Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

”Më mirë së bashku” në shërbime dhe asistencë për përballimin e krizës nga Covid-19

Shqipëria ka rreth dy jave në karantinim dhe kjo ka sjellë që shumë qytetarë sidomos grupime të caktuara të përballen me vështirësi të shumta ekonomike, sociale dhe psikologjike. Si pasojë e situatës një grup profesionistësh dhe përfaqësuesish të organizatave të shoqërisë civile më 18 mars krijuan platformën “Më mirë së bashku”.

“Më mirë së bashku ju jep akses individëve apo organizatave që po kërkojnë ndihmë por edhe atyre që duan të ofrojnë ndihmë. Ajo cka ne ofrojmë është një dritare informacioni ku mund të kërkohet mbështetje online siç janë këshillimet psikologjike dhe ligjore”, tregon Gentjana Susaj, një nga themelueset e kësaj nisme.

Ky grupim ka krijuar një listë kontaktesh që mund t’ju vijë në ndihme qytetarëve për një sërë shërbimesh si:

  • Këshillim psikologjik dhe ligjor
  • Furnizimin me ilaçe
  • Furnizimin me ushqime dhe produkte shtëpiake
  • Aktivitete online

“Kemi mbi100 shërbime të listuara në mbështetje të njerëzve në nevojë, duke përfshire kurse, aktivitete edukative online, markete për furnizim ushqimorë, farmaci që kryejnë shpërndarjet në banesë etj” tregon më tej Susaj.

Lista e plotë e shërbimeve nga platforma “Më mirë së bashku”

“Pjesa më e madhe e mesazheve që kemi marrë adresojnë problemet më emergjente të cilat lidhen me nevoja për paketa ushqimore dhe ilaçe apo vështirësitë për të marrë përgjigje nga mekanizmat shtetërore. Momentalisht ne po koordinojmë dhe me disa familje nga komuniteti romë në Tiranë që jetojnë nëpërmjet të ardhurave të mbledhura nga mbetjet e reciklueshme, duke i vënë në kontakt me institucione dhe organizata ndihmuese” përfundoi ajo.

Konsultime falas me psikologët përmes telefonit

Një nismë tjetër vullnetare e cila ka në fokus ruajtjen dhe rëndësisnë e shëndetit mendor në këto ditë pandemie ka nisur të vihet në zbatim vetëm para pak ditësh.

Valbona Treska, drejtuese e Urdhrit të Psikologut rrëfen për Citizens Channel se pas një pune të dobishme që u realizua gjatë përballjes me fatkeqësinë e tërmetit, u bë një thirrje publike për të bashkuar sërisht forcat në këtë emergjencë mjekësore ndërkombëtare.

Valbona Treska

“Kemi publikuar listën me emrat e 80 psikologëve që do të marrin telefonata nga qytetarët nga e hëna në të shtunë. Kontakti me psikologun bëhet fillimisht nëpërmjet telefonit dhe më pas në varësi të qytetarit që kërkon ndihmë kalohen në komunikim on line në skype biznes, nëse qytetari e ka të pamundur aksesin me skype vazhdohet me konsultim telefonik” shpjegon Valbona Treska.

Për personat që hezitojnë apo ndjejnë presionin e paragjykimit, Treska shprehet se secili prej psikologëve që ofron shërbim ka integritet të lartë profesional.

“Në cdo rast ruhet rreptësisht konfidencialiteti i qytetarit që kontakton me psikologun. Është detyrë primare e një psikologu të ruaj konfidencialitetin. Ju sigurojmë se të pasurit pranë një psikolog do t’jua lehtësoj karantinimin kolektiv”.

Citizens Channel kontaktoi një nga personat që ka nisur këshillimin telefonik me psikologët e kësaj platforme dhe tregon sesa i nevojshëm është për të ky shërbim në këto ditë. Qytetari me inicialet D.K rrëfen:

“E kam të pamundur financiarisht të paguaj një psikolog, qoftë në periudhën që punoja e aq më tepër tani që nuk qarkulloj të ardhura. Jam mësuar me rutinën ditore dhe nuk po e përballoj dot izolimin. Edhe pse nuk dua, kaq shumë kohë në dispozicion e kam të pamundur të shkëputem nga lajmet, edicionet informative, rrjetet sociale që dashje pa dashje më rrisin tensionin. Pavarësisht mbështetjes familjare, kam frikë dhe një stres të pamenaxhueshëm.”

Qytetari me inicialet D.K u shpreh se vetëm dje ka nisur konsultimin telefonik dhe do të vijoj telefonatat me të njëjtin psikolog, në ditët në vazhdim, me shpresën se do ta ndihmojnë në menaxhimin e situatës.

Vilma Ago

Një ndër psikologet që i është bashkuar projektit është edhe Vilma Ago, e cila tregon se duke qënë në koherencë me nevojat e njerëzve e kishe të pamundur të qëndronte jashtë kësaj iniciative.

“Projekti ka filluar dje pasdite dhe unë kam trajtuar një rast i cili paraqiste simptomatologji kryesore panikun, ankthin se cfarë do të ndodhte më të, familjen dhe komunitetin dhe personi në fjalë po përjetonte ndër të tjera dhe pagjumësi. Terapitë më efektive në këtë rast janë mbështetja psikologjike, këshillimi me qëllim zvogëlimin dhe menaxhimin e simptomave.”

Ashtu si Vilma Ago, edhe psikologët e tjerë të stafit përbërës të këtij shërbimi i bëjnë thirrje të gjithëve, sidomos personave në nevojë psikologjike të mos hezitojnë, dhe të telefonojnë në numrat e publikuar.

Qarkullimi i informacionit, për të lidhur ata që ofrojnë shërbim me grupet që kanë nevojë

“Të gjithe po kalojmë kohë të vështira, të një izolimi fizik i cili nuk ka pse të jetë edhe social”, tregon Gentjana Susaj nga nisma “Më mirë së bashku”, duke shtuar se platforma ka për qëllim të japë mbështetje direkte dhe të shërbejë si një ndërmjetëse e informacionit.

“Jemi gati të orientojmë dhe individët që duan të mbështesin me donacione, duke i drejtuar tek organizatat e specializuara në këtë fushë, në mënyrë që të lidhen direkt njerëzit në nevojë” përfundon ajo.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *