Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Shtyrja e seancave bashkon sërish matjanët në protestë: “Populli i kësaj zone duhet detyrimisht të mobilizohet”

Ditën e diel, matjanë dhe aktivistë, të shqetësuar për fatin e mjedisit pas lejeve të dhëna për t’u ndërtuar hidrocentrale në lumin Urakë në Zais dhe Flim në Zall-Gjoçaj, organizuan protestën e radhës për të kundërshtuar atë çfarë ata quajnë masakër mjedisore.

Nëntë banorë të Matit kanë hedhur në gjyq institucionet shtetërore si Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencinë Kombëtare të Mjedisit, Këshillin e Basenit Ujor Mat, Këshillin Kombëtar të Territorit, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkinë Mat dhe kompaninë ndërtuese “Seka Hydropower Sh.p.k” për dhënie të lejes në kundërshtim me ligjin.

Dy seancat e para gjyqësore pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë janë shtyrë pasi kompania fituese nuk u paraqit.

Të irrituar nga shtyrja e vazhdueshme e seancave dhe të shqetësuar nga përparimi i punimeve, ata i bënë thirrje instancave shtetërore që të pezullojnë punimet deri sa gjykata të japë vendimin.

Protestuesit u mblodhën fillimisht tek lagjja Lami i Madh, ku morën fjalën disa prej banorëve dhe qytetarëve të pranishëm dhe më pas u drejtuar kah çadrës së rezistencës në Zall-Gjoçaj, të ngritur katër muaj më parë. Makineritë e punimit janë pozicionuar disa metra larg kësaj çadre por nuk janë vënë ende në punë.

Uji në tuba, dënim për njerëzit dhe gjallesat

Urim Pasha, banor i Matit, teksa kërkoi falje për emocionet, mori fjalën dhe recitoi poezinë  “Gomari i Babatasit” të Gjergj Fishtës, si formë për të shprehur revoltën e tij lidhur me ndërtimet që prekin lumenjtë e zonës.

Ju rrugaça e sallahana
vagabonda, shakllabana,
rriqna t’ndyet, mikrobe të kqij
q’i të mjerës ksaj Shqypni
thellë hi i keni në mushkni
pa dhimbë gjakun tuj ia pi,
por der kur, bre batakçi!
Bre coftina, kalbë mbi dhè
der kur ju, t’u tallë npër ne,
do t’na qelbni fis e atdhè

Zemërata dhe pakënaqësia u ndje edhe tek banorët e tjerë, teksa përmenden ndikimet negative e afatgjata të këtyre HEC-eve në jetën e njerëzve dhe të gjallesave të tjera.

Ne duhet t’i themi ndal kësaj masakre që po i bëhet këtij vendi. Njëkohësisht, vendi ku merret uji është edhe Park Kombëtar, me vendim qeverie. Nga ana tjetër, devijohen dy lumenj nga rrjedha natyrale. Atje ku buron uji në Zall-Gjoçaj, merret në tuba me anën e këtyre tuneleve dhe shkon e del në Mirditë. Pra, nga rrjedha natyrale ndryshohet 25 kilometra. Në rrjedhën e këtyre lumenjve sot pinë ujë me shekuj mbi 10.000 bagëti, 5000 bletë, plus qenie të tjera të gjalla, plus kafshë të egra, shpjegon Mustafa Tola.

Të njëjtin shqetësim ndan edhe Nezis Stefhasani, banor i Dukagjinit, i cili solidarizohet me protestuesit e Matit. Ai sqaron se marrja e ujit nënkupton vdekjen e të gjitha gjallesave të asaj zone.

Jo vetëm njerëzit që janë kryesorë, por edhe zogjtë e pjellës nuk kanë jetë më këtu. Absolutisht, as ujku, as arusha, as qeni, as macja, as pula nuk mund të jetojë ma këtu. S’ka, se do futet uji këtu në vrimë të çelësit dhe do shkojë të dalë në Mirditë. S’mbetet pika këtu ma, asnjë pikë nuk ka“, shprehet Stefhasani për Citizens Channel. Ai beson se zgjidhja e vetme është bashkimi dhe mobilizimi i të gjithë banorëve.

Pa ujë nuk ka jetë. Pa drita edhe mund të jetosh, pa ujë në asnjë mënyrë. Uji, gjumi, buka janë kryesore për njeriun. Populli i kësaj zone duhet detyrimisht të mobilizohet, jo kaq, po edhe gratë, e fëmijët të vijnë në protesta. Kanë më se të drejtë. Ta marrësh ujin në kufi me Lurën e ta çosh në Mirditë, kjo është fatkeqësi“.

Matjanët shprehen të zhgënjyer nga zvarritja e seancave gjyqësore dhe ndjehen të pambrojtur nga institucionet.

Kjo kompani po shkatërron vendin. Ujë nuk do të ketë nesër-pasnesër sepse hyn në tuba. Ne po e hedhim në gjyq përditë këtë kompani dhe nuk po na jep të drejtë”, artikulon Agron Xhokola për Citizens Channel.

Nuk na mbron asnjë gjë. Jena të pambrojtur. Shkojmë në gjyq, gjyqi nuk na… anulime çdo ditë. Këto tunele që po hapen këtu na shkatërrojnë edhe nga uji nëntokësor edhe nga uji në sipërfaqe“, përfundon Xhokola.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *