Foto Ilustruese ; Burimi: GettyImages

Autore: Nikoleta Kovaçi | Citizens Channel

Që prej datës 10 mars, kur Ministria e Arsimit doli me një urdhër për nisjen e mësimit online vendi, është përfshirë nga një debat i madh, në të cilin janë të përfshirë disa kategori zbatuesish; mësues, prindër dhe nxënës nga klasa e parë deri në të 12-ën. Mes tyre gjendet një kategori mjaft interesante; mësuesi- prind dhe kryefamiljar njëherësh.

Urdhri në fakt, i parë si i ndarë nga konteksti i kohës dhe i situatës, është mjaft optimal! Është si të thuash, i vendosur në një vend me një platformë të mirë shtrirë në të gjithë vendin, siç, fjala bie, Shqipëria të ishte një vend i Perëndimit.

Edhe fëmijët shqiptarë, kryesisht nxënësit e moshës së adoleshencës e më lart, duket se janë në gjendje të vijojnë të jenë personat që mund të ofrohen si shembulli më i mirë i prakticitetit të kësaj forme mësimore, por ngërçi, ai që është zot i kësaj kohe pa shpjegim, është situata në të cilën u propozua dhe u vu nxitimthi në zbatim ky urdhër, i huazuar nga vendet perëndimore.

Propozimi-urdhër, lë të paqartë nxënësit dhe mësuesit

Urdhri i datës 10 mars, u shpërnda nëpër Drejtoritë Arsimore të qarqeve e deri më sot, e me gjasë për shumë kohë, do të mbetet aty si një ‘as nën mëngë’ në raste fatkeqësish.

Më pas, drejtoritë Arsimore e përcollën tek titullarët e institucioneve, në rastin konkret, drejtorët e shkollave. Këta e përcollën te ‘trekëndëshi’; mësues-prind-nxënës!

Po çfarë ka ndodhur me këtë trekëndësh përgjatë gjithë kësaj periudhe eksperimentale?

Nga të dhënat e shumta që janë bërë pjesë e kësaj analize, është mësuar se, për jo pak, por rreth tre javë, ky urdhër nuk ka mundur të jetë më shumë sesa eksperiment në një pjesë të mirë të vendit.

Mësues të papërgatitur për këtë risi, të tronditur nga kurthi që ka ngritur prania e një virusi vdekjeprurës, që kërcënon jetën e kujtdo, duke qenë në një amulli të pashoqe frike dhe shprese, si kurrë më parë, duket se janë zënë në befasi me metodën e propozuar nga Ministria e Arsimit.

Duke iu referuar dy udhëzimeve të lëshuara nga MASR, por edhe praktikave të ndjekura nëpër shkolla, familje, testime e opinionet e ndryshme të qytetarëve të përfshirë drejtpërdrejt në këtë proces, shihet qartë se ka kontestime të panumërta jo vetëm për pamundësinë e zbatimit të këtij urdhri në shkallë vendi, por madje edhe për qasjen e vlerësimit, ngarkesave (për të gjithë aktorët) e deri tek mungesa e mjeteve të punës edhe në familje të mundura ekonomikisht.

Duke iu qasur problemit në një sërë rrafshesh, pjesë e kësaj analize janë bërë; një prind dhe njëherësh pedagoge, ekspertë të komunikimi dhe praktikues të ‘learnig online’ dhe një mësuese, njëherësh prind dhe kryefamiljare.

Nga të dhënat që disponohen dhe që janë publike, pretendohet se janë mbi 81% e fëmijëve të që kanë qasje në internet. Dhe me të drejtë, ata mund të mbeten tek arsyetimi-pyetës; pse duhet të mbeten peng i një 19%-i që nuk i ka mundësitë, pjesa tjetër?

Këtu nis edhe navigimi në të gjithë problemin që ka sjellë propozimi i dhënie-marrjes online të mësimit nga ana e mësuesve, duke shkuar deri tek nxënësi nëpërmjet prindit dhe anasjelltas. Është sërish prindi përcjellësi nga fëmija i tij- nxënës për te mësuesi e më tej, është mësuesi që e çon stafetën e fëmijës tek instancat menaxheriale të disa rangjeve!

  • Por, a janë të gjithë prindërit e gatshëm për këtë platformë?
  • A gjenden në çdo familje mjetet e komunikimit në nivelin e përcjelljes dhe shkëmbimit të materialeve mësimore?
  • Në ç`kushte operon një mësues prind dhe njëherësh kryefamiljar kur, në këtë kohë masash drastike ka fasha oraresh për të përmbushur nevojat e familjes?
  • Po kur në të njëjtën orë që i duhet të jetë online me 5 klasat ku jep mësim dhe njëherësh edhe fëmija i tij duhet të ketë nevojën e prindit për të komunikuar me mësuesin e vet?!
  • Po kur edhe prindi edhe fëmija-nxënës kanë vetëm një mjet komunikimi dhe iu duhet të dyve në të njëjtin orar të jenë online dhe aktiv?!
  • Po kur nxënësi e ka të pamundur t`i përgjigjet platformës për shkak se familja e tij jeton vetëm me një ndihmë ekonomike dhe nuk ka asnjë pajisje teknologjike në shtëpi?!
  • Po kur nuk mbërrijnë valët e antenave celulare?
  • Po kur oferta modeste në telefonin e prindit apo të vetin i përfundon me dy ushtrime dhe ‘interneti falas’ nuk ka kapacitetin për të vijuar në mënyrë normale mësimin online për orë me radhë 5 ditët e javës?!

Mësuese, prind dhe kryefamiljare njëkohësisht, sfida e arsimit online

M.Gj është në marrëdhënie pune dhe për një mori arsyesh refuzon që t`i bëhet publik emri i plotë. Është prind i një fëmije në klasën e parë dhe njëkohësisht mësuese që jep mësim në 5 klasa të ndryshme. Ajo ka gati dy dekada përvoje mësimdhënie në një zonë rurale të vendit. Jo dhe aq larg Tiranës nga ku doli dhe u shpërnda ky urdhër.

M.Gj thotë se pranon sfidën e të mësuarit të fëmijës online, por shton se në kushtet e izolimit për shkak të COVID19, është një ngarkesë e pa përballueshme:

“Situata është e re, ndaj nevojitet që mësuesi të përshtatet me rregulla të reja në një kohë të shkurtër. Ky lloj komunikimi në dy javët e para ishin me plot gojën stresues. Nëse e mendon mësuesin edhe si prind i një fëmije që i duhet qëndruar mbi kokë për mësimet e tij, apo dhe kryefamiljar, ku orari për të bërë furnizimin e familjes përkon me orarin e komunikimit me nxënësit, është thuajse e pamundur. Por mësuesi është ai që mendon se do ia dalim. Si, nuk e di, por duhet t’i japin pozitivitet nxënësit për dyshimet që ka për arritjet, prindit që shqetësohet për situatën dhe për dijen e fëmijës, e llogaridhënies së eprorëve në çdo moment, edhe kur formularët vijnë në orën 22:00! Po përsëri duhet të jemi pozitivë dhe optimistë. Jemi në mbyllje të periudhës dhe, krahas vlerësimit të vazhduar, duhet bërë dhe vlerësimi me test edhe vlerësimi i dosjeve. Nga njëra ana duhet bërë një vlerësim motivues që nxënësit edhe pse janë të vetëdijshëm që punojnë në kushte jo shumë të favorshme, të mos demoralizohen nëse nuk arrijnë aty ku do të ishin në kushte normale. Nga ana tjetër, të vetëdijshëm që ka gjithmonë një grup të vogël që do të donin të përfitonin në çdo kohë e situatë, për të paraqitur një punë të dikujt tjetër si të tyren”.

Prindërit të ndarë në dëshira dhe mundësi

Duket se situata kaotike që ka shkaktuar prania e një virusi që kërcënon jetën tonë, ka bërë që prindërit të jenë të ndarë për sa i përket këtij sistemi mësimor. Ka nga ata që janë të kënaqur për faktin që i kanë mundësitë t`iu shërbejnë fëmijës së tyre, për shkak të kushteve, por ka të tjerë që jo vetëm që nuk janë në gjendje por nuk i kanë as mjetet e duhura në dispozicion. Të tjerë ankohen për kohën e gjatë që fëmija i tyre duhet të jetë në internet, por ka edhe nga ata që nuk duan që fëmija i tyre të ekspozohet në grupe të përbashkëta me prindër të tjerë.

Klasat online në Televizionin Publik Shqiptar

E.T prind i një nxënësi që mëson në klasën e 3-të fillore:

Nxënës duke studiuar në kushte shtëpie – Foto dëshmi që ju dërgohen mësuesve dhe drejtorisë së shkollës

“Mësimi online kishte si qëllim që nxënësit të mos mbesnin prapa me mësime. Gjithashtu, kjo formë do të mund t`i largonte ata nga përditshmëria. Fëmija im është në fillore dhe qëndrimi përpara kompjuterit për 5 orë, sipas orarit mësimor është shumë i ekzagjeruar! Kjo bën efekt të kundërt, sepse i dëmton shëndetin dhe e lodh! Gjithashtu në shtëpi, ne disponojmë vetëm një laptop, kështu që jemi në debat të përhershëm se kush do të punojë më parë. Nga ana tjetër, përdorimi i platformave të rekomanduara nga MASR nxit një lloj konkurrence midis nxënësve dhe prindërve, që iu qëndrojnë në kokë! Unë do të preferoja që shkolla të mbyllej me rezultatet aktuale. Viti të mos humbej dhe të gjendej një mënyrë tjetër rikuperimi. Kjo duke pasur parasysh edhe situatën tejet të rënduar psikologjike të të gjithëve për shkak të jetesës në pandemi!”

Por ka prindër të cilët kanë preferuar dhe i kanë kërkuar Ministrisë së Arsimit që mësimi të shfaqet në televizionin publik shqiptar, si një mjet komunikimi i drejtpërdrejtë që paguhet me taksat e secilit prind.

“Online e mësim, më mirë sesa në shtëpi e pushim”

Kështu e quan qasjen e saj në të mësuarit online Edlira Gjoni, eksperte e komunikimit që e aplikon prej kohësh këtë sistem me studentët e saj.

Ajo është optimiste, ndonëse shton se është e pamundur që mësimi online të shtrihet në të gjithë Shqipërinë:

Edlira Gjoni

“Arsimi është i gjithi në provë, që nga fillori, deri tek sistemi pas-universitar; jo vetëm në Shqipëri. Pandemia e Covid-19 ka ngritur mure pranie në institucionet arsimore të gjithë botës. Ndryshimi me Shqipërinë është se vendet që ne duam t’ju ngjajmë më fort, kanë disa vite që e praktikojnë te nxënit në distancë, rrjedhimisht, janë disi më të përgatitur që të vjelin maksimumin nga kjo mënyrë e re mësimore. Ministria shqiptare e Arsimit reagoi në kohë për të transferuar interaktivitetin me nxënësit dhe studentët, fillimisht në ekranin publik, e më pas, edhe në internet, me klasat dhe platformat e shumta falas që ofron interneti. Nuk është shpikje e MASR, prandaj edhe nuk duhet sulmuar nëse jo gjithçka shkon fjollë. Bota buçet prej vitesh nga shprehja ‘Jetojmë në kohën e interneti’ dhe ja ku jemi, në provën që na vendos ai dhe teknologjia, e të mos harrojmë, nxënësit dhe studentët janë përdoruesit më të rregullt të tij”.

Nxënësit e periferisë të përjashtuar nga mësimi online edhe vështirësitë për mësuesit e klasave kolektive

Duke iu referuar udhëzimit të dalë me 21 mars nga MASR, i emërtuar “Agjencia e sigurimit të cilësisë së arsimit parauniversitar-Udhëzues për realizimin e Programit Lëndor dhe vlerësimit të nxnësve gjatë mësimit në kushtet e shtëpisë”, në pikën 5 të tij hasen edhe direktivat për formimin e klasave kolektive. Në udhëzim është konkretizuar një tre hapësh që duhet të ndiqet nga mësuesi, i cili duhet ta ngre këtë klasë si një shtesë në një mori pafund udhëzimesh që kanë dalë në të dy urdhrat, pra atë të datës 10 dhe 21 mars.

Por në lidhje me këtë formim klase online, mësuesja M. Gj tregon se sa është vështirë ka qenë. Bëhet fjalë për një numër të lartë nxënësish, mbi 25 për secilën klasë. Ajo tregon pengesat e shumta që hasen, duke hedhur dritë edhe mbi dukuri me të cilat jeton zona në të cilën ajo shërben.

Duke qenë njohëse e mirë e situatës, e gjendjes së secilës familje, fëmijën e së cilës mëson, ajo nuk ngurron të tregojë se jo të gjithë janë të mundur t’i mundësojnë fëmijëve klasat online:

“Nxënësi hyn në komunikim me një adresë që e hap prindi. Por jo çdo prind është në gjendje ta udhëheqë fëmijën e tij në këtë drejtim. Kjo varet nga qasja që ai ka me teknologjinë. E fëmijët nën moshë, nuk duhet të hapin një adresë të tyren, aq më shumë kur prindi nuk ka njohuritë e duhura t’i kontrollojë, e vetë fëmija nuk di të ruhet. Pa pyetur për grupin, që dy javët e para pati internet dhe tani i mbaroi oferta dhe interneti falas i premtuar nuk është aq cilësor sa të hapë udhëzimet që vijnë. Apo grupi që përpiqet të komunikojë vetëm me sms, se nuk ka fare internet, e të tjerët që nuk kanë as valë telefoni në zonat e thella në të cilat banojnë!”

Pro dhe kundër mësimi online

Të gjithë aktorët e pyetur në këtë vëzhgim mbi mësimin online bashkohen në një pikë; mungon është qartësia, saktësia e të dhënave, kontrolli, e vërteta e pjesëmarrjes, e vëmendjes, e testimit, e përfitimit, e aftësimit të nxënësve!

Sipas praktikueses së kësaj metode, znj. Gjoni, pranohet se vendet, të cilave duam t’ju ngjajmë, vërtet kanë vite që ofrojnë mësim online, por e bëjnë këtë sepse kanë një sistem të tërë të ngritur posaçërisht për këtë qëllim. Kanë platforma e aplikacione të blera apo të ndërtuara enkas për klasat e tyre. Kanë kode hyrëse e dalëse që regjistrojnë automatikisht aktivitetin e nxënësve, duke regjistruar kështu pjesëmarrjen. Kanë diskutime e ushtrime të tilla që i lejojnë mësuesit (të stërvitur e trajnuar), që të kontrollojë aty për aty njohurinë dhe vëmendjen në mësim.

Ka teste që bëhen në kohë reale e kontrollohen po ashtu në kohë reale, sepse të tilla i mundëson sistemi i ngritur për këtë qëllim. Ka programe që bëjnë kontrollin për origjinalitetin e testeve apo eseve, e ka filtra mes nxënësve dhe mësuesve. Të gjitha këto ndihmojnë sistemin e sistemi, nga ana e tij, ndihmon nxënësit, por edhe mësuesit, që duhet pranuar, jo të gjithë i kemi pararojë në përdorimin e teknologjisë.

Por mësimi online në Shqipëri është në fazën eksperimentale dhe kjo qëlloi në një periudhë të vështirë, ku nuk ka vend për pilotime, por u hodhëm drejt e në veprim në çdo nivel. Është sfidues. Kërkon vëmendje, mbikëqyrje të imët e shumë durim. Mes turravrapit për tu përfshirë në një sistem të pa shtrirë në kohë as terren, në një kohë krize e epidemie shëndetësore kritike, debati që është ngritur për këtë çështje duket se s`ka patur mundësi të dalë përtej mureve të shtëpive ku zhvillohet kjo sfidë.

A do të mbërrijnë në zyrën e hartuesve, të ministres dhe të kompetentëve të Arsimit shqetësimet, propozimet, angazhimet, qëllimet dhe pamundësitë e të gjithë të përfshirëve në këtë sistem?! Po japim sinjalin e parë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu