Nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, Kryeministri Edi Rama ka paraqitur dje një video ku shihen forca policore që ushtrojnë dhunë mbi qytetarët. Sipas tij, kjo ngjarje ka ndodhur në Spanjë dhe këtë material ia ka dërguar një mik i tij, për të treguar masat që po merr policia ndaj personave që shkelin rregullat e Qeverisë në kuadër të parandalimit të përhapjes së virusit COVID-19.

Në po atë postim, Vicente Canelles, ambasador i Spanjës në Shqipëri ka komentuar duke theksuar se ato imazhe në videon e shpërndarë “nuk kanë të bëjnë fare me Spanjën”.

Screenshot i komentit të Ambasadorit të Spanjës në postimin e Kryeministit.

Në fakt video i përket dhunës policore të ushtruar ndaj protestuesve në Algjeri, ku prej 57 të premtesh rresht protestohet kundër regjimit autoritar të ish-presidentit Abdelaziz Bouteflika, demonstrata që u ndaluan këtë javë për shkak të situatës me COVID-19.

Pak orë më vonë, po në rrjetin social Facebook, Rama sqaron se videoja nuk do të hiqet pasi mesazhi qëndron, duke theksuar edhe një herë se nuk do të ketë asnjë tolerancë nga forcat policore në rast se shkelen rregullat. Ai u shpreh se gabimi ishte i paqëllimshëm.

Postimi nuk do të lëvizë nga vendi (natyrisht duke hequr fjalën Spanjë) dhe mesazhit të tij i qëndroj 100% pa asnjë diskutim!“, përmbyll statusin e tij Rama.

Kryeministri u mjaftua me ndryshimin e përshkrimi të videos, duke hequr fjalët “këtë video nga Spanja”, por nuk ka sqaruar se ku, dhe në çfarë konteksti janë xhiruar pamjet.

Foto: Dy versionet e tekstit me të cilin Rama shoqëron videon nga Algjeria

Reagimet pas videos së rremë të shpërndarë nga Rama

Videoja e rremë e shpërndarë ka ngjallur jo pak reagime. Elvin Luku, drejtor i Qendrës MediaLook, ka rikthyer edhe një herë fokusin tek dy ligjet që kanë si synim të rregullojnë median online nëpërmjet paketës ligjore të njohur ndryshe edhe si “Paketa Anti-Shpifje”, nismë e ardhur nga vetë Kryeministri.

Është ironike në fakt sesi pionieri i nismës qeveritare për të luftuar fake news me të ashtuquajturin draftin antishpifje, që në të vërtetë nuk e lufton fake news-in, përhap vetë, sikurse e pranoi dhe kërkoi ndjesë, një lajm të rremë. E rëndësishme është që kreu i qeverisë e korrigjoi dhe postimin fillestar, krahas shënimit të ndjesës“, u shpreh Luku për Citizens Channel.

Elvin Luku – Drejtuesi i Qendrës MediaLook

Ai ngre shqetësimin e ripostimit të videos së Ramës nga mediat e tjera, pa kryer funksionin parësor të tyre, verifikimin.

Por nuk është këtu thelbi! Problematika fillon kur televizionet që ishin në transmetim “live”, mes tyre dhe media kombëtare e e transmetojnë videon sapo publikohet ne faqen e Kryeministrit. Asnjë verifikim prej tyre, thjesht zgjatim i zërit qeveritar. 

Pra, politikani mund të gënjejë, të thotë një pasaktësi, por media e ka për detyrë parësore të evidentojë nëse deklarata është e vërtetë ose e gabuar, sikurse bënë disa media të tjera“, përfundon Luku.

Reagimi i “Le Iene”: “Lajmi i rremë me shkop gome i Kryeministrit shqiptar”

Lajmi për postimin e Ramës është përcjellë dhe në Itali, në një artikull në faqen e emisionit investigativ “Le Iene” thuhet: “Kryeministri i Shqipërisë numëron një ekip të madh prej 1.2 Milion ndjekësish në “Facebook”…për të ftuar qytetarët të qëndrojnë në shtëpi, Rama ka publikuar një video që ka shijen e “fake news” dhe kërcënimit.”

Ndërsa për fjalët që Rama ka zgjedhur të shoqëroje videon “Le Iene” ka këtë koment: “Fjalët duken si kërcënime dhe të krijojnë shqetësim. Kundër koronavirusit çdo armë vlen, qoftë ajo “fake news” apo shkop gome.”

Reagimi i Partisë Demokratike: “Rama, burimi kryesor i panikut dhe pasigurisë”

Paradite i detyron qytetarët të dynden në dyqane, në drekë i terrorizon me video nga protestat antiqeveritare kundër regjimit autoritar në Algjeri, duke e shitur atë si dhunë që ndodh rëndom në Bashkimin Europian. Kjo është papërgjegjshmëri”, shkruan Partia Demokratike.

Gjatë një video live në Facebook, duke i quajtur shkelësit e rregullave si “tradhëtarë” ai i ka paralajmëruar qytetarët se do të përshkallëzohen masat duke përdorur deri në gaz lotsjellës ndaj tyre. Ai madje theksoi se do t’u heqë çdo ndihmë financiare për të paktën një vit, bursat apo rimbursimet e ilaçeve nëse janë pensionistë.

Do t’u hiqet çdo ndihmë shtetërore, do t’u mohohet çdo lloj kompensimi e pasojave të luftës, nëse janë në kategorinë e atyre që duhet të rrinë në shtëpi se nuk shkojnë dot në punë. Do t’u mohohet çdo lloj ndihme financiare për të paktën një vit nëse nuk kanë punë dhe duan t’u prishin punë dhe jetë të gjithëve. Çdo lloj burse për studentë apo rimbursim ilaçesh e ndihme, qoftë edhe nëse janë pensionistë“, tha në fjalës e së shtunës Kryeministra Rama.

Qytetarët shpërndajnë videot e vërteta të “dhunës policore”, në Spanjë

Ndërkohë, aktivistë në Shqipëri kanë shpërndarë video të policisë në Spanjë, për të treguar se atje ndryshon tërësisht mënyra sesi policia i qaset qytetarëve. Në video shfaqen forca të rendit teksa këndojnë dhe kërcejnë këngë lokale bashkë me qytetarët të cilët u bashkohen atyre nga ballkoni.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu