Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

COVID-19; të miturit në paraburgim nuk përfitojnë nga leja, organizatat kërkojnë lirimin e tyre

Përmes një letre drejtuar Qeverisë shqiptare, organizata Terres des hommes , ka kërkuar dje lirimin e të miturve që ndodhen në paraburgim.

Sipas letrës, janë 18 fëmijë që gjenden në ambjente të paraburgimit në Kavajë, të cilët nuk përfitojnë nga akti normativ i qeverisë ku disa katergorive të të burgosurve iu dha leje për të qendruar në shtëpi.

Rekomandimet e dhëna nga Organizata Botërore e Shëndetit për higjenën personale të diktuara së fundmi rreptësisht nga pandemia, sipas Terres des Hommes nuk mund të zbatohen në kushtet e paraburgimit.

E pyetur për këtë situatë, Rovena Vuksani, juriste pranë Komitetit Shqiptar të Helsinkit shpjegon për Citizens Channel se përse të miturit nuk përfitojnë dot leje qëndrimi të përkohshëm në shtëpi.

Akti normativ Nr.7, datë 23.3.2020 ka përcaktuar kriteret specifike për qëndrimin e përkohshëm në shtëpi gjatë kohëzgjatjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID-19. Megjithatë, subjektet përfitues janë vetëm të dënuarit me vendim të formës së prerë nga gjykata. Të miturit në ambientet e paraburgimit ne Kavajë, nuk janë dënuar ende me një vendim të formës së prerë dhe për pasojë, nuk përfitojnë leje për qëndrim të përkohshëm në shtëpi.”

A munden të miturit të dalin përpara drejtësisë pavarësisht se gjykatat kanë pezulluar veprimtarinë për shkak të COVID-19?

Sipas juristes Vuksani, detyra kryesore është ajo e avokatëve të të miturve për të kërkuar në gjykatë ndryshimin e masës së sigurisë.

“Avokatët e të miturve të paraburgosur, kur përputhen kushtet ligjore, mund të kërkojnë në gjykatë zëvëndësimin e masës së sigurimit “arrest në burg” me një masë më të lehtë alternative, siç është “arresti në shtëpi”, më e përshtatshme edhe me situatën aktuale në vend. Gjykatat, pavarësisht pezullimit të aktivitetit në tërësi, aktualisht nuk i kanë pezulluar proceset gjyqësore përsa i përket masave të sigurimit. Në këtë drejtim, edhe gjykatat duhet të shpejtojnë proceset e vlerësimit të masave të sigurimit, duke marrë parasysh interesin me të lartë të fëmijëve.”

Sipas juristes Vuksani të miturve duhet t’u vihen në dispozicion informacionet mbi mbrojtjen nga virusi si edhe të rritet angazhimi i stafit psiko-social, për shkak të stresit dhe ankthit që mund të shkaktojë kjo periudhë ku veç izolimit do të kenë kontakte të kufizuara me familjarët.

Nisur nga kjo situatë, “Terre des Hommes” ka nisur një sërë rekomandimesh drejtuar Ministrisë së Drejtësisë:

  1. Përshpejtimi i lirimit të fëmijëve nga paraburgimi duke u dhënë përparësi: atyre që akuzohen apo gjykohen për krime të vogla, dhe atyre me probleme mjekësore;
  2. Masat për privimin e fëmijëve nga liria duhet të shndërrohen në masa alternative dhe me mbeshtetje komunitare;
  3. Kushtet e lirimit duhet të përbëjnë mbështetje të specializuar për të mundësuar riintegrimin e sigurt të fëmijëve në mjediset e tyre familjare dhe komunitare.
  4. Kur nuk është i mundur lirimi i fëmijëve në kundërshtim me ligjin, atëherë institucionet duhet të sigurojnë që këta fëmijë të gëzojnë të njëjtat standarde të kujdesit shëndetësor që janë në dispozicion në komunitetin e jashtëm. Kjo përfshin masa përforcuese parandaluese siç janë praktikat WASH dhe distancimi shoqëror. Duhet të sigurohen masa karantine miqësore ndaj fëmijëve, të  cilat  respektojnë  të  drejtat  e njeriut  dhe  të  drejtat  e  fëmijëve,  siç  janë këshillimi  me  video,  komunikimi  me  familjet,  aksesi  në  shërbime  shëndetësore  dhe  në informacion.

Terre des hommes (Tdh) është organizatë zvicerane për të drejtat e fëmijëve, që ofron ndihmë përmes programeve të shëndetit, mbrojtjes dhe ndihmës emergjente, në më shumë se 40 shtete të botës.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit është organizatë joqeveritare e fokusuar në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut në Shqipëri.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *