Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Nën zgjedhën e patriarkatit; vajzat dhe gratë shqiptare privohen nga liria

“Zonja, sot e tre-katër vite rri në kasolle, pa drita, pa ujë, ngjitur me shtëpinë e ish-bashkëshortit. Ajo mban një dhomë, nuk e lëshon, nuk ka shanse ta lëshojë, nuk do ta lëshojë, pavarësisht se ne i themi ‘të lutem, duhet të ikësh nga aty, nuk është vend i mirë’. Në momentin që ne e bindim, ajo kthen përgjigje: ‘Po pastaj, ku do shkoj unë? Nuk më jep mua shteti një shtëpi përgjithmonë. Edhe bonusin e qirasë, për gjashtë muaj ma jep. Ku do shkoj unë? Fëmija më mbaron mësim në orën  11.30, ku do shkoj unë?’”

Pasazhi i mësipërm, i përcjellë nga Rezarta Agolli, juriste pranë “Shoqatës së Gruas me Probleme Sociale”, është vetëm një sekuencë e problematikave me të cilat përballet Flora*, banuese e Durrësit dhe viktimë e dhunës në familje. Ajo është vazhdimisht e kërcënuar fizikisht, pasi jeton ngjitur me shtëpinë e dhunuesit të saj. Pamundësia për të gjetur alternativa të tjera jetese, gërshetuar me mungesa të politikave strehuese, e kanë lënë atë, sot e kësaj dite, të bashkëjetojë çdo dite më frikën dhe dhunën.

Nëse i referohemi ligjit nr 22/2018 “Për strehimin social”, viktimat e dhunës në familje gëzojnë të drejtën të përfitojnë nga programet e strehimit, që përfshijnë marrjen e kredisë së butë, bonus qiraje apo banesë sociale. Por ato duhet të përmbushin kriteret e pikëzimit të vendosura nga njesia vendore dhe të konkurrojnë me aplikantë të tjerë.

Në realitet, Agolli sqaron për Citizens Channel se në Durrës, gratë viktima të dhunës në familje, nuk arrijnë t’i gëzojnë këto programe pikërisht sepse një ndër kushtet për të fituar nga këto shërbime është pasja e një pune dhe një page të paktën minimale, gjë të cilat viktimat e dhunës jo gjithmonë arrijnë ta kenë. Kësisoj, shpesh këto programe strehimi përvetësohen nga vetë punëtorët e Bashkisë.

Bashkia ka shumë procedura burokratike që ato të marrin një banesë me qira, banesë sociale apo bonusin e qirasë. Ne kemi statistika që asnjë nga gratë që kemi menaxhuar ne nuk kanë arritur të marrin një bonus qiraje. Në fakt, kur shohim listat, ne shohim se më shumë [fitues] janë punonjës të shtetit sesa gratë e dhunuara”, tregon më tej Agolli, ndërkohë që informon se sipas INSTAT, në vitin 2018, Durrësi ishte qyteti me numrin më të lartë të urdhrave të mbrojtjes në Republikën e Shqipërisë.

Agolli flet më tej për vështirësitë me të cilat i është dashur të përballet zonja Flora. Dhunuesi, që është edhe prind i fëmijës për të cilën kujdeset gruaja, heziton ta ndihmojë ish-bashkëshorten edhe në sigurimin e ushqimeve bazë për mirërritjen e fëmijës së tyre.

“Gjykata e Durrësit e dënoi me burg dhe gjykatësja e pyeste: ‘Zotëri, pse nuk i jep qumësht fëmijës?’ dhe burri përgjigjej ‘Po jo, se e pi nëna’”, kujton Agolli.

Rezarta Agolli, juriste pranë “Shoqatës së Grave me Probleme Sociale”

Juristja shpjegon se Durrësi nuk ka qendër 48 orëshe apo strehëza për viktimat e dhunës. Në raste emergjente, kur është me fëmijë, viktima hiqet nga habitati ku ushtrohet dhunë dhe dërgohet për 48 orë tek “Shtëpia e foshnjës”. Në situata të tjera, të dhunuarat e qytetit të Durrësit dërgohen tek Qendra Kombëtare e Trajtimit të Viktimave të Dhunës në Familje, e cila ndodhet në një qytet tjetër. Atje mund të qëndrojnë jo më shumë se 20 ditë.

Detyrohemi t’i çojmë gratë një ditë, kur janë me fëmije, tek “Shtëpia e foshnjës” që është skandaloze por nuk kemi ku i strehojmë ose detyrohemi t’i çojmë tek qendra kombëtare për trajtimin e dhunës. Por ajo është një për gjithë Shqipërinë”, shprehet Rezarta Agolli.  

Zhvendosja e gruas dhe fëmijëve duke gjetur hapësira të sigurta, qoftë edhe të përkohshme, konsiston në ndërrimin e mjedisit dhe largimin fizik të të dhunuarave. Kjo procedurë shoqërohet me bllokimin e procesit mësimor të fëmijës.

Psikologia e “Shoqatës së Grave me Probleme Sociale”, Aurora Kondakçiu shpjegon se largimi është i dëshiruar nga vetë fëmijët apo gruaja e dhunuar.

Duke qenë në një ambient të dhunshëm ata nuk e shikojnë më si habitat të tyrin apo si një vend ku gjejnë qetësi. Ata e shohin si shpëtim largimin nga banesa, e shohin si shpëtim nga dhunuesi, nga dhuna, nga mungesa e qetësisë, nga të gjitha këto shqetësimet”, përcjell psikologia.

Kondakçiu tregon se fëmijët kanë kriza paniku, ankth dhe depresion si rezultat i dhunës.

Fëmijët e grave që vinë tek shoqata janë të gjithë me probleme të ankthit dhe të depresionit, vetëvlerësim i ulët, kanë ndjenja faji sepse mendojnë se mbase ata janë shkak që prindërit e tyre grinden”, shpjegon ajo për Citizens Channel.

Ashtu si fëmijët, edhe gratë që vuajnë nga dhuna në marrëdhënie familjare kanë degradim të shëndetit mendor.

Kemi raste të grave që janë dhunuar për 30 vite dhe tani vuajnë nga depresioni, çrregullime ankthi, vuajnë nga atake të panikut. Këto janë tre sëmundjet kryesore që vuajnë gratë e dhunuara”, artikulon psikologia Kondakçiu.

Vajzat dhe gratë, peng i një shoqërie patriarkale

Mua nuk më ka dhunuar njeri, vetëm më ka goditur me shpullë”. Ky është perceptimi i një prej grave, e cila ka marrë ndihmë psikologjike dhe juridike tek “Shoqata e Grave me Probleme Sociale”, tregon psikologia Kondakciu.

Jo vetëm dhunë fizike, gratë dhe vajzat e asistuara vuajnë më shumë se një nga format e dhunës dhe shpesh nuk janë të vetëdijshme për këtë.

Më vjen në mendje tani një rast, bëhet fjalë për një grua e cila për shkak të lodhjes mbase ose për shkak të stresit që i shkaktonte marrëdhënia, apo marrëdhëniet e tjera familjare, nuk ishte në kushte të favorshme për të kryer marrëdhënie seksuale ose thjesht nuk donte. Është detyruar nga burri që të kryejë marrëdhënie seksuale dhe këtë nuk e quajnë abuzim por e konsiderojnë detyrim”.

Ndjenja e fajit është vazhdimisht e pranishme tek viktimat e kësisoj, dhuna justifikohet dhe pranohet.

Kemi vajza që vazhdojnë dhe mendojnë se nëse ato dhunohen, e kanë vetë fajin.  Si mund të çrrënjosim ne këtë mendim, që asnjëri prej nesh nuk ka asnjëherë faj për të marrë si dënim dhunën?”, ngre pyetjen ajo, teksa tregon se këto mendime janë mjaft të shpeshta tek adoleshentët.

Psikogia Kondakçiu arsyeton se dhuna e ushtruar edhe më herët nga anëtarët e familjes, kryesisht ndaj figurave me të cilët individi atashohet, në këtë rast nëna, u krijon vajzave dhe grave role dhe modele, ku dhuna normalizohet dhe pranohet si proces normal.

Aurora Kondakçiu, psikologe pranë “Shoqatës së Grave me Probleme Sociale”

Kemi vajza që janë rritur në familje të dhunshme dhe duke parë shembullin e nënës së tyre që është dhunuar gjatë gjithë kohës nga i ati, nuk arrin të dalë nga cikli i dhunës dhe të krijojnë marrëdhëniet e tyre. Do të thonë; vajza atashohet me nënën, ka figurën e nënës dhe nëse babai dhunon nënën dhe ajo nuk reagon, këtë gjë bën edhe ajo. Është automatike”, shprehet ajo.

Duke iu kthyer rolit që luan familja në edukimin dhe formësimin e individit, Aurora Kondakçiu tregon se familjet patriarkale nuk u krijojnë kushte për emancipim vajzave  dhe nuk u ofrojnë ndihmë atyre kur dëshirojnë të largohen nga dhuna.

Në pjesën më të madhe, gratë që janë dhunuar dhe vinë e kërkojnë ndihmë këtu, kemi të bëjmë me një familje maskiliste, që nuk e ka lejuar vajzën të arsimohet, që duhet patjetër t’i bindet burrit të saj”, vijon psikologia.

Në momentin që fillojnë të mendojnë për denoncimin, mendojnë se ku do shkojnë pasi nuk kanë një profesion, nuk kanë një shtëpi, familja e origjinës nuk i mbështet në pjesën më të madhe të rasteve. Banesë nuk kanë, punë nuk kanë, ekonomi nuk kanë dhe preferojnë të qëndrojnë aty”, përmbyll Kondakçiu.

Përmirësimet ligjore në adresimin e dhunës në familje

Ligji nr. 9669, i datës 18.12.2006 “Për masat në ndaj dhunës në marrëdhënie familjare” ka  pësuar disa ndryshime në vitin 2018:

  • Janë reformuar konceptet e mëparshme dhe është shtuar një mekanizëm i ri; urdhri i për masat paraprake të mbrojtjes së menjëhershme. Ky urdhër lëshohet për 48 orë nga policia dhe në rast se agresori shkel udhëzimet e policisë ai dënohet sepse ka shkelur ligjin.
  • Urdhri i menjëhershëm plotësohet nga Policia, lëshohet nga Gjykata dhe zgjat 20 ditë, deri në vendimin përfundimtar për ta zgjatur më tej ose për ta pushuar atë. Risia konsiston në dhënien e një ndihmese financiare prej 3000 lekësh për viktimën e cila ka marrë këtë urdhër.
  • Pas 20 ditësh, nëse kjo masë mbrojtëse zgjatet, bëhet urdhër mbrojtjeje dhe mund të shkojë deri në 1 vit. Gjatë kësaj kohe, viktimës i garantohet çdo muaj ndihmesa monetare prej 3000 lekësh në muaj.

Gjithashtu, juristja shpjegon se kanë ndryshuar disa koncepte thelbësore që do ndihmojnë të trajtohet dhuna në dimensione më të gjëra. Koncepti “familje” dhe “njësi shtëpiake” tashmë janë më të gjera dhe viktimat e dhunës në familje gëzojnë mbrojtje edhe kur dhuna u ushtrohet nga ish-partnerët apo ish-bashkëjetuesit.

Në ndryshimet ligjore tashmë “njësi shtëpiake” konsiderohet çdo mjedis i përdorur apo i përshtatur për të jetuar, pavarësisht nëse është apo jo në përdorim të familjes.

Duke ndryshuar koncepti i ‘njësisë shtëpiake’ nuk ka rëndësi nëse kjo shtëpi është me qira, nëse ti jeton tek prindërit apo nëse jeni në një shtëpi të palegalizuar”, informon Rezarta Agolli.

“Marrëdhënia intime”  është një tjetër përkufizim i shtuar tek ligji i ndryshuar.

Tek ligji i ri, ‘marrëdhëniet intime’ janë futur si koncept i ri. Kushdo që ka nga marrëdhënia intime apo një marrëdhënie intime e dikurshme, e përfunduar, mund të kërkojë urdhër mbrojtjeje”.

“Është shumë e rëndësishme fakti që kanë hyrë marrëdhëniet intime sepse edhe për gjimnazistët, për personat mbi 16 vjeç. Ne bëjmë shumë takime me shkollat  e mesme dhe ne i shikonim që kishin shumë probleme, ata nuk arrinin dot të denonconin personin i cili i ngacmonte dhe nuk ia largonte dot policia. Ndërkohë tani merr direkt urdhrin e mbrojtjes tek gjykata dhe personi nuk i afrohet më”, shtjellon Agolli.

Një psikolog për të gjitha rastet

Shqetësimi i përbashkët i psikologes dhe juristes qëndron tek mungesa e stafit që duhet të merret me trajtimin e rasteve të dhunës në familje në qytetin e Durrësit. Ato bëjnë me dije se Policia e Shtetit ka vetëm një psikologe dhe Bashkia ka vetëm një koordinatore për barazinë gjinore.

Policia ka mungesë në psikologë sepse psikolog në drejtorinë e qarkut Durrës është vetëm një për gjithë qarkun. Ka raste kur edhe gratë kanë nevojë për psikologë, jo vetëm fëmijët. Një psikolog punon vetëm 8 orë,  ai nuk mund të ndjekë një rast në ditë, jo sa raste ka policia e shtetit”, informon juristja Agolli e cila bën me dije se ky psikolog duhet të asistojë rastet e dhunës në familje dhe të miturit që janë në konflikt me ligjin.

Një tjetër aspekt shqetësues për punonjësit e “Shoqatës se Grave me Probleme Sociale” është edhe thjeshtëzimi dhe tjetërsimi i deklaratës së viktimave kur shkojnë të denoncojnë rastet e dhunës pranë Policisë së Shtetit.

Kur unë lexoj urdhrat e mbrojtjes që vinë nga policia, shikoj ngjarjet. Ngjarjet nuk janë reale siç na i thonë ne gratë. Në momentin që gruaja thotë: ‘Ndodhi në kuzhinë dhe kam dy fëmijët’, aty shkruhet: ‘Po, mua më dhunoi’. Në fakt fëmijët janë aty, nuk janë pyetur fare. Sepse po të thonë se ka ndodhur dhuna në sy të fëmijëve, automatikisht duhet të fillojë ndjekja penale… është një punë shumë e madhe për policinë”, shpjegon Rezarta Agolli për Citizens Channel.

Agresorët, vijon psikologia, kryesisht kanë probleme të shumta varësie lidhur me alkoolin apo bixhozin, e për këtë arsye ajo e shikon të nevojshme ngritjen e qendrave rehabilituese për vetë ushtruesit e dhunës.

Qëllimi kryesor nuk është dënimi i burrave por është rehabilitimi dhe mbrojtja e familjes. Durrësi nuk ka program rehabilitues për dhunuesit. A mundet që Gjykata e Durrësit, në një vendim të tij, të detyrojë dhunuesin të shkojë në Tiranë apo Shkodër dhe të ndjekë programe rehabilituese?”, përfundon Aurora Kondakçiu.

*Emri i viktimës së dhunës në familje është ndryshuar për të mbrojtur identitetin e saj

*Citizens Channel/Entenela Ndrevataj

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *