30 dhjetor 2019: Foto gjatë protestës së aktivistëve para Bashkisë Tiranë

Që prej shtatorit të vitit 2019, kur u mbyll tenderi për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar, Bashkia e Tiranës nuk dha asnjë informacion për transparencën e kësaj procedure.

Pesë muaj më vonë, me anë të një postimi në Facebook, kryetari i Bashkisë Erion Veliaj deklaroi se Teatri Kombëtar nuk do të ndërtohej me parneritet publik-privat (PPP), por me fondet për të cilat Bashkia do i kërkojë ndihmë Qeverisë Shqiptare.

Veliaj e argumenton këtë ndryshim të papritur, si një nevojë e lindur nga kërkesa teknike të “artistëve jo-militantë” dhe urgjencës për të pasur Teatër. Deklaratë që u interpretua si një kthesë prej 180 gradë nga qëndrimet e mbajtura më parë.

Në njoftimin në faqen zyrtare Bashkia nuk bëri publike se kush ishte kompania private e cila ishte ofruar për të kryer projektin, ashtu sikundër nuk pati asnjë të dhënë edhe për pjesëmarrësit në proçesin e tenderimit.

Bashkia Tiranë mohon të drejtën e informimit për çeshtjen e Teatrit Kombëtar

Gjatë këtyre muajve ku informacioni për projektin e Teatrit Kombëtar ishte “ngrirë”, tentativat për të marrë informacion pranë Bashkisë së Tiranës ishin të shumta, por pa rezultat.

Më 18 tetor të vitit 2019, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit me anë të platformës Publeaks, i dërgoi Bashkisë Tiranë një kërkesë për informacion bazuar në ligjin për të drejtën e informimit, ku i kërkonte këto të dhëna:

1. Kopje të dokumentave të dorëzuara nga kompanitë që kanë aplikuar për projektin për ndërtimin e Teatrit Kombëtar dhe zonës urbane përreth sipas njoftimit të shpallur në Buletinin nr. 29.datë 22 korrik 2019 të APP. 

Neni 15, pika 1 e ligjit për të drejtën e informimit përcakton se kërkesa për informacion merr përgjigje brenda 10 ditëve pune nga data e dorëzimit të saj. Kërkesa për informacion e dërguar pranë Bashkisë Tiranë, nuk mori përgjigje brenda afatit të parashikuar me ligj. Për këtë arsye, platforma Publeaks i drejtohet me ankesë Komisionerit për të Drejtën e Informimit. Më 15 nëntor 2019, Qendra Respublika dërgon ankesën pranë Komisionerit, ku i kërkon të veprojë sipas ligjit për të detyruar Bashkinë Tiranë të vendosë në dispozicion informacionin e kërkuar.

5 ditë më vonë, më 20 nëntor 2019, Komisioneri i drejtohet Bashkisë Tiranë, ku i kërkon vendosjen në dispozicion të dokumentacionit të kërkuar, në të kundërt, zyra e Komisionerit do të ndjekë procedurën në përputhje me nenin 18 dhe 24 të ligjit.


Pika 18 e këtij ligji përcakton sanksione me gjobë ndaj institucioneve që nuk japin informacion. Gjoba të cilat shkojnë nga 150 000 deri në 300 000 lekë. Përpos ankimimit dhe ligjit në fuqi dhe sot kjo kërkesë nuk ka marrë asnjë përgjigje, duke përllogaritur 138 ditë në pritje.


Kërkesa për informacion e Aleancës për Mbrotjen e Teatrit drejtuar Bashkisë Tiranë përmes platformës Publeaks

Gjatë kohës që kërkesat për informacion nuk morën asnjë përgjigje, shumë gazetarë me logot e televizionit ku punonjnë, por edhe individualisht dërguan kërkesat e tyre për informacion në lidhje me Teatrin Kombëtar drejt Bashkisë Tiranë.

Shumica e tyre nuk mori asnjë informacion, ndërkohë që edhe ai informacion që u mor nga gazetarja Fatmira Nikolli e gazetës Shqiptare, kryesisht administrativ, u publikua në një artikull që qëndroi publik për shumë pak kohë për tu fshirë më pas nga media përaktëse. Në shkrim thuhej se Bashkia nuk kishte informacion për procedurën e tenderimit për ndërtimin e Teatrit Kombëtar.

Shkrimi me dokumentat e dhëna nga Bashkia Tiranë si përgjigje e kërkesës për informacion nuk gjendet më në gazetën Shqiptare.

Censurimi i artikullit me informacionet e dhëna nga Bashkia Tiranë

Më datë 25 nëntor të vitit 2019, Citizens Channel me anë të Publeaks i kërkon sërish informacion Bashkisë Tiranë për këto pika:

1.Cilët janë autorët e komisionit vlerësues të projekteve të propozuara për ndërtimin e Teatrit Kombëtar?

2.A është shpallur fituesi për ndërtimin e këtij projekti? Cila është shoqëria fituese?

3.Kopje të informacioneve (korrespondencës së Bashksië Tiranë me institucionet e tjera lidhur me projektin për ndërtimin e Teatrit Kombëtar?

Por edhe pse kaluan 10 ditë pune, sërish nga ana e Bashkisë nuk kishte asnjë reagim për të dhënë informacion.

Publeaks, më 27 dhjetor të vitit 2019 , iu drejtua sërish Komisionerit për të Drejtën e Informacionit me anë të një ankese duke i kërkuar ndërhyrje për të marrë informacionin e kërkuar.

Sot, 100 ditë pas dërgesës së kësaj kërkese për informacion, akoma nuk ka një përgjigje, ndërkohë që është në ankimim dhe i është vendosur afat nga Komisioneri për të dhënë informacion.

Kërkesa për informacion e Citizens Channel drejtuar Bashkisë Tiranë përmes platformës Publeaks

Reagimi i Aleancës për Mbrotjen e Teatrit 

Pas disa muajsh pritjeje dhe pa asnjë përgjigje zyrtare nga institucioni i Bashkisë, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, me anë të një statusi në faqen e tyre zyrtare në Facebook, fton qytetarët para Bashkisë Tiranë për të marrë informacionin që ligji për të Drejtën e Informimit ju garanton.

E ndërsa qytetarët shqiptarë përgatiteshin për festën e fundvitit, mëngjesi i 30 dhjetorit të 2019 i gjeti aktivistët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit para institucionit të Bashkisë Tiranë për të marrë informacionin që u mohohej prej një muaji e gjysmë.

Gjatë fjalëvë të mbajtura para Bashkisë, njëra nga aktivistet e Aleancës, Adriana Kalaja u shpreh:

Kjo kërkesë ka marrë një përgjigje vetëm nga Ministria e Drejtësisë , e cila thotë që të dhënat, informacioni që ju kërkoni në lidhje me procedurat e tenderit i gjeni tek autoriteti kontraktor që është Bashkia Tiranë. Sot kemi ardhur për të marrë informacion, pasi në dijeninë tonë , informacioni për projektin e teatrit nuk ka kaluar as në protokollin e Bashkisë. Fakti tjetër që është akt korruptiv, është se konkursi për tenderin e teatrit së pari nuk është publikuar në faqen zyrtare të Bashkisë dhe nga nga tjetër nuk është publikuar në faqen zyrtare të agjensisë së prokurimit publik. Ligji përcakton qartë që paraqiten ofertuesit, paraqiten fituesit dhe njoftohen qoftë fituesit, qoftë subjektet e skualifikuara. Në këtë moment ne nuk kemi asnjë informacion se cfarë ka ndodhur me zbatimin e vkm-së 352, për këtë arsye jemi paraqitur sot këtu.”

Mos veprimi i Komisionerit për të Drejtën për Informim sipas ligjit për të gjobitur Bashkinë Tiranë

Mos reagimi i Bashkisë Tiranë ndaj kërkesave për informacion është reflektuar në komunikimet me Komisionerin për të Drejtën e Informimi. Pas kalimit të afateve janë nisur disa ankimime kundrejt Komisionerit për të marrë masa ndaj institucionit të Bashkisë. Përpos vënies në dijeni të Bashkisë për ankimimet, nga ana e Komisionerit nuk është marrë asnjë masë tjetër.

Aktivistë të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit i janë drejtuar Komisionerit me anë të një komunikimi elektronik për t’i kërkuar takim për rastin në fjalë.

Komisioneri nuk ka pranuar takimin me përfaqësues të Aleancës me pretekstin se “objekti i diskutimit është objekt i hetimit administrativ nga ana e Komisionerit”.

“Sa i përket kërkesës për takim, zyra e Komisionerit është e hapur për të zhvilluar takime dhe diskutuar me organizatat e shoqërisë civile, të cilat i konsideron partnerë të cmuar si dhe bashkëudhëtarë të përpjekjeve në zbatimin e ligjit. Përjashtim nga kjo qasje bëhet në ato raste kur objekti i diskutimit janë ceshtje konkrete, të cilat mund të jenë objekt i hetimit administrativ nga ana e Zyrës së Komisionerit, sic është dhe rasti juaj”,-përgjigjet zyra e Komisionerit ndaj e-mailit të dërguar nga përfaqësuesi i Aleancës, Ervin Goci. 

Ervin Goci, përfaqësues i Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit

Për Citizens Channel,Ervin Goci përfaqësuesi i Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit shprehet se refuzimi i takimit nga Komisioneri është pa arsye të qenësishme.

Kërkesën për takim unë e bëra pasi ishte vetë përfaqësuesi i zyrës së Komisionerit z. Redi Skënderi që na e sugjeroi këtë, ditën e 30 Dhjetorit kur ne shkuam te Bashkia për të kërkuar informacion dhe përballë gjetëm 10 policë që nuk na lejonin të futeshim për të marrë informacion brenda në Bashki, ndërkohë që vetë Ligji për Informimin ia njeh të drejtën çdo qytetari që të shkojë dhe ta marrë drejt për drejtë informacionin, pa patur nevojë për të dërguar kërkesë në distancë”.

Sipas tij në këtë rast kemi shkelje të ligjit nga të dyja institucionet.

“Zhgënjimi i aktivistëve të Aleancës, por dhe imi personalisht si person kontakti, është dyfish – nga Bashkia që është kthyer në një bunker, që menaxhon miljona euro dhe nuk bën transparente asgjë, dhe nga Komisioneri për Informimin, i cili haptazi shkel ligjin, për hir të të cilit ekziston si institucion. Mendoj se kjo është e rëndë dhe duhet denoncuar fort“.

Referuar ligjit për të drejtën e informimit , përkatësisht nenit 18 të tij, mos respektimi i ligjit sjell përgjegjësi administrative. Refuzimi i dhënies së informacionit në kundërshtim me parashikimet e ligjit dënohet me gjobë prej 150 000-300 000 lekë.

Për Roden Hoxhën, ish-Përfaqësues i Përhershëm i Agjentit Qeveritar Pranë Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, mos veprimi i komisionerit është pasojë e mungesës së dëshirës.

Roden Hoxha

“Komisioneri për të Drejtën për Informim nuk ka tentuar për seanca ndërmjetësimi dhe as nuk ka vepruar sipas ligjit për të vendosur gjobë ndaj Bashkisë Tiranë pasi i mungon vullneti dhe dëshira, sidomos kur ka të bëjë me bashki të mëdha, si ajo e Tiranës. Në rastet kur Komisioneri nuk vepron sipas ligjit, pala e interesuar duhet ti drejtohet Gjykatës Administrative”.

Sipas tij vendimet e Komisionerit nuk janë ekzekutive.

Fuqia vendimmarrëse e komisionerit është inefektive, është teorike. Edhe ligji e ka lënë aq të zbrazët atë vendimin e komisionerit sa thjesht një vendim i tij sado mua më jep të drejtën që ta marr informacionin nga një institucion, pasi ankohesh në gjykatë administrative, mbetem në gjykatë një, dy, pesë, shtatë vjet deri sa të marri fuqi ekzekutive ai si vendim. Në  momentin që vendimet e komisionerit nuk janë tituj ekzekutiv, ai si pozicion është i kotë”.

Edhe për përfaqësuesin e Aleancës, Ervin Goci-n, nuk ka asnjë pengesë ligjore për Komisionerin që të veprojë.

Nuk e pengon asgjë ligjore, ku Komisioneri ka lëshuar ultimatume ndaj Bashkisë për të bërë publike të gjithë dosjen proceduriale që buron nga Ligji Special për Teatrin, njëherë në Nëntor dhe njëherë tjetër në 14 Janar -në të dy rastet Bashkia ka refuzuar që të bëjë publik informacionin. Janë të gjitha kushtet proceduriale që Komisioneri ta gjobisë institucionin, madje t`i hapë dhe çështje gjyqësore, megjithëse këtë të fundit mund ta bëjmë dhe ne direkt”, thekson Goci duke shtuar se rënia e performancës së Komisionerit është ngritur si problem edhe nga Raportet Vjetore për të Drejtën e Informimit. 

Besoj se ky institucion nuk është më i pavarur, është i kapur politikisht dhe po reflekton të gjithë krizën e madhe që po pësojnë agjencitë publike ;ku në të gjithë institucionet dominon një parti, e cila ka kapur të gjitha pushtetet, dhe imagjino se çmund t`i bëjë një institucioni të lodhur si Komisioneri për Informimin“, përfundon Ervin Goci.

Ligji Special për Teatrin Kombëtar  

Në shtator të vitit 2018 Qeveria Shqiptare miratoi ligjin special për Teatrin Kombëtar. Ligji i miratuar posaçërisht për Teatrin Kombëtar i jepte mundësi një pale private të merrte përsipër ndërtimin e godinës së teatrit bashkë me zhvillimin urban të zonës përreth tij.  Kompania e kontraktuar ishte Fusha sh.p.k. Ky ligj synonte krijimin e një komisioni, i cili përbëhej nga Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Kulturës, Avokatura e Shtetit dhe Trupa Teatrore. Ky komision kishte si kompetencë kryesore shqyrtimin e propozimeve nga palët e interesuara për të realizuar projektin.

Ligji special për Teatrin u rikthye dy herë në Kuvend nga Presidenti Ilir Meta, pasi sipas tij ky ligj bie ndesh me parimet kushtetuese të vendit.

Lexo më shumë: Presidenti Meta kthen ligjin për shembjen e Teatrit Kombëtar; (9 shkeljet) Presidenti Meta kthen për herë të dytë në Kuvend ligjin për Teatrin Kombëtar

Pas kthimit të ligjit nga Presidenti, reagoi kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, i cili e konsideroi veprimin e Metës si “palë me partitë politike”.

Në shtator, Komisioni Evropian me anë të një letre drejtuar Qeverisë u shpreh se nuk ka kompetenca për të gjykuar Ligjin Special, por i kërkon Qeverisë të lejojë konkurrencën.

 

Pas letrës së Komisionit Evropian, Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se ishin në diskutim me Komisionin Evropian. Ndërsa Kryeministri Rama e konsideroi letrës e Komisionit Evropian si një reagim pozitiv.

Në janar të 2020, Europa Nostra, organizatë ndërkombëtare në mbrojtje të trashëgimisë kulturore në Evropë, iu drejtua me një letër Kryeministrit Rama, Presidentit Meta dhe kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj. Hermann Parzinger, Presidenti Ekzekutiv i Europa Nostra u bëri thirrje të mënjanohen nga vendimi  për ta ndërtuar një teatër të ri në vend të atij ekzistues.


Në dhjetor të 2019, Teatri Kombëtar përfshihet në listën e 14 vendodhjeve më të rrezikuara në Evropë nga Europa Nostra.

Çështja e Teatrit nisi si thirrje për qëndresë në momentin kur nisi paketimi i materialeve brenda tij, për ti hapur rrugën prishjes së godinës. Mobilizimi i qytetarëve vazhdoi edhe pas datës 26 prill ku punëtorët e Bashkisë Tiranë hoqën shkronjat në fasadën e Teatrit. Mbledhjen e kontributeve të qytetarëve brenda pak ditësh mundësoi shumën e nevojshme e parave për të blerë gërmat e reja për teatrin.

Ndërsa më 3 qershor 2019 u publikua në Fletoren Zyrtare vendimi i cili autorizon ngritjen dhe funksionimin e një komisioni për vlerësimin dhe negocimin e kontratës me palën private me objekt realizimin e projektit të zhvillimit të zonës së Teatrit Kombëtar.

Sot, dy vjet më pas mbrojtja e kauzës së teatrit vazhdon duke e kthyer godinën dhe hapësirën përreth tij në një oaz diskutimesh dhe shfaqjesh artistike për të gjithë publikun.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu