Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Një vështrim përtej izolimit fizik”

Nga Alketa Berzani

*Psikologe/Eksperte e Studimit të Tregut dhe Konsumatorit  

Sot bëhet një muaj nga largimi im prej Shqipërisë dhe pas lashë fillimin e një situate të papritur për të gjithë. Shumë shpejt i gjithë vendi do të izolohej me argumentin e luftës ndaj virusit covid19, përpos këshillave të shumta për higjienë të shtuar.

Distancimi fizik social dhe të punuarit nga shtëpia është një përvojë e re për shumëkënd, veçanërisht në Shqipëri.

Në shoqërinë shqiptare nuk jemi të mësuar me distancën fizike. Shumëkush nga ne, të

Alketa Berzani

rritur e fëmijë, kanë vuajtur nga prekje të bezdisura si shtrëngim dore 3-5 minutësh, prekje në shpatulla, krahë apo gjunj, e deri tek prekja prej ‘kolopuçi’ në faqe nga njerëz të njohur e të panjohur, të kujdesur ose jo për higjienën personale, të pashqetësuar për ndërhyrjen në hapësirën personale apo ndikimin në shëndetin fizik e mendor të tjetrit.

Nuk po flas këtu pastaj për kafenetë me tavolina të ngjitura pas njëra-tjetrës, autobusët e ngjeshur me pasagjerë, zakonin neveritës të të pështyrit apo shfryrë hundët në mes të rrugës, e shumë sjellje të tjera që bien ndesh me kërkesat e sotme për distancim fizik nga kushdo dhe për higjienë të shtuar personale, jo thjesht si një mjet për vetëmbrojtjeje, por edhe si një sjellje përgjegjshmërie ndaj komunitetit që na rrethon.

Kultura jonë e kafeneve apo vizitave në banesë dhe qëndrimit të gjatë me miqtë e të afërmit është karakteristike, një lloj thirrje e brendshme për shqiptarët (ballkanasit në përgjithësi). Të na kërkohet qëndrim i plotë në shtëpi, pa dalë për kafen e zakonshme tek lokali i lagjes, pa shkuar të shohim sport me shokët tek lokali që transmeton kampionatet ‘pa pagesë’, pa shkuar tek lulishtja më e afërt për të shoqëruar fëmijët apo nipër / mbesa apo për të luajtur shah e domino, nuk është e thjeshtë aspak.

Të ndryshosh rutinën e një jete nuk është aspak e lehtë, përndryshe shumëkush do të kishte ndaluar duhanpirjen, alkoolin, sjelljet e pashëndetshme të të ushqyerit, etj. Ndaj edhe nuk mund t’u vë faj atyre që ankohen në rrjetet sociale ose në komunikimet shoqërore personale se sa e vështirë dhe e mërzitshme është të qëndrosh i izoluar dhe “mos të kesh çfarë të bësh”.

Në kulturën tonë të punës gjithashtu nuk jemi të mësuar me vetëdisiplinën, akoma më tepër nëse kjo punë duhet kryer në distancë. Mbikëqyrja, kontrolli, detyrimi janë parë shpesh si instrumente mbarëvajtës në ambientet e punës në Shqipëri, ndonëse ka shumë pikëpyetje për efikasitetin e tyre. Të punosh nga shtëpia kur ke edhe nuk ke hapësirën e duhur për një ‘studio provizore’, mjetet e duhura për t’u lidhur me vendin e punës apo kolegët, për të aksesuar shërbimet e nevojshme për të kryer punën e ngarkuar është e vështirë, për të mos thënë, në disa raste, edhe e pamundur. Nëse shtojmë këtu edhe faktin që në banesë nuk jemi vetëm (sipas një studimi të kryer nga Data Centrum më pak se 3% e banesave janë me 1 banorë), ku familjarët e tjerë mund të jenë të papunë ose pa angazhime shkollore (sikurse gati 1/3 e popullatës) dhe sidomos kur ka prani të fëmijëve të vegjël që kërkojnë vëmendje të shtuar (mos harroni që shumë prindër të rinj punojnë me orë të gjata dhe është një fat i paparë për fëmijët që t’i kenë pranë), nuk mund t’u vë faj atyre që ankohen në rrjetet sociale ose në komunikimet shoqërore personale se sa e vështirë është për ta përballuar punën nga divani.

Dikush ka thënë se situata të jashtëzakonshme kërkojnë masa të jashtëzakonshme. Njerëz, jemi duke jetuar një nga ato situata të jashtëzakonshme mbarëkombëtare dhe duhet të mirëpranojmë se nuk ka mënyrë tjetër përballimi veçse të heqim dorë nga rutina e mëparshme, nga ato zakone instiktive që na duken aq të ëmbla.

Përtej pranimit të realitetit ku po jetojmë, ka mbetur krejt në hije këndvështrimi mbi aspektet pozitive të kësaj situate dhe ndryshimit të zakoneve personale apo ato të të punuarit.

Sa prej nesh janë shprehur se harxhojmë shumë kohë dhe para nëpër kafene, edhe kur kemi shumë punë për të bërë në shtëpi, zyrë, shkollë, etj?! Ja pra, ku po na jepet mundësia të trajnohemi e konsumojmë kafen e përgatitur vetë në shtëpi.

Sa prej nesh janë ankuar nga vizitat e papritura të familjarëve të cilët ende nuk kanë mësuar të bëjnë një telefonatë paraprake?! Ndoshta është ky momenti që të shijoni privatësinë tuaj dhe askush nuk do të trokasë papritur. Ndoshta kështu disa mësohen që këto vizita mund të bëhen më të rralla në të ardhmen.

Sa prej nesh janë shprehur të shqetësuar për higjienën e munguar të kolegut, shokut, vëllait apo pasagjerit në sediljen ngjitur?! Le të shpresojmë që kjo fazë e higjienës së shtuar me detyrim të bëhet natyrshëm pjesë e repertorit të rutinës ditore për këdo.

Madje, mendoj se është një shembull perfekt për fëmijët.

Sa prej nesh janë ankuar për mbingarkesë në punë, trafik të dendur, kohën gjithnjë e më të paktë për të parë fëmijët, prindërit e moshuar që na presin me padurim në shtëpi apo kohën e pamjaftueshme për të lexuar librat që blejmë nëpër panaire (dhe jo vetëm), për të gatuar një vakt ndryshe e të shëndetshëm, për të pastruar dollapin nga rrobat që nuk përdoren asnjëherë, për të rimodeluar dhomën që na duket shumë e zymtë, për t’u kujdesur për lulet që gjithmonë kemi dashur, që të zbukurojmë verandën apo dritaret, për të parë filma apo dokumentarë, për të ndjekur kurse online?! Ja pra, ku po na jepet rasti dhe mundësia, të cilën nuk do ta krijonim dot duke ndjekur të njëjtën rutinë të ngjeshur si më parë.

Mendoni sa e vyer është kjo kohë që po kaloni tani me fëmijët, sa më shumë gjëra po ndiqni mbi arsimimin e tyre, sa lojëra po zhvilloni për t’i mbajtur ata të angazhuar brenda mureve të shtëpisë (duke shpresuar që nuk keni rënë pre e të qetësuarit vetëm me mjete elektronike).

Duke punuar nga shtëpia nuk keni stresin e trafikut dhe as nuk humbisni një orë (apo edhe më shumë) për të shkuar e ardhur nga puna; tetë orë punë janë tetë orë fiks.

Edhe nëse po shfrytëzoni lejen vjetore, mund të bëni maksimumin për qetësi mendore, lexim librash ose të parit filmat e preferuar që keni shkarkuar ose të shfrytëzoni abonimin në Netflix që shpesh ju shkon dëm.

Në këto kushte, falë Zotit, mund të hani vakte të gjithë si familje dhe ta shijoni edhe më shumë ushqimin e praninë e njëri-tjetrit.

Sa prej nesh janë shprehur që kjo punë bëhet edhe nga shtëpia, por s’kanë patur asnjëherë mundësinë për ta aplikuar vërtet?! Ky është momenti i së vërtetës, të kuptoni sa e mundshme dhe e lehtë është të punosh nga divani. Nga ana tjetër, është një mundësi fantastike për t’u përditësuar mbi zgjidhjet teknologjike që ofrohen për të kryer punën tuaj, dhe jo vetëm.

Kush e di sa fëmijë e prindër kanë mësuar të përdorin Zoom-in këto kohë, sa e sa të rritur kanë filluar të shohin si është online banking apo blerjet online?

Është po ashtu një mundësi shumë e mirë për të gjithë punëdhënësit të vlerësojnë si mund ta organizojnë punën në të ardhmen, pozicione dhe mjete për punë në distancë, për më shumë alternativa e metoda teknologjike të cilat përshpejtojnë dhe lehtësojnë zhvillimin e punës, prodhimin, shitjet, etj.

Rrëmbeje këtë mundësi, shiko përtej izolimit fizik, gjej forcën tek vetja të përfitosh për kohë cilësore me familjen, për reflektim mbi jetën dhe rutinën personale, si dhe për rritje personale e profesionale.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *