Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Intervistë me Shotën: “Zgjidhja qëndron te solidariteti, rezistenca dhe organizimi”

Shota është pseudonimi i një gruaje të re, e cila ka zgjedhur grafitin si një nga mënyrat për të dhënë mesazhe feministe. Në aksionet e ndërmarra, ajo i ka mbushur rrugët e Tiranës me slogane të atilla, të cilat sfidojnë normat gjinore dhe japin mesazhe fuqizuese ndaj vajzave dhe grave.

Cili ishte qëllimi pas aksionit me grafiti “Babi, mos e vrit mamin”?

Qëllimi ishte tërheqja e vëmendjes ndaj fenomenit të dhunës me bazë gjinore në Shqipëri. Vrasja shkatërron shumë jetë, përtej atyre që merr. Një pjesë e konsiderueshme e grave të vrara qëllon të jenë edhe nëna e jo rrallëherë, krimi ndodh në sy të fëmijëve, një traumë kjo që i shoqëron ata përjetë. Britmat rrëqethëse të së bijës së Hajdije Tosunit e cila u vra dy ditë më parë nga bashkëshorti i saj, lanë gjurmë te shumëkush prej nesh.

Kur një burrë vret një grua, ai i vjedh asaj jetën, ndërsa fëmijëve nënën e babain, mirëqenien emocionale dhe mendore. Ai u vjedh atyre fëmijërinë, rininë, një jetë normale e të shëndetshme. Ai e zhvoshk komunitetin e shoqërinë mbarë nga njerëzorja dhe vetveten e redukton në shtazë, pa kurrfarë rrugëdaljeje veç izolimit.

Dhuna është ciklike e ndërkaq, intensiteti i saj në një hapësirë kaq të vogëlth sa shoqëria ku bëjmë pjesë, tronditës.

“Babi, mos e vrit mamin!”, është një apel publik ndaj një fenomeni që shkakton dhimbje e revoltë; është perspektiva ndaj një realiteti ndryshe ku frika, pasiguritë dhe ankthi tkurren e zhbëhen nëpërmjet komunikimit konstruktiv, jo shkrehjes së plumbave.

Në vetëm dy muajt e parë të vitit janë vrarë shtatë gra në Shqipëri. Si do e komentonit ju fenomenin e dhunës me bazë gjinore? Cilat janë sipas jush mënyrat që mund të luftohet ky fenomen?

Rrënja e problemit është një sistem socio-ekonomik i atillë i cili e ushqen patriarkalizmin dhe i kontribuon në vazhdimësi padrejtësisë dhe pabarazisë. Si mundet një grua e cila punon me orare të tejzgjatura, paguhet pak dhe trajtohet keq, t’i shpëtojë kthetrave të dhunës kur paga e saj mujore nuk i mbulon nevojat më bazike, lëre më t’i garantojë çlirim shoqëror dhe emancipim?

Fytyra më e ashpër e dhunës është ajo sistemike e cila gratë i trajton si qytetare të dorës së dytë dhe i shtyp ato në punë skllavëruese, si punëtore e gjithashtu për shkak të identitetit gjinor me të gjitha nënshtresat që ky identitet mund të mbartë në vetvete (gra heteroseksuale, biseksuale, lesbike, trans, etj.). Afërmendsh, ky realitet bëhet akoma më i ashpër nëse këto gra qëllon të përkasin gjithashtu në “etninë e gabuar”, të jenë për shembull, pjesëtare të komunitet rom dhe egjiptian.

Zgjidhja qëndron te solidariteti me njëra-tjetrën, rezistenca e vazhdueshme dhe organizimi. Gjithashtu, është me rëndësi të kuptohet se çështja gjinore është çështje e të gjithë shoqërisë, jo vetëm e disave prej nesh prandaj, kauza ka nevojë për të gjitha gratë dhe burrat e ndërgjegjshëm të shoqërisë sonë, ku të dytët kontribuojnë si aleatë në një përpjekje historike të përbashkët.

A keni ndërmarrë aksione të tjera të ngjashme që adresojnë dhunën kundër vajzave dhe grave?

Po. Kjo iniciativë ka lindur vetvetiu dhe nxitja për çdo parullë, shprehje apo thirrje në muret e qytetit e ka zanafillën te revolta e përbrendësuar që veçse një realitet kaq i çartur mund të shkaktojë.

Disa ditë më parë, hasa në bisedën e disa grave në një kafene, ku njëra prej tyre po ankohej me zë të lartë, e mërzitur me një mikeshë të përbashkët që s’kishte pranuar t’u bashkohej pasi “nuk i kishte marrë leje bashkëshortit” për këtë takim mes shoqesh. Ky fragment pati tejet ndikim tek unë! E pashë të arsyeshme që t’i komunikoja grave të qytetit tim e kujtdo që shkel nëpër këto rrugë se gruaja nuk është pronë. Ajo është një njeri me të drejta dhe liri të barabarta me burrin. Gruaja s’ka pse t’i kërkojë leje burrit, jo thjesht e vetëm për të takuar shoqet apo shokët e saj, por për asgjë tjetër. Gruaja meriton respekt dhe dashuri, jo një gjendje të përhershme dhune.

Mbishkrimi dhe fotografia janë realizuar nga Shota

Ndërkaq, një ditë tjetër, vendosa të shkruaja se “Burrat qajnë dhe një gjë e tillë është krejt në rregull”, duke pasur parasysh se në shoqëri si tonat, burrat mbruhen me idenë se shprehja e ndjenjave, qarja veçanërisht, është “dobësi” apo “mungesë burrërie” për “burrërinë” si një koncept toksik të lidhur drejtpërdrejtë me tëhuajësimin e djalit / burrit nga njerëzorja dhe përqafimin e dhunës si shprehje “fisnikërie”, “guximi” dhe “force” apo “pushteti”. T’i manifestosh ndjenjat, trishtimin apo gëzimin, dashurinë e dhembshurinë; të përlotesh lirisht, jo vetëm që është njëmend e guximshme por gjithashtu, e shëndetshme.

Cili është mesazhi juaj drejtuar vajzave dhe grave këtë 8 mars?

 Jo vetëm për 8 mars, por për çdo ditë të vitit, meritojmë t’i japim zë nevojave, dëshirave, kënaqësisë dhe lirisë së panegociueshme tonës. Ku ka shtypje ka revoltë e ku ka revoltë, ka shpresë. Dhimbjen do ta shndërrojmë bashkërisht në forcë dhe me inteligjencë, trimëri e durim; me besimin dhe mbështetjen te njëra-tjetra, do të hedhim themelet për shoqërinë e drejtë, atë në të cilën do të ketë vend për të gjithë, pavarësisht gjinisë, besimit, etnisë dhe të gjitha diferencave që na e pasurojnë jetën.

 Kush qëndron pas “Shotës” dhe pse keni zgjedhur të identifikoheni me këtë emër?

Pas Shotës qëndron një grua e re së cilës i ka ardhur në majë të hundës me një realitet ku dhuna është e normalizuar dhe vazhdimisht na ofrohet si spektakël. Unë kërkoj ta përmbys këtë realitet dhe së bashku me shoqe dhe shokë përsëmbari, t’i bëjmë vend një realiteti dhe botëkuptimi të ri, atij ku mbizotëron drejtësia sociale dhe barazia.

E pagëzova veten me emrin “Shota”, pasi më ka intriguar kahera figura e Shote Galicës, veçanërisht kur e hasa për herë të parë në një fotografi të viteve ‘20 të Kel Marubit. Padyshim, Shotën nuk mund ta trajtojmë jashtë kontekstit historik dhe shoqëror të kohës në të cilin përkiti e ndoshta, pikërisht për këtë arsye, refuzimi i Kanunit dhe kodeve të tjera shoqërore dhe fetare të periudhës në të cilën jetoi, e bëjnë atë në sytë e mi një grua së cilës ia admiroj guximin. Nga ana tjetër, “Shota” më ndërmend fjalën anglisht “shoot” që ka kuptimin e të qëlluarit me armë. Marrë parasysh vrasjet e njëpasnjëshme të grave në Shqipëri, ky përqafim i këtij pseudonimi kontroversial, pati një efekt fuqizues tek unë teksa zgjodha t’i jap një kuptim ndryshe, krejt të pavarur dhe të ri, atë të angazhimit në beteja paqësore ku në vend të armëve përdorim mendimin kritik dhe “armikun” e mposhtim me inteligjencë, jo forcë.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *