Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Përjashtimi nga ndihma e kthen në mjerim izolimin për komunitetin rom dhe egjiptian

Në zonën e Rrapishtës në Elbasan, familjet e komunitetit rom dhe egjiptian po përballen me vështirësitë që sa vijnë e rriten bashkë me ditët e izolimit, për shkak të COVID-19.

Ndërsa ato pak para të hequra mënjanë shterojnë, ata mbeten të privuar nga aktiviteti ekonomik që ju mundësojnë jetesën dhe apelojnë për ndihmë.

Me anë të Vendimit të Këshillit të Ministrave (VKM) të publikuar në datën 27 mars, shteti shqiptar ka përcaktuar kategoritë të cilat do të përfitojnë atë që është quajtur “paga e luftës” për të kapërcyer vështirësitë e izolimit. Këtu përfshihen individë që trajtohen me ndihmë ekonomike apo kanë statusin e punëkërkuesit dhe të vetëpunësuarit/punësuarit në biznese që kanë xhiro vjetore nën 14.000.000 lekë.

Grupet që i sigurojnë të ardhurat përmes punës informale, siç është shitja e rrobave të përdorura apo mbledhja e materialeve të riciklueshme, mbeten jashtë kësaj skeme edhe pse janë ndër më të rrezikuarat nga pasojat ekonomike.

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi ka rekomanduar një javë më parë Qeverinë të zgjerojë listën e përfituesve, duke përfshirë edhe kategoritë e pafavorizuara të shoqërisë.

Të padukshëm në lupën e qeverisë shqiptare

Me ça do jetojmë ne? Veç me ajrin, të rrimë brenda të mbyllur? A është e mirë kjo për ne? Çfarë ka thënë kryeministri, ne i kemi zbatuar. Kemi ndejtur brenda në shtëpi”. Kështu shprehet Hatixhe Raifi, e cila prej një muaji ka ndërprerë aktivitetin e saj të shitjes së rrobave të përdorura. Ajo kërkon të marrë trajtimin e duhur si qytetare në nevojë, pasi nuk ka tjetër burim jetese.

Xhemile Raifi

Duhet t’i mbrojë të gjithë njerëzit, të gjithë popullin se të gjithë një shpirt kemi, të gjithë. Dua prej atij që të na japë një ndihmë sepse ne kemi punuar në të zezë, domethënë, shesim lecka, hamë bukë. Sa ishte tregtia, me popullin, shit dy lecka, ha bukë. Tani kërkojmë një ndihmë prej Kryeministrit që të na ndihmojë edhe neve”.

Të vetëdijëshëm për situatën e rëndë, ata kanë respektuar masat qeveritare por tashmë burimet jetike kanë shteruar dhe kërkojnë nga shteti shqiptar t’u shtrijë dorën deri në kalimin e pandemisë.

Deri më përpara nuk i kam kërku ndihmë shtetit që të më sjellë bukë, se dilja vetë, punoja, e kisha mundësinë. Tani kjo është krizë globale në të gjithë botën. Ato 5 lekë që kemi pasur i kemi ngrenë se po bëhet një muaj, një muaj jemi të izoluar brenda në shtëpi”, shprehet Iljaz Raifi, babai i tre fëmijëve për Citizens Channel.

Ai pohon se kërkesat e tyre janë minimale dhe varfërinë e thelluar, Raifi e konsideron po aq të rrezikshme sa edhe vetë virusin.

Iljaz Raifi

Një ndihmë me paketë ushqimore dhe një ndihmë të vogël financiare që shtyjmë muajin. Nuk po kërkojmë as të ngremë vilat, as të hamë naj ushqim luksoz, thjesht me shty mujin. Kaq. Nuk do vdesim, se po dalim kshu tani, nga virusi nuk do vdesim po do vdesim nga uria se s’do hamë bukë, normale”.

Të tjerë banorë të këtij komuniteti shprehen se tashmë, të gjendur pa asnjë të ardhur, kanë hyrë në borxhe dhe dyqanet nuk pranojnë t’u japin më ushqime me listë.

Një tjetër barrë e rëndë është pagesa e dritave. Ata apelojnë për lehtësira nga ana e shtetit pasi nuk kanë burime që gjenerojnë të ardhura.

Agim Hasani

Skemi asnjë lekë, asnjë gjë. Ai thotë po nuk i pagove dritat, ujin, do t’i presim. Ai thotë i moshuari të rrijë brenda. Po ça do hamë?”, thotë Agim Hasani për Citizens Channel.

Dylaver Demiri, një tjetër pjesëtar i komunitetit, tregon se ata e kanë bërë detyrën e tyre si qytetarë dhe kanë respektuar urdhëresat për të qëndruar në shtëpi. Ai shprehet se tashmë është radha e qeverisë për t’u ardhur atyre në ndihmë.

Dylaver Demiri

Ne deri dje kemi punuar me krahët tona e djersën tonë, kemi nxjerrë bukën e gojës. Kurse sot e dimë shumë mirë që është krizë, është virusi që ka hy për të gjithë ne. Nuk dum t’i bëjmë keq njëri-tjetrit, duhet të mbrohemi si shokë e si vëllezër që jemi. Edhe familjet i mbrojmë, rrimë nëpër shtëpia, jemi dakord me ligjin që e ka nxjerrë Rama, po njerëzit kanë nevojë o vlla, dun të hajnë”.

Paketa e ndihmës i kthen në të padukshëm personat që punojnë në tregun informal

Juristi Gentjan Serjani tregon se paketa e ndihmës e përcaktuar me VKM e tillë nuk merr në konsideratë një grup të konsiderueshëm individësh të cilët marrin fitime përmes informalitetit.

Referuar vendimit të nxjerrë nga qeveria, pasi edhe vendimet po dalin në mënyrë të shpeshtë dhe po ndryshojnë brenda ditës apo brenda dy ditëve, shohim që subjektet përfituese, nuk janë edhe nuk parashikohen persona të cilët punojnë në informalitet”, pohon Serjani për Citizens Channel.

Gentian Serjani, jurist

Por edhe këto familje të cilat deri dje mendonin për buxhetin e shtetit, sot e shohin veten që as nuk mund të punojnë për shkak të kushteve dhe për urdhërimet që Kryeministri ka përcaktuar, që nuk duhet të lëvizin nga shtëpia dhe nuk mund të ushqejnë familjen e tyre. Në këtë situatë, ata janë sikur nuk ekzistojnë në shtetin shqiptar”, thekson ai.

Komisioneri për Mbrojtjen Kundër Diskriminimit, Robert Gajda, artikulon se një ndër rekomandimet e këtij institucioni është përfshirja e tregtarëve ambulantë, të cilët gjenerojnë të ardhura përmes shitjes së produkteve të përdorura, punë që kryhet në masë të madhe nga komuniteti rom dhe egjiptian.

Robert Gajda, Komisioneri Kundër Diskriminimit

Pjesë e rekomandimit ka qenë dhe një vemendje për tregtarët ambulantë, ku dhe ketu le të themi përfshihen ndër të tjera edhe tregjet e materialeve të përdorura apo rrobave të përdorura, me të cilën kryesisht jetojnë komuniteti rom dhe egjiptian. Siç dihet tashmë, në shumë dokumente që i përkasin Shqipërisë, janë konsideruar si grupet më të prekura, sidomos në gjendjen ekonomike – në kohën normale e jo më në ditë të vështira”.

Bashkia Elbasan në rolin e koordinatorit

Përmes një interviste me Citizens Channel, Ervin Saraçi, zëvendës kryetar i Bashkisë Elbasan tregon se pasi u regjistruan rastet e para me Covid-19 në Shqipëri, ata evidentuan familjet në nevojë, duke e konsideruar komunitetin rom dhe egjiptian si në nevojë të menjëhershme, të cilët janë ndihmuar me pako ushqimore nga organizatat.

Bashkia Elbasan organizoi menjëherë një operacion humanitar që konsistoi fillimisht në vlerësimin dhe evindentimin e individëve apo familjeve të prekura ekonomikisht nga gjendja e krijuar dhe më pas në ofrimin e ndihmës bazuar në shkallën e domosdoshmërisë për secilin prej individëve apo familjeve.

Ervin Saraçi, zëvëndës-kryetar i Bashkisë Elbasan

Familjet e komunitetit rom dhe egjiptian u vlerësuan si në nevojën më imediate prandaj organizatat, pjesë e operacionit humanitar, u orientuan të ndihmonin me pako ushqimore falas fillimisht këto familje”.

Konkretisht, janë shpërndarë 240 pako ushqimore në Rrapishtë 200 pako në lagjen Beqir Dardha, 40 pako në Paper dhe disa të tjera në Bradashesh, bën me dije Saraçi.

Paketat ushqimore janë ofruar nga organizatat dhe Bashkia Elbasan ka luajtur rolin koordinues.

Ndihmat e deritanishme kanë qenë donacione dhe Bashkia ka luajtur rolin e koordinatorit të procesit. Ne kemi orientuar organizatat drejt familjeve më në nevojë, si edhe jemi munduar që paketat ushqimore të kenë produktet e shportës bazë së ushqimeve dhe atyre te higjienës. Pakot e ofruara nga organizatat kanë qenë me një sasi të caktuar produktesh, por të llogaritura të mjaftueshme për një periudhë më të gjatë se dy javë për një familje mesatare”.

Nga ana tjetër, përfituesit i konsiderojnë të pamjaftueshme ndihmat e marra nga organizatat.

Tani, ne kërkojmë thjesht një ndihmë ekonomike, që ta përballojmë këtë situatën, ndonjë paketë ushqimore që të na vijë në shpi se me një paketë ushqimore, tre pako makarona, një ujë nuk mund të rrojë çdo familje ktu. Unë jam pesë anëtarë vetë, kam tre fëmijë”, shprehet  Iljaz Raifi.

Të tjerë banorë tregojnë se i kanë konsumuar produktet e shportës ushqimore.

Vetë jam e sakatosur, pa bukë jam, pa lekë jam, ato ushqime që na keni dhënë edhe ato i kemi mbaruar, çfarë do bëjmë sot neve që skemi asnjë gjë?

Hatixhe Raifi

Vete e lypnja, merrnja 200 – 300 lekë, që mezor e mbanja shpirtin me bukë. Vemi nëpër qeveri që të ankohemi për bukë, për ushqime, ato nuk na pyesin si romë që jemi. Venë i dorëzojnë andej lart”, thotë Xhemile Raifi.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

One Response

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *