Aksioni i parë i djegies së makinerive pranë çadrës së rezistencës

Tre banorë të Matit janë shoqëruar dje në komisariatin e Burrelit, pasi për së dyti herë janë djegur makineritë e punimeve afër çadrës së rezistencës. Kjo çadër është ngritur në Melth, Zall-Gjoçaj nga vetë banorët prej më shumë se katër muajsh, për të kundërshtuar lejen e dhënë ndaj hidrocentrale në lumin Flim dhe Urakë.

Një prej protestuesve, Dhimitër Koleci, tregon për Citizens Channel se pas aksionit të parë, i cili nuk dihet nga kush është ndërmarrë, firma ka sjellë roje për të siguruar makineritë e ndërtimit.

Kur u djeg kamioni në fillim u ndërpre puna, më pas solli roje të armatosura nga Mirdita për të ruajtur makineritë. Parmbrëmë është djegur një mjet i firmës dhe janë shoqëruar tre veta nga fshati. Nuk e dimë kush e ka bërë këtë gjest, ne jemi në protestë prej muajsh”, shpjegon Koleci.

Ndërkohë administratori i firmës “Seka Hydropower”, Bardhyl Muceku, deklaroi dje për BIRN se nuk kishte dijeni për djegien e makinerisë: “Unë nuk kam informacion, si përfaqësues i investitorit. Ndërtimin po e bën një kompani tjetër, Trema Engineering 2 Sh.p.k. që ka një kontratë me Seka Hydropower. Kompania që po bën ndërtimin nuk na ka njoftuar” tha ai.

Grupimi “Mbro Parkun Kombëtar Zall-Gjoçaj”, nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook i bën edhe një herë thirrje institucioneve shtetërore të ndalojnë punimet, të cilat vijojnë me ritme normale. Nëpërmjet një statusi në rrjetin social Facebook, ata shprehen se situata e emergjencës në Shqipëri pas diagnostikimit të rasteve të para me virusin COVID-19, i ka ardhur në favor kompanisë ndërtuese.

Të zvarritur prej shumë kohësh nga të gjitha instancat shtetërore e gjyqësore, çështja e Zall-Gjoçaj është lënë në dorë të vullnetit të privatit, e cila kjo situatë emergjence po i vjen si me porosi në favor të tij.

Mëngjesin e sotëm janë gjetur për herë të dytë të djegura makineritë të cilat po përparojnë rrufeshëm dhe po dëmtojnë në mënyrë të pakthyeshme pasurinë ujore. Shteti si gjithmonë ka treguar gatishmëri për mbrojtjen e privatit, duke proceduar si të dyshuar banorë të zonës”.

Sipas Kolecit, shoqërimi i banorëve në komisariat është padrejtësi e dyfishtë që po u bëhet atyre. Padrejtësia e parë konsiston në mospërfshirjen në konsultime si palë interesi, duke qenë se matjanët e kanë këtë lum burimin kryesor për të jetuar në atë fshat.

Këtyre banorëve që janë shoqëruar po ju ndotet dhe pastaj ju merret uji që pinë dhe nuk kanë burim tjetër. Firma koncensionare nuk i ka llogaritur në projekt. Këta njerez ku do të marrin ujë? Se ne studimin mjedisor e quajnë përrua të thatë dhe nuk ka ndikim në terren, në një kohë që është i vetmi burim që furnizon fshatin Melth me ujë të pijshëm dhe vaditës”.

Dhimitër Koleci, protestues

Dhimtër Koleci artikulon se policia duhet të arrestojë sipërmarrësit e firmës, të cilët nëpërmjet këtij projekti, do të penalizojnë një zonë të tërë.

Policia duhet të arrestojë sipërmarrësit e firmës që kanë mashtruar dhe ju thajnë jetën dhe të ardhmen e këtyre banorëve duke futur ne tuba e tunele 2,5 kilometra brenda Parkut Kombëtar ujin e këtyre burimeve, duke devijuar rrjedhën e lumit përjetësisht për 25 kilometra dhe duke e lënë gjithë zonën pa pikën e ujit”, shton ai.

Organizimi do të vijojë, pohon Koleci, duke përdorur çdo mjet ligjor për të mbrojtur lumenjtë e zonës.

Dhe do t’i vazhdojmë protestat akoma më shumë, do të përballemi në gjykata deri në Hagë, derisa të zbatohet ligji dhe banorëve të zonës t’ju jepet e drejta për të jetuar të qetë në trojet e tyre shekullore”.

Rezistenca matjane në mbrojtje të natyrës

Matjanët kanë ngritur padi ndaj disa institucioneve shtetërore dhe kompanisë “Seka Hydropower” pranë Gjykatës të Shkallës së Parë, Tiranë. Padia e bërë vjen pasi ata pretendojnë se leja mjedisore është dhënë në kundërshti me ligjin. Parku Kombëtar “Zall-Gjoçaj” në vitin 2018 është bashkuar me Parkun e Lurës, duke formuar kështu Parkun Kombëtar “Lurë-Mali i Dejës”.

Seancat gjyqësore janë zvarritur për të tretën herë radhazi çka ka shkaktuar pakënaqësi dhe revoltë tek banorët, të cilët brenda dy muajve kanë organizuar dy protesta.

Në datën 6 Mars, qytetarë të Matit dhe aktivistë të shoqërisë civile protestuan para Bashkisë së Matit. Ata u kërkuan përfaqësuesve të këtij institucioni të zbatojnë ligjin dhe të mbrojnë banorët.

Në shenjë simbolike, banorët i dorëzuan kësaj Bashkie një arkivol, si simbolikë e pasoja që do të sjellin HEC-et në natyre. Dorëzimi i aktit nuk është lejuar nga policia, të cilët u përplasën me banorët. Një prej prej protestuesve denoncoi forcat policore, ku sipas tij, ushtruan dhunë fizike, duke e goditur atë me grusht.

Kjo protestë vjen fill pas asaj të datës 23 shkurt, ku matjanët u mblodhën fillimisht tek lagjja Lami i Madh, për t’u nisur drejt çadrës së rezitencës në fshatin Melth, Zall-Gjoçaj. Tema kryesore ishte shtyrja e seancave gjyqësore dhe kërkuan që punimet të pezullohen deri në një vendim të Gjykatës.

Rezistenca e tyre ka nisur muaj më parë, dhe ata shprehen të bindur se nuk do të lejojnë që hidrocentralet të ndërtohen, pasi për ata uji është burimi kryesor i vazhdimësisë në atë zonë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu