Kafshëdashësit kërkojnë që Bashkia Tiranë t’i trajtojë me dinjitet kafshët e rrugës

Edhe unë kam një ëndërr, që edhe kafshët të kenë dinjitetin e tyre, të kenë lirinë e tyre, të kenë mbështetje dhe t’u jepet zë“.

Kështu u artikulua Endri Noti teksa zhvillohej protesta e organizuar nga ai ku u kërkua nga Bashkia Tiranë që mos t’i vrasë dhe t’i keqtrajtojë kafshët në situatë rruge.

Me pankarta dhe qenushë në duar, për rreth dy orë, qytetarët ngritën shqetësimet e shumta lidhur me politikat asgjësuese që përdor Bashkia, kryesisht ndaj qenve të rrugës.

Noti, në përshkrimin e eventit të protestës të titulluar “Unë kam një ëndërr!”, i frymëzuar nga fjalimi i Martin Luther King, kërkon që kafshët të kenë vendin që u takon në shoqëri. 

Endri Noti, organizator i protestës “Unë kam një ëndërr”

Unë kam një ëndërr, që të gjithë kafshët të jenë të barabartë. Unë kam një ëndërr, që te gjitha kafshët do të jetojnë një ditë në një vend, ku nuk do të gjykohen si pushtues por si bashkëjetues ne këtë planet. Sot unë kam një ëndërr”, shkruan Endri Noti.

Jemi mbledhur për t’i thënë stop vrasjes së qenve nga Bashkia“, vijon më tej Etleva Caushaj, një tjetër qytetare e shqetësuar për kushtet me të cilat përballen kafshët në Tiranë . Ajo tregon se qenin që mban në duar e ka gjetur dhe e pas e ka adoptuar atë.

Etleva Caushaj, pjesëmarrëse në protestën “Unë kam një ëndërr”

Qëllimi im ky është që Bashkia të sensibilizohet, mos t’i vrasë më kafshët e rrugës. Në qoftë se s’ka mundësi të kujdeset për to, mund t’i lejë siç i ka lënë deri më sot sepse jemi neve që kujdesemi për kafshët që kemi në lagje”, shpjegon për Citizens Channel Caushaj.

Edhe Terezina Frroku ka të njejtin merak. Ajo dëshiron që Bashkia të ndërmarrë politika strehuese dhe t’u garantojë kafshëve një jetë dinjitoze dhe të shëndetshme.

Unë dhe të gjithë ne që i duam kërkojmë që të sterilizohen, të vaksinohen, dhe të kthehen nëpër lagje ku janë dhe mund t’u bëjmë edhe ndonjë kolibe siç e bën gjithë bota. Këtë kërkojmë ne, mos të na i marrin, mos të na i vrasin, se për t’i ushqyer i ushqejmë vetë”, artikulon Frroku.

Terezina Frroku, pjesëmarrëse në protestën “Unë kam një ëndërr”

Ajo është e merakosur për fatin e qenushëve të vegjël, të cilët kastrohen dhe sterilizohen që në moshë të hershme.

Të vazhdojë projekti që filloi para pesë vitesh, sterilizim, vaksinim dhe kthim në habitat. Por kjo nuk është bërë prej kohësh sepse ai po na i merr, po i vret. Këlyshë të vegjel, që gjoja i marrin i kastrojnë, i sterilizojnë. Një këlysh i vogël tre muajsh, gjashtë muajsh, as nuk kastrohet, as nuk sterilizohet“, shpjegon Terezina Frroku për Citizens Channel.  

Animalistët dhe kafshëdashësit kanë protestuar edhe më herët lidhur me asimilimin e kafshëve të rrugës. Në dhjetor të vitit 2019 u mbajt një tjetër protestë para këtij institucioni dhe u kërkua trajtim më dinjitoz i tyre.

*Citizens Channel/Entenela Ndrevataj