Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë ka pritur sot kërkesë-padinë e nëntë banorëve të Matit, të cilët kërkojnë që të anulohen lejet për ndërtimin e HEC-eve në lumin Urakë ne Zajs dhe Zall-Gjoçaj.

Sipas banorëve, plani konsiston në devijimin e rrjedhës natyrale, marrjen e ujit te lumit Flim që ndodhet në fshatin Zall-Gjoçaj dhe bashkimi i tij me lumin Urakë, nëpërmjet tubacioneve dhe tuneleve.

Në datën 31 tetor, 2018, në mbështetje të ligjit 81/2017 “Për zonat e mbrojtura”, Këshilli i Ministrave vendosi që Parku Kombëtar Lurë të bashkohet me Parkun Kombëtar “Zall-Gjoçaj” dhe u formuar Parku Kombëtar “Lurë-Mali i Dejës”, ku po kryhen punime edhe pse gëzon mbrojtje të veçantë nga ligji.

Seanca e parë gjyqësore nuk u krye pasi firma kontraktuese “Seka Hydropower Sh.p.k” ka ndryshuar adresë dhe nuk e ka marrë padinë, ndaj zhvillimi i gjyqit u shty në datën 18 të këtij muaji.

Në cilësinë e palëve të paditura pranë gjykatës u  thirrën edhe institucione të tjera, si: Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Këshilli i Basenit Ujor Mat, Këshilli Kombëtar i Territorit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Bashkia Mat.

Avokatja mbrojtëse e banorëve, Dorina Ndreka, tregon se me lejen e dhënë, janë bërë shumë shkelje të dispozitave ligjore.

Aktualisht aty po veprohet në një zonë të mbrojtur. Ka shumë shkelje po kjo është kryesorja. Kryesorja është ndërtimi në zonë të mbrojtur. E ndalon kategorikisht ligji“, shpjegon Ndreka për Citizens Channel.

Çështja e deklaratës mjedisore ka probleme me konsultimin me publikun. Diku tek 11 veta që ishin pjesëmarrës nuk janë banorë. Ne kemi marrë vërtetim nga njësia administrative e zonës që nuk janë banorë aty. Kanë qenë dikur por kanë 20 vjet që kanë ikur që andej. Ne këto ia kemi çuar gjykatës, me provë“, informon më tej avokatja.

Dorina Ndreka, avokate

Para Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë u mblodhën banorë të Matit të cilët prej katër muajsh kanë kundërshtuar ndërtimin e HEC-eve, duke i konsideruar ato të paligjshme dhe shkatërrimtare për ekosistemin dhe për vetë jetesën e tyre në ato zona.

 

Ata kanë ngritur çadrën e rezistencës dhe janë ngujuar atje. Abdi Toçi tregon se vijon organizimi i banorëve dhe secili fshat i zonës së Matit ka disa përfaqësues, ku shkojnë e qëndrojnë me turne tek ajo çadër.

Çadra vazhdon, me turne, me fshatra. Për shembull, tek fshati im e kam ditën e caktume edhe shkoj. Ne shkojmë atje pesë-gjashtë vetë një natë, dy net, sipas turneve. 11 fshatra kanë ditën e vet të caktume edhe shkojnë atje“, shprehet Abdi Toçi per Citizens Channel.

Ai bën me dije se do vijojnë të organizohen më tej në mbrojtje të lumenjve.

Ne tani do bëjmë dhe veprime të tjera, do bëjmë protestë tjetër, edhe ne do vazhdojmë me protesta paqësore. Do mundohemi me të gjitha mjetet që ajo pronë [lumi] mos të devijohet. Banorët janë shumë të indinjuar për atë ujë. Uji i pijshëm asnjëherë nuk bahet për hidrocentrale, edhe zona e mbrojtur nuk preket. Unë nuk e di se ça veprimesh bëjnë këta“, tregon Abdi Toçi.  

Abdi Toçi, banor i Matit

Shqetësimi i tij është i artikuluar edhe ligjërisht.  Avokatja Ndreka bën me dije se është shkelje ligjore marrja e një sasie kaq të madhe uji, i cili përdoret për t’u pirë, për bagëtitë dhe për vaditje.

Nuk mund të merret një sasi kaq e madhe. Materiali tokësor që është këtu nuk jep mundësinë që të furnizohen [njerëzit] me ujëra nëntokësorë. E vetmja mundësi që të sigurohen banorët me ujë është nëpërmjet ujërave mbitokësorë“, informon Dorina Ndreka.

Dhimitër Koleci, një tjetër qytetar i Matit tregon se padia është nisur sepse lejimi i punimeve në ato zona është në kundërshtim me ligjin, pasi nuk është marrë dakordësia e vetë banorëve rezidentë të Matit.

Ndryshon nga vendet e tjera problemi jonë. Atje nuk po nderohet një HEC, aty merret uji me tuba, me tunele, devijohet tërësisht nga rrjedha e vet, dhe 22 km të lumit ngelen  pa pikën e ujit. 97% e ujit futet në tuba. Është shumë e rëndë“, rrëfen Koleci për Citizens Channel.

Dhimitër Koleci, banor i Matit

Mbështetur në materialet dhe bazën ligjore lidhur me HEC-et e miratuara në lumin Sekë dhe Zajs, avokatja Ndreka shpjegon se është e vështirë që kërkesat e banorëve të hidhen poshtë nga Gjykata.

Unë jam shumë e sinqertë këtu, në qoftë se Gjykata e rrëzon këtë kërkesë-padi, atëherë Gjykata nuk është e paanshme. Këtu nuk jam subjektive“, përmbyll Ndreka.

*Citizens Channel/Entenela Ndrevataj 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu