Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Opinion: Si të mos jetosh, të mos punosh dhe të mos mendosh si në karantinë

Autore: Ada Dimo

Situata në të cilën ndodhemi, e në të cilën ndodhet e gjithë bota, dikton marrjen e masave, në dukje ekstreme (flasim për kufizimin e lirisë së lëvizjes, etj.), por që në thelb janë të diktuara nga një e mirë publike më madhore, ajo e mbrojtjes së jetës.

Ada Dimo

Masat e marra nga autoritetet përkatëse – të cilat në këndvështrimin e një juristi lënë për të dëshiruar për sa i përket anës procedurale, miratimin e tyre, etj., – nuk duhen parë si prodhim politik-bërjeje, por, përkundrazi, ndoshta si rrallë herë, teknicienët dhe specialistët e mirëfilltë në fushën e shëndetësisë kanë diktuar prodhimin e një politike të caktuar.

Me të drejtë shumë prej nesh indinjohen dhe kërkojnë zgjidhje mbi problematikat e posaçme të ardhura si pasojë e një situate te re, e cila imponon dhe prodhimin e zgjidhjeve të pa precedenta për vendin tonë. Një pjesë e të njohurve të mi më kanë kërkuar të dinë se si t’ia bëjnë për pagën e pa dhënë nga punëdhënësi, si t’ia bëjnë me lejen vjetore të mbajtur, pasojë e krijuar nga kjo “fatkeqësi natyre”.

Ankohen se janë rritur çmimet, ankohen mbi transportin publik, të cilin e kanë të nevojshëm për të shkuar në punë, ankohen pse shteti nuk mbyll dhe sektorin privat, etj. Ajo që vëreja nga të gjitha rastet e paraqitura, por edhe nga sa kam konstatuar nga përditshmëria e punës time, kishte emërues të përbashkët shprehjen: “Pse nuk ndërhyn shteti”, “Çfarë është ky shtet kështu”, etj. (Në optikën time kjo me ngjan si psikologji komuniste, ku individi kërkonte nga një “i madh” t’i zgjidhte të gjitha hallet).

Ashtu siç dhe kemi parë këto 30 vite “demokraci”, de facto jemi brenda një sistemi hibrid kaotik, me mungesë organizimi dhe, mbi të gjitha, pa vullnet të aktorëve përkatës (me të vërtetë e dimë se demos = popull dhe kraci = pushtet, por demokracia nuk është thjesht dhe vetëm pushtet i shumicës, por mbi të gjitha respektimi i të drejtave të pakicës, e ne një opozitë disfunksionale nuk kemi zë pakice, kështu që deri më tani këtë rol e ka mbajtur shoqëria civile, aq sa kanë mundur dhe zëra tek tuk të mekur të personave të përveçëm) për të vepruar duke pasur parasysh atë që unë e quaj “interesin më të lartë publik”, për të cilin, sipas opinion të shumicës së qytetarëve nuk po vepron askush.

Por le te kthehemi në situatën aktuale.

Çfarë të dhënash kemi: Kemi ankesa të qytetarëve mbi problematikat e shfaqura si rezultat i situatës “fatkeqësi natyrore”, të cilat të gjitha qëndrojnë, kemi organe shtetërore të cilat nuk funksionojnë siç duhet, më të brishta tani janë fusha e shëndetësisë, për shkak të kapaciteteve dhe burimeve njerëzore, si dhe të gjitha hallkat ekonomike të vendit, duke shtuar këtu një buxhet anemik (dhe e sigurt është se objektivisht nuk do fillojnë të jenë efiçente brenda kësaj periudhe jo të zakonshme), kemi opozitë disfunksionale e cila merr vetëm rol akuzues, por nuk jep zgjidhje praktike me mjetet që parashikon një sistem “Demokaratik”, kemi një shoqëri civile e cila nuk ka më tepër mjete se sa disponon ajo, kështu që për pasojë “kaq” është maksimumi që mund të bëjë.

Çfarë duam: një zgjidhje të volitshme ku të gjithë të dalim të fituar nga kjo situatë (win-win). Siç shihet sa më sipër lypset dhe na del ne si “detyrë” të shpëtojmë të ndenjurat tona.

Pyetjet që u bëra miqve të mi pasi më komunikuan shqetësimet e tyre ishin:

  1. Për pagën e mbajtur për shkak të mbylljes së aktivitetit si pasojë e gjendjes “jo të zakonshme” – A ke komunikuar nëpërmjet një kërkese me Inspektoratin e Punës? Përgjigja ishte jo.
  2. Mbi çmimet e rritura – A ke kontaktuar dhe referuar rastin në 0800 14 14 ose pranë Autoritetit të Konkurrencës, Tatimeve? Përgjigja ishte jo, sepse nuk ia vlen.
  3. Mbi lëvizjen me automjet – Përgjigja ishte pak e paqartë. Në fillim më është thënë se as të tjerëve nuk u është lëshuar, dhe një përgjigje tjetër ishte se kishte kërkuar autorizimin por nuk ia kishin lëshuar dhe se nuk kishte miq te organet e qarkullimit rrugor që t’ia lëshonin brenda një kohe të arsyeshme.

Përgjigja ime ishte të priste deri në daljen e autorizimit dhe gjatë kësaj kohe të lëvizte me biçikletë. Pyetja tjetër ishte – Si keni rënë dakord me punëdhënësin mbi masat që duhet të marrë për të mbrojtur punonjësit e tij në kushte të tilla “jo të zakonshme” dhe a e di punëdhënësi se penalizohet nëse nuk e bën?

Parashtruar alternativa praktike, jo domosdoshmërisht ligjore mbi zgjidhjen e problemit. Ajo që konstatohet nga sa më sipër është dukshëm mungesa e besimit në organet shtetërore. Por njëkohësisht po aq i vërtetë është edhe fakti i mos kërkimit të të drejtave të tyre me mendimin (paragjykimin) se, në fund, asgjë nuk do të bëhet dhe se ky është shtet m…

Është e vërtetë se suksesi në arritjen e marrjes së drejtës në Shqipëri është i vështirë, por jo i pamundur. Sistemet demokratike në të gjitha vendet të cila e aplikojnë atë të japin mjetet, të cilat në rastin konkret janë ligjet dhe gjithë aktet nënligjore që i shoqërojnë ato. Nëse ne nuk dimë dhe/ose nuk duam t’i kërkojmë, me siguri Shteti nuk do ketë mundësi ta bëjë këtë në vendin tënd. A do i thoshit ndonjëherë Autoritet të shkojë ai të martohet në vendin tuaj?

Ajo që dua të them është se janë disa të drejta personale të cilat mund të kërkohen vetëm nga personat të cilëve u është cenuar kjo e drejtë. Ligji është mjeti të cilin ju dispononi dhe është arma juaj për të pretenduar dhe kërkuar një të drejtë.

Siç thoshte dhe Martin Luter King: “Fitimi i së drejtës është detyrë e jona”. Përpara se të bëni gjithollogët reflektoni se çfarë mund të bëni ju për të përmirësuar atë që ju, dhe me sa duket të gjithë ne, e quajmë “Një shtet m…” e për rrjedhojë dhe jetesë m… Në gjykimin tim është shumë e thjeshtë – fillimisht guxoni të kërkoni dhe të insistoni, dhe sërish të kërkoni e te insistoni për të drejtat tuaja në formën dhe mënyrën që është parashikuar, që herën tjetër, ky “shtet m…”, kur të marrë guximin të tallet sërish me ne, të mendohet dy herë.

Nga sa më sipër më del e natyrshme të theksoj se jo domosdoshmërisht na duhet një polic në kokë që të na bëjë të kuptojmë se duhet të rrimë në shtëpi për të mirën e përbashkët, që nuk duhet të pështyjmë në rrugë, që nuk duhet të hedhim plehrat në ambiente publike, se duhet të rrimë minimumi 1 metër larg njëri-tjetrit kur shkojmë në supermarket e farmaci etj, etj.

Sa të harxhojmë kohë duke vjellë vrer ndaj personave dhe situatave të përveçme, në një kohë kur të gjithë jemi fatkeq, ejani të bëjmë detyrat tona. Le të mendojë pak përtej gjatësisë së hundës dhe sipërfaqes së të ndenjurave tona, për të një të mirë të përbashkët më madhore dhe jo thjesht dhe vetëm interesave specifik personal. Këto mendime nuk kanë qëllim të etiketojnë dikë, as të provokojnë etiketime.

Por po të hapim ndonjë deriçkë tjetër, veç atyre që jemi mësuar, me vështirësi do të kuptojmë se ka njerëz që jo domosdoshmërisht rrinë dhe/ose mund të rrinë në një llogore të caktuar, sepse mbi të gjitha e kanë të lindur, atë që me sa duket është vështirë për t’u perceptuar nga shumica, mendimi i lirë dhe integriteti moral.

*Autorja Ada Dimo është eksperte ligjore (Avokate), kryesisht në fushën e të drejtave të njeriut, familjes, shoqërive tregtare etj. 

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *