Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Si t’ja shpjegojmë fëmijëve Koronavirusin?

Për miliona njerëz në mbarë globin jeta ka ndryshuar rrënjësisht javët e fundit. Nëse të rriturit kanë mundësinë të marrin një shpjegim logjik dhe shkencor për pandeminë, ata që janë më konfuz dhe të mbushur me pyetje janë fëmijët.

Psikologia Dr. Enkeleda Sako nga organizata Terre des hommes, e specializuar në fushën e edukimit, na ndihmon t’i japim përgjigje pesë nga pyetjet më të shpeshta që mund të bëjnë fëmijët në lidhje me situatën e pazakontë të krijuar për shak të koronavirusit.

Enkeleda Sako

“Reagimet që shfaqin fëmijët ndikohen ngushtësisht nga sjellja e prindërve të tyre ose e të rriturve të tjerë të rëndësishëm. Nëse prindërit apo të rriturit e përballojnë karantinën me qetësi dhe maturi, ata janë në gjendje të ofrojnë mbështetje edhe për fëmijët e tyre. Nëse të rriturit e përjetojnë karantinën  me stres, pasiguri, frikë apo ankth,  këto reagime do të reflektohen edhe tek fëmijët” shpjegon Enkeleda për Citizens Channel.

  • “Pse duhet t’i laj duart kaq shpesh?”

Fillimisht shpjegojini fëmijës se çfarë është koronavirusi, zgjidhni me kujdes burimet tuaja të informacionit përpara se t’iu përgjigjeni pyetjeve të tyre. Përdorni një gjuhë sa më të kuptueshme në varësi të moshës dhe zhvillimit psikologjik të fëmijës. Bëjini fëmijët të kuptojnë se kjo është një sëmundje e re, për të cilën po kërkohet mjekimi dhe se ne tashmë dimë sesi mund ta zvogëlojmë mundësinë për t’u infektuar, duke theksuar këtu rëndësinë e ruajtjes së higjenës, kujdesin dhe larjen e shpeshtë të duareve, mos prekjen e fytyrës, etj. Mësojini fëmijëve se gjumi i rregullt dhe larja e duarve mirë dhe shpesh mund t’i ndihmojë ata të qëndrojnë të fortë dhe të jenë të shëndetshëm.

Do të ishte mirë që përveçëse t’ia shpjegoni, edhe ta praktikoni vazhdimisht larjen e duarve së bashku me fëmijën tuaj. Duke i lënë fëmijët tuaj t’ju shohin duke larë duart shpesh, ju bëheni një model pozitiv për ta.

  • “Kur do të kthehem sërish në shkollë?”

Në këto kushte, fëmijët mund ta kenë të vështirë të ndryshojnë ndjeshëm rutinën e tyre (p.sh.: mbyllja e shkollave dhe strukturave të kujdesit për fëmijët, distancimi social, izolimi në shtëpi), të cilat mund të cenojnë ndjesinë e tyre të strukturimit, parashikueshmërisë dhe sigurisë. Izolimi në shtëpi, mungesa e kontaktit dhe e argëtimit me bashkëmoshatarët e tyre, nxit ankthin te fëmijët.  Shpjegojini fëmijës se kjo që po ndodh (mbyllja e shkollave, karantina) është pjesë e parandalimit të përhapjes së virusit.

Ndërkohë, ndihmojini fëmijët të vazhdojnë procesin e të mësuarit duke qëndruar në kontakt me shkollën e fëmijës suaj, krijuar një plan pune dhe rutinë të re që fëmija të mësojë në shtëpi por jini fleksibël në varësi të moshës së fëmijës.

Shpjegojini fëmijës se shkolla do të rifillojë pasi virusi të jetë zhdukur dhe ne të jemi të sigurt sërish. Jepu fëmijëve informacion të saktë, faktik dhe të sinqertë rreth COVID-19 dhe situatës së krijuar. Të paturit njohuri të tilla i ndihmon fëmijët të zhvillojnë një sens kontrolli. Kjo e fundit i ndihmon të reduktojnë ankthin që përjetojnë.

  • “Pse nuk mund të shkojmë nga gjyshërit apo të takoj shokët dhe shoqet?”

Shpjegojini fëmijës se kjo që po ndodh (karantina) është pjesë e parandalimit të përhapjes së virusit dhe është mënyra sesi njerëzit mund të mbrojnë veten dhe njeri-tjetrin. Shjegojini fëmijës se njerëzit e moshuar (gjyshërit) janë një kategori e riskuar për marrjen e virusit COVID-19, për këtë arsye është mirë që derisa të mbarojë kjo situatë mos të takohemi me gjyshërit apo miqtë tanë. Gjithësesi, ju mund t’i ndihmoni fëmijët të mbajnë kotakte sociale të rregullta nëpërmjet telefonit apo internetit me anëtarët e famijes dhe miqtë e tyre.

  • “Nëse prindërit e mi janë në shtëpi pse ata duhet të punojnë në vend që të luajnë me mua?”

Shpjegojuni fëmijëve, se kjo situatë ka disa kufizime, siç është nevoja për të punuar nga shtëpia. Në të njëjtën kohë, ftoje fëmijën të kryejë detyrat e shkollës nga shtëpia gjatë kohës që edhe ju jeni duke punuar. Sigurohuni që fëmija mos të kalojë orë të gjata në TV ose në celular. Përpiquni të mbani një rutinë të rregullt. Planifikoni dhe organizoni ditën së bashku më fëmijën si për të mësuarin ashtu dhe aktivitetet argëtuese.

Mos e mbigarkoni fëmijën, por mos harroni që strukturimi i kohës është shumë i rëndësishëm për qëndrueshmërinë e tij mendore.

  • “A do të sëmurem unë? Po me prindërit e mi dhe çfarë ndodh nëse sëmuremi?”

Bëje fëmijën të ndihet i sigurt. Shpjegoji që është normale të ndihesh i mërzitur, i frikësuar apo i shqetësuar. Njohja e këtyre ndjenjave dhe të dish se kohërat stresuese kalojnë dhe jeta do kthehet sërish në normalitet, mund t’i ndihmojë fëmijët të ndërtojnë reziliencën. Mos hezitoni të ndani me fëmijën mënyrën sesi po e përballoni ju stresin, në mënyrë që të mësojnë dhe ata.

Është e rëndësishme t’i shpjegoni se vetë fëmija nuk është në rrezik për jetën, pasi nuk është në një grup risku. Siguroji gjithashtu fëmijët se spitalet dhe mjekët janë të pergatitur për të trajtuar njerëzit që semuren nga virusi. Shpjegoju femijëve se ekspertët e fushës janë duke punuar fort për të gjetur vaksinën që ndihmon në trajtimin dhe parandalimin e virusit.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *