Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Analizë: Bashkitë e Shqipërisë iu mohojnë gazetarëve të drejtën për informim

Autore: Erisa Kryeziu | Citizens Channel

“…. Pavarësisht e-maileve të shumta deri në atë pikë sa u bëmë edhe armiq me komisionerin, në korrik të vitit të kaluar, gati një vit pasi kishim kërkuar informacion në bashkinë e Tiranës , erdhi 1/18 e 18 punëve publike për të cilat kishim kërkuar informacion dhe deri më sot s’ka ardhur asgjë tjetër”.

Ky rast nuk është i vetmi për Roden Hoxhën, nga Qendra për Gazetari Cilësore, ku bashkia refuzon të japë informacion publik për të cilët gazetarët janë të interesuar. Juristi dhe drejtuesi i Qendrës, shprehet se zvarritja e dhënies së informacionit në rastin më të keq ka shkuar në një vit dhe në fund ky informacion nuk është marrë i plotë.

“Bashkia kërkoi kohë shtesë , se dhe komisioneri vetë për shqyrtimin e ankesën sonë u vonua, dhe i la një datë të re Bashkisë për dhënien e informacionit, fund nëntori të atij viti. Nuk u bë asgjë. Bëmë një ankesë të dytë të komisioneri, i cili kërkoi një takim ndërmjetësimi. U bë ndërmjetësimi në fillim dhjetori, ramë të gjitha palët dakord që do të jepet informacioni, thamë që jemi të gatshëm të paguajmë, për informacionin që do të marrim,sipas udhëzimit të komisionerit me 50 lek të vjetra faqe. Në mes të dhjetorit na vjen një shkresë nga komisioneri, në të cilën bashkia i kishte shkruar që kishte filluar auditim nga KLSH-ja, dhe për këtë arsye ishte bllokuar gjithë arkiva ….”-shprehet Hoxha për Citizens Channel.

Edhe për gazetarin Artan Rama rastet kur bashkitë nuk janë treguar të gatshme për të dhënë informacion janë të shumta.

“Në janar të 2018-s, Bashkia e Bulqizës nuk iu përgjigj një kërkese që lidhej me shfrytëzimin e fondit pyjor e kullosur. Në prill të 2019-s Bashkia Memaliaj nuk iu përgjigj një kërkese që lidhej me efektin social dhe mjedisor që parashikohej të shkaktohej prej hidrocentralit të Kalivaçit, ndërsa në maj Bashkia e Librazhdit nuk iu përgjigj një kërkese në lidhje me rikonstruksionin e një hec-i të vogël, i cili ndodhej brenda territorit të Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë “.

Gazetari Artan Rama rrëfen se ka ngritur disa padi në Gjykatën Administrative për të drejtën e informacionit.

“Kam ngritur 9 padi kundër autoritetit shtetëror dhe Komisionerit për të Drejtën e Informimit në Gjykatën Administrative. Deri tani kam fituar katër çështje, ndërsa pesë të tjerat janë ende në proces”.

Dorian Matlija drejtues i qendrës “Res Pulica” shprehet se ata që vuajnë më shumë pasojat e mos-përgjigjes janë gazetarët investigativë, pasi ndryshe nga qytetarët ata kërkojnë informacione “pikante” te cilat institucionet nuk kane vullnet ti bëjnë publike.

“Nga bashkitë që do të veçoja si më pozitive janë bashkia Shkodër, bashkia Durrës, bashkia Lezhë. Në përgjithësi përqindja e përgjigjeve nga institucionet është në nivelin 60% ndaj kërkesave fillestare. Kjo përqindje rritet pas ankesës te Komisioneri , duke shkuar deri ne nivelin rreth 80% të rasteve. Megjithatë, vlen për tu theksuar se rastet e refuzimit të përgjigjeve janë ato kur kërkohen informacione qe hedhin drite mbi kontrata te dyshimta”.

Pas refuzimit të dhënies së informacionit, gazetarët, duke u njohur më mirë të drejtat që ju ofron ligji në ndryshim nga qytetarët i kanë ndjekur këto çështje edhe në aspektin ligjor.

Sipas Matlijas rastet më të shumta gjyqësore janë kundrejt institucioneve të pushtetit qendror.

“Kundër bashkive shifrat janë shumë më të ulëta, ku spikat bashkia Tiranë. Ekzistojnë pak raste të veçuar kundër bashkive të vogla në rastet e investimeve me impakt në mjedis, ku bashkitë pengojnë gazetarët për të investiguar mbi ndërtimin e HEC-ve, ose veprave të tjera, si për shembull bashkia Librazhd. Rastet qe ne njohim janë kundër institucioneve te pushtetit qendror, të cilat janë mbi 30 raste”.

 

Monitorim i bashkive për informacionet e publikuara pa kërkesë

Duke u bazuar në ligjin nr. 119/2014 për të drejtën e informacionit publik, Citizens Channel zhvilloi një monitorim të faqeve web të 61 bashkive në vend, për të parë disa kategori informacioni që duhet të jenë publike për të gjithë qytetarët pa dërguar një kërkesë.

Kategoritë e informacionit që u monitoruan janë: 

  1. Programi i transparencës
  2. Struktura organizative e institucionit
  3. Të dhënat për koordinatorit për të drejtën e informimit
  4. Të dhëna për buxhetin
  5. Të dhënat për kontaktet e bashkisë (vendodhja, e-mail)
  6. Të dhëna për arsimin dhe pagat e funksionarëve dhe pagat e nëpunësve

Nga ky monitorim u vu re se respektimi i ligjit për të drejtën e informimit është i pazbatuar nga një pjesë e madhe e bashkive.

Bashkia Krujë, Bulqizë, Selenicë dhe Gjirokastër nuk kanë një faqe web, si rrjedhojë kujtdo që kërkon të ketë informacion online rreth këtyre institucioneve i mohohet kjo e drejtë.

Nga 61 bashki ekzistuese, vetëm 32 prej tyre kanë miratuar dhe e kanë të publikuar programin e transparencës.

Nga 61 bashki, vetëm 20 prej tyre kanë të publikuar strukturën organizative të institucionit. Në këtë mënyrë 41 prej bashkive u kanë mohuar qytetarëve të tyre dhe kujtdo të interesuar të dinë se kush merret me punët publike të institucionit të tyre.

Vetëm 44 bashki, nga 61 në total kishin të publikuar të dhëna për koordinatorin e të drejtës së informimit. Ndërsa në 17 bashkitë e tjera nuk është e qartë se kush merret me sektorin e informimit të publikut.

Ndërkohë, sa i përket publikimit të buxhetit, transparenca e tij ishte vetëm në 37 bashki, në 24 të tjerat nuk ka asnjë informacion jo vetëm për buxhetin e vitit të fundit, por edhe të viteve të mëparshme.

*Shënim: Është parë buxheti i vitit 2019 dhe 2020 për këtë gjetje.

Sa i përket të dhënave për drejtuesit e bashkive, 17 bashki nuk kishin asnjë jetëshkrim të drejtuesve të tyre. Ndër to janë: bashkia Kucovë, Poliçan, Delvinë, Himarë, Finiq, Libohovë,  Memaliaj, Tepelenë, Shijak, Rrogozhinë, Vorë, Kurbin, Mirditë, Lushnjë Mallakastër , Pustec.

Përpos tyre Bashkia e Malësisë së Madhe ka një jetëshkrim të kryetarit por mungon ajo ç’ka është më thelbësorja: emri i kryetarit. Ndërsa bashkia Shkodër akoma nuk i ka njohur zgjedhjet e mbajtura rreth dy vite më herët duke mbajtur në faqen e tyre web jetëshkrimin dhe të dhënat e ish- kryetares Voltana Ademi.

Sa i përket të dhënave për strukturën e pagave të nëpunësve 42 prej bashkive nuk i kanë të publikuara në faqet e tyre në internet. Ndër to janë: Berat, Bashkia Kucove, Polican, Bashkia Skrapar , Ura Vajgurore, Bashkia Klos ,Mat, Belsh, Elbasani, Delvina, Himara, Finiq, Divjakë, Fier, Dropull, Këlcyrë, Libohovë, Memaliaj, Tepelënë, Fushë Arrëz, Malësi e Madhe, Pukë, Vau i Dejës , Bashkia Has, Kukës, Tropojë, Kamëz, Kavajë, Rrogozhinë, Vorë, Konispol, Sarandë, Vlorë, Lezhë, Mirditë, Librazhd, Lushnjë, Patos, Mallakastër, Roskovec, Pogradec, Pustec.

Nga vëzhgimi i kryer, disa nga bashkitë e vendit nuk kanë të dhëna për vendodhjen dhe kontaktet e tyre si e-mail apo numër telefoni. Mungesë të këtyre të dhënave kanë bashkitë Fushë-Arrëz, Mirditë, Peqin, Maliq, Sarandë, Finiq, ndërsa bashkia e Kurbinit ka një e-mail jo të saktë të bërë publik.

Ligji dhe roli i Komisionerit për të drejtën e informimit

Ligji për të drejtën e informimit nr. 119/2014 i detyron institucionet publike të japin informacione rreth veprimtarisë së tyre për qytetarët dhe çdokënd të interesuar.

Ky ligj i jep të drejtën qytetarëve që të marrin një sërë kategorish informacionesh ndaj institucioneve pa pasur nevojën për të dërguar një kërkesë. Ndërsa për çështje specifike që kërkojnë më shumë angazhim institucional lind detyrimi për t’i kërkuar këto të dhëna me anë të një kërkese për informacion. Referuar po këtij ligji disa nga kategoritë e  informacioneve të cilat janë publike pa kërkesë për qytetarët janë:

  1. Struktura organizative e autoritetit publik
  2. Informacionet për procedurat që duhen ndjekur për të bërë një kërkesë për informim dhe procedurat e ankimit të vendimit përkatës.
  3. Të dhëna për vendodhjen e zyrave të autoriteti publik, orarin e punës, kontaktet e koordinatorit për të drejtën e informimit.
  4. Të dhëna për arsimin, kualifikimet dhe pagat e funksionarëve si dhe strukturat e pagave për nëpunësit.
  5. Ligje, konventa të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë

*Shtjellim të ligjit të të drejtës për informim e gjeni këtu.

Komisioneri për të drejtën e informimit, i cili miraton dhe shpërndan modele të programit të transparencës te institucionet publike, njëherazi është edhe institucioni, i cili pret ankesat e qytetarëve për institucionet publike nëse nuk kanë ofruar shërbim dhe merr një vendim që mund të jetë seancë ndërmjetësimi ose vendosja e masave administrative.

Janë evidente rastet kur Komisioneri është treguar i pafuqishëm ndaj institucioneve publike.

Sipas Roden Hoxhës, Drejtuesit të Qendrës për Gazetari Cilësore, komisioneri për të drejtën e informimit është një strukturë inekzistente.

Problemi më i madh i komisionerit është që nuk ka asnjë fuqi vendimmarrëse. Fuqia vendimmarrëse e komisionerit është inefektive, është teorike. Edhe ligji e ka lënë aq të zbrazët atë vendimin e komisionerit sa thjesht një vendim i tij sado mua më jep të drejtën që ta marr informacionin nga një institucion, pasi ankohesh në gjykatë administrative, mbetem në gjykatë një, dy, pesë, shtatë vjet deri sa të marri fuqi ekzekutive ai si vendim. Në  momentin që vendimet e komisionerit nuk janë tituj ekzekutiv, ai si pozicion është i kotë”,-shpjegon Hoxha. 

Të njëjtin problem ndan edhe avokati Matlija, i cili shpjegon se një nga problemet themelore të ligjit për të drejtën e informimit mbeten kompetencat e Komisionerit.

Vendimet e Komisionerit për të Drejtën e Informimit nuk janë detyruese (përveç rasteve kur vendoset gjobë). Ligji nuk i ka dhënë këtyre vendimeve vlerën e “titullit ekzekutiv”, që do të thotë se mbetet në dëshirën e institucioneve për ti zbatuar ose jo”.

Edhe pse i është drejtuar disa herë Komisionerit për ankesë, gazetari Artan Rama nuk ka mundur gjatë punës së tij që të sigurojë të dhënat që ka kërkuar nga institucionet.

Komisioneri vepron në mënyrë selektive. Për çështje të njëjta ka dhënë vendime të ndryshme në dëm të transparencës, duke u bërë palë me autoritetet refuzuese të informacionit publik. Të dhëna që lidhen me kontratat koncesionare apo me shfrytëzimin e pasurive natyrore dhe që refuzohen prej autoriteteve shtetërore nuk kam mundur t’i siguroj edhe pasi jam ankuar në përputhje me “Të Drejtën për Informim”.

Sipas avokatit Matlija kjo vjen pasi në ligj nuk parashikohet qartë detyrimi i Komisionerit për të marrë vendime në të gjitha rastet.

“Komisioneri po “abuzon” me kete paqartësi, duke marre shume pak vendime ne vit. Gjate vitit 2019 Komisioneri ka marre vendim vetëm ne 2% te rasteve kur ka pasur ankesa. Gjithashtu, ligji nuk përmban sanksione te qarte për titullarët e institucioneve dhe për rrjedhojë ata bëhen pengese për zbatimin e ligjit pa pasur asnjë pasojë”.

Referuar regjistrit të kërkesave dhe përgjigjeve për vitin 2019 të institucionit të Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave personale , numri i ankesave është 765.

Ndërsa ankesat e ardhura nga gazetarët për vitin 2019 janë në total 290. Sipas regjistrit nga këto ankesa janë zgjidhur 223 me ndërmjetësim, 30 janë vlerësuar jashtë objektit të ligjit, ndërsa për 13 ankesa Komisioneri është shprehur me vendim.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *