Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Çfarë është koronavirusi dhe sa të shqetësuar duhet të jemi?

Përkthyer nga The Guardian

Cili virus po e shkakton sëmundjen në Wuhan?

Është një koronavirus i ri- anëtar i familjes së koronavirusëve që nuk është hasur kurrë më parë. Ashtu sikurse koronaviruset e tjera, ka ardhur nga kafshët. Shumë nga të infektuarit punonin ose blinin shpesh në tregun e shumicës “Huanan” ku shiten prodhime deti, që ndodhet në qendër të qytetit kinez, dyqan i cili gjithashtu shiste kafshë të gjalla apo të therura. Viruset e reja dhe shqetësuese zakonisht e kanë origjinën nga kafshët. Ebola dhe gripi janë shembuj të tjerë.

Çfarë koronavirusësh të tjerë ka pasur?

Sindroma e rëndë akute e frymëmarrjes (Severe acute respiratory syndrome- SARS) dhe sindroma e frymëmarrjes së Lindjes së Mesme (Middle Eastern respiratory syndrome- MERS) janë të dyja të shkaktuara nga koronaviruset që vijnë nga kafshët. Megjithëse sindroma e rëndë akute e frymëmarrjes besohet se u është transmetuar njerëzve nga dromedarët (deve Arabe), mbartësit origjinale për të dy koronaviruset ndoshta ishin lakuriqët e natës. Në vitin 2002, sindroma e rëndë akute e frymëmarrjes u përhap në formë të pakontrolluar në gati 37 vende, duke shkaktuar panik global dhe duke infektuar më shumë se 8,000 njerëz e duke vrarë më shumë se 750.

Sindroma e frymëmarrjes së Lindjes së Mesme duket se nuk kalon lehtësisht nga njeriu në njeri, por ka shkaktuar vdekshmëri më të madhe, duke vrarë 35% të rreth 2.500 njerëzve të cilët u infektuan.

Cilat janë simptomat e shkaktuara nga koronavirusi i Wuhan-it?

Virusi shkakton pneumoni. Ata që janë sëmurur raportohet se vuajnë nga kolla, ethe dhe vështirësi në frymëmarrje. Në raste të rënda mund të ketë mosfunksionim të organeve. Meqenëse kjo është pneumoni e shkaktuar nga virusi, antibiotikët nuk janë të dobishëm. Ilaçet antivirale që kemi kundër gripit nuk do të funksionojnë. Nëse njerëzit shtrohen në spital, ata mund të marrin trajtim për mushkëritë apo organet e tjera, si dhe për lëngjet trupore. Shërimi do të varet nga forca e sistemit të tyre imunitar. Shumë prej atyre që kanë vdekur tashmë ishin në gjendje të dobët shëndetësore.

A po transmetohet virusi nga një person tek tjetri?

Transmetimi nga njeriu tek njeriu është konfirmuar nga komisioni kombëtar i shëndetësisë së Kinës. Që nga 30 janari, numri i të vdekurve në Kinë shënon 170, me më shumë se 7.500 raste të konfirmuara të infeksioneve. Në javën e shkuar, numri i infeksioneve të konfirmuara është më shumë se trefishuar dhe raste të tjera janë zbuluar në 13 provinca, si dhe në komunat e Pekinit, Shanghai-t, Chongqing-t dhe Tianjin-t. Virusi është konfirmuar edhe jashtë kontinentit të Kinës, në Hong Kong, Macau, Tajvan, dhe në Japoni, Nepal, Singapor, Korenë e Jugut, Tajlandë, Amerikë dhe Vietnam. Dy anëtarë të një familje janë konfirmuar se kanë virusin në Angli, pasi më shumë se 160 persona u testuan dhe rezultuan negativë. Numri aktual i të prekurve nga virusi mund të jetë shumë më i lartë pasi njerëzit me simptoma të lehta mund të mos jenë zbuluar. Ekspertë të Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSH) sugjeruan në Imperial College London se mund të ketë deri në 100.000 raste, duke vendosur kufij të paqartë midis shifrës 30,000 dhe 200,000.

Sa të shqetësuar janë ekspertët?

Ekzistonte frika se koronavirusi mund të përhapej më gjerësisht gjatë pushimeve javore të Vitit të Ri, i cili filloi më 24 janar, kur miliona kinezë kthehen në shtëpi për të festuar. Festimet kryesisht janë anuluar dhe Wuhan apo qytetet e tjera kineze në provincën e Hubeit janë në izolim. Për momentin, duket se njerëzit me shëndet të dobët janë në rrezik më të madh, siç ndodh gjithmonë me gripin. Një shqetësim kryesor është sfera e ashpërsisë së simptomave – disa njerëz duket se vuajnë vetëm nga simptoma të buta, ndërsa të tjerët janë sëmurur rëndë. Kjo e bën më të vështirë përcaktimin e numrit të vërtetë të personave të infektuar dhe shtrirjen e transmetimit. Por autoritetet janë të prirur ta ndalojnë përhapjen e shqetësimit nëse virusi mund të bëhet më i fuqishëm se ç’duket deri tani.

A duhet të shkoj te mjeku nëse kam kollë?

Nëse nuk keni udhëtuar së fundmi në Kinë ose keni qenë në kontakt me dikë të infektuar nga virusi, atëherë duhet të trajtoni çdo kollë ose simptomë si normale. Shërbimi Kombëtar i Shëndetësisë në Angli (National Health Service) këshillon se në përgjithësi nuk ka nevojë të vizitoni mjekun për një kollë përveç nëse është e vazhdueshme ose nëse keni simptoma të tjera si dhimbje në gjoks, vështirësi në frymëmarrje ose nuk ndjeheni mirë.

Pse koronavirusi është më i keq se gripi normal?

Ne ende nuk e dimë se sa i rrezikshëm është koronavirusi i ri dhe ne nuk do ta dimë derisa të kemi më shumë të dhëna. 170 vdekjet nga rreth 7.700 raste të raportuara do të thotë se shkalla e vdekshmërisë është rreth 2%. Sidoqoftë, kjo ka të ngjarë të jetë një mbivlerësim pasi shumë më shumë njerëz mund  të jenë infektuar nga virusi por nuk kanë pasur simptoma aq të forta sa për t’u shtruar në spital dhe kështu që nuk janë llogaritur. Për krahasim, gripi sezonal zakonisht ka një shkallë të vdekshmërisë nën 1% dhe mendohet se shkakton, në nivel global, rreth 400,000 vdekje çdo vit. Sindroma e rëndë akute e frymëmarrjes kishte një normë vdekjeje më shumë se 10%. Një tjetër aspekt kyç por i panjohur, nga i cili shkencëtarët duhet të krijojnë një ide më të qartë në javët në vijim, është se sa ngjitëse është koronavirusi. Një ndryshim thelbësor është se ndryshe nga gripi, nuk ka vaksinë për koronavirusin e ri, që do të thotë se është më e vështirë për anëtarët vulnerabël të popullatës – të moshuarit apo ata me probleme ekzistuese të frymëmarrjes dhe imunitetit – ta mbrojnë veten e tyre. Larja e duarve dhe shmangia e njerëzve të tjerë nëse nuk ndjeheni mirë janë të rëndësishme. Një hap i arsyeshëm është marrja e vaksinës kundër gripit, e cila do ua lehtësojë barrën shërbimeve shëndetësore nëse shpërthimi kthehet në një epidemi më të gjerë.

A duhet të shqetësohemi?

Jo. Përhapja e virusit jashtë Kinës është shqetësuese por jo një zhvillim i papritur. Kjo rrit gjasat që OBSH-ja ta deklarojë shpërthimin një emergjencë shëndetësore publike të rangut ndërkombëtar. Çështjet kryesore janë sa i transmetueshëm është koronavirusi i ri midis njerëzve dhe në cilin moment duhet të shkojnë ata në spital. Shpesh viruset që përhapen lehtë priren të kenë një ndikim më të zbutur.

Punonjësit e kujdesit shëndetësor mund të rrezikohen nëse papritur hasin dikë me probleme të frymëmarrjes, i cili ka udhëtuar në një rajon të prekur. Në përgjithësi, koronavirusi duket se po godet më së shumti njerëzit e moshuar, dhe në pak raste fëmijë.

*Citizens Channel/E.N/

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *