Akti normativ nr 1, “Masat parandaluese në kuadër të forcimit të luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe konsolidimit të rendit dhe sigurisë publike”, njohur ndryshe edhe si paketa ligjore “ANTI-KÇK”, i hyrë në fuqi në datë 31 janar, 2020 është kundërshtuar nga një numër organizatash të shoqërisë civile.

Ky akt normativ ka si qëllim të luftojë grupet e strukturuara kriminale, organizatat terroriste, bandat e armatosura, personat e përfshirë në krime të rënda si dhe përcakton procedurat, kompetencat dhe kriteret për zbatimin e këtyre masave.

Me anë të një deklarate për shtyp, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, me nënshkrimin e  24 organizatave të shoqërisë civile, kanë shprehur kundërshtitë e tyre.

Në përsëritje të qëndrimeve të mëparshme, deklarata e ditës së sotme  thekson se një akt normativ i tillë, cenon të drejtat dhe liritë themelore të njeriut si dhe bie ndesh me parime të rëndësishme që qëndrojnë në themel të shtetit të së drejtës, përcaktuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.

Sipas organizatave të shoqërisë civili, akti normativ i miratuar:

  • Anashkalon kuadrin kushtetues të vendit
  • Cenon parimin e ndarjes dhe balancimin e pushteteve
  • Cenon të drejtat dhe liritë themelore të njeriut duke përfshirë lëvizjen e lirë dhe të drejtën për një proces gjyqësor
  • Dobëson pavarësinë ligjore dhe efektive të Prokurorisë
  • Akti mbingarkon Strukturën e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) dhe Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe krimit të organizuar me kompetenca në tejkalim të atyre kushtetuese

Organizatat në mbrojtje të të drejtave të njeriut  kanë bërë thirrje edhe më herët që të jenë pjesë e konsultimeve me palët e e interesit, kërkesë e cila nuk është realizuar.

Në deklaratën e datës 9 dhjetor, Komiteti Shqiptar i Helsinkit së bashku me organizata të tjera të shoqërisë civile, theksuan se kërkojnë transparencë, konsultim gjithëpërfshirës dhe respektim të Kushtetutës dhe Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut për paketën “ANTI-KÇK”. Kundrejt thirrjeve të përsëritura për gjithëpërfshirje, paketa ligjore u miratuar pa një procedurë të tillë.

Akti normativ pritet të shqyrtohet nesër gjatë seancës plenare në Kuvendin e Shqipërisë. Organizatat e shoqërisë civile kanë përgatitur një oponencë ligjore për shkeljet kryesore në këtë paketë ligjore.

 

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu