Foto ilustruese nga Google

19 organizata të shoqërisë civile i janë drejtuar me një letër publike Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani, duke kërkuar fillimin e hetimit dhe marrjen e masave disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët dhanë masën “arrest me burg” ndaj Bilbil Hasanit për vjedhjen e një portofoli në autobus. Ai u gjet i vetvrarë në 21 shkurt të këtij viti, në mjediset e burgut 313.

I ndjeri Hasani vuante nga probleme të shëndetit mendor dhe vëllai i tij, në një intervistë për Ora News, bën me dije se ai merrte mjekime prej 18 vitesh.

Këtë e verifikon edhe mjekja psikiatre e të ndjerit, që shpjegon se pas shoqërimit të tij, ka vënë në dispozicion kartelën mjekësore ku vërtetohet se ai trajtohej për sëmundjen e skizofrenisë.

 “Tek unë u paraqit bashkëshortja e Bilbilit, i kam vënë në dispozicion një epikrizë të hollësishme me ecurinë e sëmundjes, diagnozën, bashkëngjitur me të edhe raportin që vërtetonte që Bilbili vuante nga skizofrenia dhe përfitonte grup invaliditeti. Merrte KEMP, pra paaftësi të kufizuar më saktë. I ka pasur të dyja, ja kam vënë në dispozicion bashkëshortes”, pohon mjekja psikiatre Valentina Asabella për emisionin hetues “Stop”.  

Masa “arrest me burg” dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë është ankimuar në Gjykatën e Apelit Tiranë. Gjatë kësaj seance ka munguar avokati mbrojtës i Bilbil Hasanit,  Samir Vishaj, i cili nuk ishte në dijeni të zhvillimit të saj. Këto të dhëna janë bërë publike nga “Stop”.

Por, trupa gjyqësore e përbërë nga znj. Maria Qirjazi (Relatore), znj. Elona Toro dhe  z. Artur Kalaja e kanë anashkaluar procedurën verifikuese nëse njoftimi i av. Vishaj për këtë seancë është realizuar sipas rregullores dhe kanë proceduar me caktimin e një avokati tjetër, av. Erion Kullolli. Kjo, sipas organizatave, përbën shkelje të neneve 128 e vijes, të përcaktuar në Kodin e Procedurës Civile.

Duke vijuar më tej, organizatat në mbrojtje të të drejtave të njeriut denoncojnë përcaktimin e mbrojtësit të të ndjerit Hasani sepse ai nuk e ka kërkuar një gjë të tillë. Kjo bie në kundërshtim me neni 49/pika 5 dhe neni 350/pika 6 të Kodit të Procedurës Penale, veprime këto të cilat nuk janë kundërshtuar nga Prokurori i çështjes.

Në letrën publike, organizatat theksojnë se përcaktimi i palës mbrojtëse për Hasanin ka bërë që avokati të njihet përciptazi me rastin në fjalë, si pasojë e kohës së paktë, çka ka cënuar mbrojtjen ligjore efikase.

Avokati Kullolli, i përcaktuar nga trupa gjykuese në mungesë të palës mbrojtëse të të ndjerit, kërkoi nga trupa gjykues të ndryshojë masën e sigurimit nga “arrest me burg”, në “detyrim paraqitjeje” ose “arrest në shtëpi”.

Gjatë asaj seancë, Bilbil Hasani ka pohuar se ka probleme të shëndetit mendor.

“Bilbil, me se merresh ti? Ti je.. me…kemp?”, dëgjohet kryesuesja Maria Qirjazi në audion publikuar. Bilbil Hasani është përgjigjur se është invalid mendor.

Në këtë letër theksohet se të gjitha palët e përfshira, të cilat dhanë masën e arrestit, ishin në dijeni të sëmundjes mendore të të ndjerit.

Letra dërguar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit thekson se kjo masë arresti mund të shmangej dhe mund të ishin caktuara masa më të lehta, kësisoj mund të ishte shmangur edhe fundi i tij tragjik.

Caktimi i masës së sigurimit personal ‘arrest në burg’ mund të shmangej ndaj shtetasit Bilbil Hasani dhe të zbatoheshin alternativa më të lehta të kësaj mase. Përveç se nuk ka kryer një vepër penale me rrezikshmëri të lartë shoqërore, izolimi i këtij shtetasi të diagnostikuar me çrregullime të shëndetit mendor në paraburgim solli pasoja tragjike në jetën e tij”.

Burgosja e një individi që vuan nga probleme të shëndetit mendor, siç është skizofrenia, bie në kundërshtim me praktikat gjyqësore të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Nisur nga praktika gjyqësore e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, në përgjithësi në këndvështrim të nenit 5 KEDNJ (e drejta për liri dhe siguri) do të ishte e papranueshme që të kufizosh lirinë e një individi me çrregullime të shëndetit mendor, në një mjedis të përshtatshëm terapeutik”, theksohet në reagim.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu