Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Konsumatorët të pambrojtur kundrejt shtrenjtimit të çmimit të drurëve të zjarrit në Librazhd

Autor: Arlis Alikaj

Librazhdi është një qytet i vogël në Shqipërinë e mesme ku zakonisht dimri është i ashpër dhe bën shumë ftohtë. I rrethuar nga malet dhe me klimën që zbutet nga lumi Shkumbin. Për shumë prej familjeve të zonës, që janë tipikisht të mëdha në numër, drutë e zjarrit janë e vetmja mënyrë ngrohje për të përballuar temperaturat e ulëta.

Por ngrohja vjen me një kosto që shpesh është e vështirë të përballohet. Banorët ngrenë shqetësimin se e kanë të pamundur të blejnë drutë, pasi çmimet janë rritur.

Një metër kub dru kushton deri në 45 mijë lekë, gati një mijë lekë më shumë se një vit më parë. Teksa kërkesa është e madhe, në përfundim të sezonit çmimi drurëve shkon edhe në 50 mijë lekë akoma dhe më shumë për ato të thata. Nga shqetësimet e pothuajse çdo konsumatori që takon në rrugë duket që ky treg është i parregulluar.

Vaibe Bylykbashi- është një shtëpiake e papunë 57 vjeçe e cila trajtohet me ndihmë ekonomike prej 12 mijë lekë të vjetra në muaj. Ajo thotë që këtë vit nuk i ka blerë drutë. 45 mijë lekë të vjetra metri/kub plus transporti kjo shumë shkon deri në 60 mijë lekë. Plus ngjitja deri në katin e pestë. Të ngrohësh me dru është kthyer në një luks. Megjithëse ajo si amvisë ngrohjen me dru e ka të nevojshme pasi gatuan dhe kursen para. Vaibeja tregon se vuan nga astma bronkiale dhe ngrohja natyrale me dru zjarri është e nevojshme për shëndetin e saj sipas mjekut.

Po ashtu edhe Kastrioti (foto në të majtë) invalid nga qyteti Librazhdit, tregon se është futur në borxh për të blerë drutë e zjarrit. “Pa dru nuk rrihet e nuk i dilet mbanë dimrit të gjatë”, shprehet ai.

Duket se  të ardhurat për kategorinë e të papunëve, pensionistëve apo dhe personave që trajtohen me ndihmë ekonomike janë të pamjaftueshme për të përballuar blerjen. Ata ndihen të suprimuar nga çmimi që ndryshon vit për vit.

Banorët që ndodhen në këto vështirësi kërkojnë nga bashkia që lënda drusore e sekuestruar dhe që shpesh përfundon e kalbur në pyje të shpërndahet për ta me gjysme çmimi. Nënkryetari i Bashkisë Librazhd, Andri Çota në një interviste të dhënë pak kohë më parë për Ora News: tha se kjo është e pamundur për shkak të procedurave që kërkojnë shumë kohë:

“Kemi goxha material drusor që është sekuestruar, por nuk e përdorim. Një mënyrë do ishte shpërndarja e familjeve që janë në nevojë”.

Ulja drastike e temperaturave dhe afrimi i stinës së dimrit duket se përbën shqetësim në rritjen e çmimit të drurëve pothuajse në mbarë vendin. Kjo situatë e gjen konsumatorin shqiptar të pambrojtur.

Nga bisedat me qytetarët vihet re i njëjti shqetësim. Disa gra në qytetin e Librazhdit tregojnë se çdo ditë iu duhet të përballen me çmime në rritje.

“Gjithçka është shumë konfuze, Librazhdi është bërë harta-harta me çmime të ndryshme dhe të shtrenjta… Ndonjëherë shitësi mendohet dhe thotë hajde nesër se kush e di çfarë mendje do e gjejë. Kush i kontrollon këta dhe a ka një rregullator që rregullon tregun? Drutë përveçse për ngrohje i përdorja dhe për gatim, por tani duket se kjo lloj ngrohje nuk është më për ne.. të varfrit’’, u shpreh një prej të intervistuarave.

Periudha e dimrit ka hyrë dhe parashikimet tregojnë se vendin e pret edhe një tjetër valë e të ftohtit, e cila druhet se do të sjellë  probleme ekzistenciale për qytetarët e Shqipërisë. Pikërisht në kohën kur ata kanë më shumë nevojë, mundësitë për ngrohje bëhen më të vështira.

Në zonat e thella, temperaturat janë ulur ndjeshëm. Banorët janë të shqetësuar për sasinë e paktë të druve të zjarrit dhe për çmimin e lartë të tyre.

Edhe shitësit të pakënaqur

“Këto dru nuk po ecin edhe shumë.  Që nga mëngjesi i djeshëm vetëm dy kamion kam shitur gjithsej’’ shprehet një shitës i cili preferon të mbetet anonim. Ndonëse bora ka mbuluar çatitë e shtëpive e ka bllokuar rrugët, qytetarët sot janë interesuar shumë pak për blerjen e tyre. As shitësit nuk janë shumë të kënaqur më këtë shitje. Një shitës në Librazhd, thotë se për dallim nga vitet tjera, këtë vit nuk kanë pasur kënaqshëm shitje. Më tej ai konfirmon se qytetarët nuk kanë para për të blerë drutë e stinës dhe kërkojnë të parapaguajnë ose lenë kapar në masën e çmimit të vjetër. Pjesa tjetër borxh.

Prej shumë vitesh kjo ka qenë alternativa e parë e ngrohjes në këtë qytet. Qytetarë të shumtë shprehen se ngrohja me dru është  shumë ekonomike. Gjithashtu nga interesimi jonë nëpër dyqane industriale, numri sobave me dru të shituara pëson rritje nga viti në vit. Megjithëse Librazhdi ka shumë burime dhe ekonomi pyjore për të cilat furnizojnë me dru qytetin por jo vetëm, tregu mbetet informal dhe banorët gjenden sot përballë faktit të çmimeve të larta dhe që vendosen sipas preferencave të shitësve pa marr parasysh nivelin e jetesës së zonës.

*Ky artikull është realizuar në kuadër të projektit"Siguria e konsumatorit në lidhje me produktet joushqimore" zbatuar nga Qendra "Konsumatori shqiptar"

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *