Pamje nga miniera AlbChrome/ Foto: Elton Debreshi

Minatorët e Bulqizës vijojnë procesin normal të punës edhe pse prej disa ditësh në Shqipëri janë shfaqur rastet e para të të prekurve nga COVID-19. Në total, numri i të prekurve në Shqipëri ka arritur në 23, ndërkohë që janë testuar 298 persona.

Elton Debreshi, kryetar i Sidikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, ish-minator në galeritë që menaxhon kompania AlbChrome, shprehet se punëtorët kanë frikë të vijojnë procesin e punës, por janë të detyruar të paraqiten, pasi i druhen penalizimeve.

Unë shkova tek kompania sipër dhe takova pothuajse shumë punëtorë, rreth 70-80 punëtorë dhe ishin të gjithë të frikësuar nga kjo situatë. Duke parë presionin e madh të kompanisë dhe administratës, punëtorët kishin frikë që të bejshin pushim për pjesën e coronavirusit”, shpjegon Debreshi për Citizens Channel. Ai u pushua nga kompania pak ditë pasi shpalli krijimin e një sindikate të re në Bulqizë.

Elton Debreshi, kryetar i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës

Dje, sindikata u ka bërë thirrje institucioneve shtetërore që të marrin masa të menjëhershme dhe të ndërhyjnë në këtë sektor pasi rrezikshmëria është shumë e lartë, duke marrë parasysh se një numër i lartë punëtorësh përqëndrohen në një vend.

Kemi kërkuar që të merret parasysh mundësia e punës me orare të shkurtuar, ose mbyllja e punës për një afat të pacaktuar nëse ka raste të punëtorëve të dyshuar të infektuar me virusin që po shtohet dita-ditës”, shkruajnë ata në profilin zyrtar në Facebook.

Elton Debreshi thotë se rreziku i infektimit në këtë sektor është shumë i madh, pasi në një galeri punojnë minimumi 25 veta dhe janë në kontakt të vazhdueshëm. Ai liston edhe mjetet e transportit dhe ashensorin si ekspozues ndaj infeksionit.

Janë disa procese pune ku mblidhen grumbull, sidomos kur është pjesa e transportit ose kur është futja në galeri ose dalja nga galeria ose në vendin ku punojnë, që nuk punojnë asnjëherë vetëm, duhet të kesh një ortak. Në galeri nuk punohet vetjak, punohet në grup, për arsye të sigurisë sepse nuk lejohet të punosh i vetëm në sektorin minerar”.

Ai tregon se në këtë kompani janë të punësuar afërsisht 650 persona dhe turni i parë ka fluksin më të madh.

Në minierën e AlbChrome-it janë rreth 650 punonjës, përfshirë vetëm pjesën e punëtorisë, që futet në thellësi të galerisë. Në turnin e parë është numri më i madh sepse janë disa institucione që janë vetëm turni i parë, janë rreth 350 punonjës, në turnin e dytë ose të tretin janë nga 150-170 punëtorë”, shpjegon Elton Debreshi.

Të punësuarit, shton ai, nuk mund të lajnë duart pasi uji është i ndotur dhe gjithashtu ngre shqetësimin e ajrit të rënduar. Uji i pijshëm, vijon Debreshi, mund të merret me shishe vetëm jashtë galerisë.

Në galeri nuk ka ujë të pastër që të  lahet punëtori sepse uji është tepër i ndotur nga gazrat, nga helmet që kanë lëndë toksike, është tepër i ndotur, nuk mund të lash dot as duart. Dhe po i lave duart, të infektohen, është tepër i ndotur. Nuk ka ujë të pjshëm nga momenti në moment që mund të kesh ndonjë problem. Ujin e marrin në ambientet e galerisë jashtë, tek zyrat, është një çezmë që përdoret për të pirë, e quajnë ‘çezmen e minatorit’”.

Kryetari i sindikatës bën thirrje edhe një herë që të merren masa në këtë sektor, sepse sipas tij, qindra të punësuar vendosin në rrezik jo vetëm jetën e tyre por të komunitetit dhe të afërmve.

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu