drejtën jo shumë hapur në rrjete sociale, vitet e fundit shumë hapur. Kërcënimet, kanë qenë nga më të ndryshme, nga më të rëndat, dhe nganjëherë aq të rënda saqë unë pyes vetëm: ”Si mundet një person të arrij deri në këtë pikë kërcënimi”. Kam pasur dhjetëra mesazhe private e kërcënime të hapura, nga vrasja që është “më e lehta” deri tek djegia me benzinë, apo dhunimi në publik. Unë kam shkruar shpesh për komunitetin LGBT, dhe njerëzit guxojnë të kërcënojnë edhe në komente publike, pa e ditur, dhe pa qenë të informuar se kjo gjë përbën vepër penale. Kam dashur disa herë të denoncoj raste konkrete, por asnjëherë nuk e kam bërë. Një rast konkret është kur u dhunua një anëtare e komunitetit LGBTI, dhe unë ngrita shqetësimin, persona të ndryshëm më thanë: “Mirë ja kanë bërë, ose, ah sikur nuk isha edhe unë aty“. Filluan duke më kërcënuar edhe mua, dhe të tregohem realist fillova duke u shqetësuar për gjuhën e urrejtjes së madhe, dhe ekstremizmin që shfaqnin komentuesit në komente, por të themi “jam mësuar” me kërcënime për këtë temë.

Si e kane pritur njerëzit e afërt mbështetjen e komunitetit LGBTI?

Ka pasur shokë për shembull që më kanë dhënë bllok në rrjetet sociale dhe kanë shkëputur marrëdhëniet me mua, duke më thënë shumë sinqerisht “Meqenëse ti i mbështet dhe bën statuse për to, nuk mund të jemi shokë bashkë”. Ka nga ata që janë kurioz, nuk kanë asnjë informacion dhe ulem me orë të tëra duke ua shpjeguar pse unë mbështes komunitetin. Ka shokë radikal që më kanë thënë, ne do jemi shokë por kurrë nuk do e diskutojmë çështjen LGBT, mos na fol për to. Familjarët e mi të ngushtë, nuk u bëhet përshtypje, e dinë që unë jam një aktivist për të drejtat e njeriut, dhe më thonë, është puna jote. Zakonisht me personat që shoqërohem e kam diskutuar me të gjithë çështjen LGBTI, dhe pse unë i mbështes, dhe më besoni shumë kanë ndërruar mendje pasi kam folur me to.

A ke rrezikuar të humbasësh/humbur diçka që ti e konsideron me vlerë si pasojë e aktivizmit tënd?

Sigurisht, kur ti vendos që të jesh i angazhuar duhet të heqësh dorë nga disa gjëra. Unë kam hequr dorë nga puna ime e mëparshme vetëm për shkak të aktivizmit tim, ambient im i punës nuk përshtatej me gjithë aktivitetin tim shoqëror.

A të kanë kërkuar të heqësh dorë nga kauzat që ti mbron?

Qindra herë, e përsëris, nga shoqëria që pi kafe me to, tek familja. Më kanë kërkuar disa herë, në hapat e parë, por tanimë prindërit e mi e dinë se ku ka protestë jam edhe unë aty madje në darkë ka raste që më thonë vetë, do shkosh nesër në protestë? E kanë pranuar dhe e kanë kuptuar se në këtë vend duhet reagim, dhe nëse nuk e bën biri i tyre dhe ata vetë madje, nuk mund të thonë “pse nuk ngrihemi”.

 Ata mund të mos kenë informacionin e detajuar për kauzën, dhe dezinformohen nga burime të treta, thonë që duhet ta lësh këtë punë, je gabim, por në fakt ata vetë janë gabim por thjesht nuk e kuptojnë. Kanë këmbëngulur disa herë për shembull, që kauza e studentëve që protestonin në 2015 2016 2017 2018 është një kauzë e çuar dëm, derisa në fundin e 2018 e kuptuan që s’paska qenë e tillë, dhe të thonë “Paske pasur të drejtë”.

A je vetë-censuruar për t’u pranuar në shoqëri?

Të tregohemi realist, ka raste kur edhe vetë censurohesh, jo vetëm për t’u pranuar në shoqëri por edhe për shkak të presionit të jashtëzakonshëm që të vjen nga të gjitha anët nga linçime pafund, nga kritika pa baza por të mirëartikuluara. Po, e kam bërë.

Sa e lehtë është të jesh aktivist në Shqipëri?

Nuk është aspak e lehtë në fakt, por edhe aq e vështirë sa në Iran për shembull nuk është. E vërteta është se ti ke liri të protestosh, por kjo “liri’ do të kushtojë shumë, nga shkolla, tek puna, nga diploma tek shantazhi, tek familja e tek shërbimet publike. Nuk është e lehtë, sepse ti do paragjykohesh në çdo rast, si i blerë nga partitë, pasi ende nuk e kemi krijuar kulturën që “PO” këtu ka edhe aktivistë kundër të gjithë klasës politike, dhe kundër çdo qeverie. Është e vështirë sepse ti do kesh nevojë për shërbime publike, dhe nëse ti je identifikuar si aktivist, më beso do të shpërfillin në momentin e parë.

A ka pasur ndonjë rast që ke menduar se do heqësh dorë?

Kurrë. Siç e thash edhe në fillim, unë e kam kuptuar se aktivizmi, protesta,  kritika ndaj qeverisë, dhe qeverisjes, ndaj pronarëve, ndaj udhëheqësve të shtetit, kushdo që janë ato, të kujtdo partie, janë jo vetëm e drejtë por edhe detyrë e qytetarëve e veçanërisht e të rinjve, që jo vetëm e ardhmja por edhe e tashmja është e tyre.

*Citizens Channel/Entenela Ndrevataj

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *