Klasat digjitale në vitin 2015; Foto: Ministria e Arsimit

Në shtator 2015, gjatë një vizite në gjimnazin “Sami Frashëri” për ditën e parë të shkollës, Kryeministri Rama shfaqte ambicien për ta shtrirë projektin e klasave dixhitale në të gjitha gjimnazet e vendit.

“Deri në çeljen e vitit të ri shkollor 2018-2019, të gjitha gjimnazet e Shqipërisë të jenë të tilla dhe nga ana tjetër, nga oborri i kësaj shkolle besoj se s’ka vend më të përshtatshëm për t’ju uruar një vit të ri të mbarë të gjithë nxënësve”, deklaronte Kryeministri nga oborri i gjimnazit Sami Frashëri.

Deklaratat vinin pasi Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë shpalli në nëntor 2014 fituesit e tenderit për “Furnizimin dhe instalimin e pajisjeve dhe tabletave për integrimin e platformës e-learning, për shkollat e mesme të përgjithshme”.

Pas një kalvari të gjatë skualifikimesh, ankesash e kundër-ankesash, “Infosoft Systems” sh.p.k mori nga buxheti i shtetit një shumë prej 329’273’600 lek, pa TVSH.

 

Projekti i Ministrisë së Arsimit parashikonte në atë kohë të blinte tableta elektronike për t’u përdorur nga 47 mijë nxënës në 60 gjimanze në të gjithë vendin. Për realizimin e projektit, Qeveria shqiptare i mori bankës UniCredit, një kredi prej 3.5 milionë eurosh për krijimin e 120 klasave “inteligjente”. Ky projekt, në qëllimin e tij synonte modernizimin e sistemit arsimor në Shqipëri, përmes e-edukimit, duke ngritur 120 klasa inteligjente në 60 gjimnaze te vendit, 43 prej të cilave ishin në zonat urbane dhe 17 në zonat rurale.

Screenshot i transaksionit të Ministrisë së Arsimit për klasat digjitale

Në mbështetje të projektit të pajisjes së shkollave me tableta, Ministria e Arsimit në datën 16 qershor 2015, me një udhëzim shpall konkursin për tekstet shkollore digjitale për vitin shkollor 2015-2016. Sipas këtij udhëzimi, kërkohen tekste shkollore digjitale për nxënësit e klasave të dhjeta, në shkollat të cilat kanë laboratorë me tableta për integrimin e platformës e-learning. Me anë të këtij udhëzimi, kërkohet nga shtëpitë botuese të marrin pjesë në konkurrim për tekstet shkollore  digjitale.

Udhëzim i ministres së Arsimit, Lindita Nikolli

Përpos tenderave, udhëzimeve dhe tentativave për të vënë në zbatim mësimin me anë të platformës “e-learning”, sot Shqipëria gjendet përpara të njëjtës sfidë, asaj të mësimit online, por pa mjetet e nevojshme për ta zhvilluar atë.

Rigels Xhemollari, drejtues i Qëndresës Qytetare, organizatë e angazhuar në çështjet e arsimit, tregon se këto procedura ngritën jo pak shqetësime për klientelizëm dhe konflikt interesi në atë kohë:

“Qeveria shpenzoi 3.5 milionë euro duke blerë 5850 tableta me justifikimin e përfshirjes së teknologjisë në mësimdhënie. Ky projekt përfshinte 120 klasa dixhitale në 60 shkolla. Kjo nisëm u shoqërua edhe nga një tender i dytë për dixhitalizimin e teksteve shkollore të klasave të 10 ku kompania fituese u përfol për lidhje të ngushta me Ministren e Arsimit të asaj kohe e cila ishte autore librash në këtë shtëpi botuese dhe ndryshoi Udhëzimin Nr. 20, 16/06/2015 për të favorizuar këtë operator”.

Rigels Xhemollari

Sipas Xhemollarit projekti dështoi për shkak të mungesës së infrastrukturës mbështetëse dhe kapaciteteve njerëzore për të mundësuar mësimin me tableta apo teksteve dixhitale.

Në shkollat ku u aplikua projekti mungonte interneti, prizat në klasa dhe mësuesit “inteligjentë”. Megjithëse Kryeministri deklaroi se deri në 2018 do pajisen të gjitha gjimnazet me tablet ky projekt ngeli në nivel tenderi dhe jo strategjie afatgjate, tabletat nuk u vendosën në punë, nuk u zhvillua metodologji mësimi dhe vlerësimi online”.

Për shkak të situatës së shkaktuar nga pandemia e virusit korona, tashmë sistemi arsimor ka bërë një kthesë të detyruar drejt mësimit online, nga pamundësia për të qenë fizikisht në ambjentet arsimore.

Për drejtuesin e Qëndresës Qytetare, kjo situatë do të menaxhohej më mirë nëse projekti pilot i pajisjes me mjetet digjitale do të ishte zbatuar.

Nëse ky model pilot do të ishte aplikuar sipas parashikimeve dhe qeveria do ta shpërndante nismën në të gjitha gjimnazet sot nuk do të kishim fëmijë pa mjete dixhitale pasi do të ishin të pajisur me tabletat e shkollës, nuk do të kishim mësim dhe dije të pa certifikuara, por një metodologji vlerësimi dhe tekste të dixhitalizuara dhe të unifikuara për të gjithë studentët. Pra Shqipëria do të ishte vend model në Rajon dhe më gjerë për menaxhimin e mësimin nën stuatën e Covid 19.”

Mësimi online, përmes sfidave dhe pamundësive

Menjëherë pas identifikimit të rasteve të para të prekura me Covid-19, Ministria e Arsimit vendosi të pezullojë mësimin deri në një njoftim të dytë. Më 9 Mars 2020, përmes një deklarate për shtyp ministrja e arsimit, Besa Shahini, bëri me dije se mësuesit do të vazhdojnë të punojnë nga shtëpia dhe do të krijojnë klasa virtuale në rrjetet sociale.

Procesi mësimor tashme prej një muaji ka kaluar online, ku mësuesit të gjendur të papërgatitur janë përpjekur të ngrenë grupet e tyre online me nxënësit. Në pamundësi të një platforme të unifikuar për të gjitha shkollat, ky proces më së shumti po kryhet përmes grupeve në WhatsApp.

Për Fatos Vreton, mësues matematike në gjimnazin Polis në Librazhd, ky proces mësimor online i ka vendosur përballë sfidave të përditshme me teknologjinë.

“Ka mësues të cilët nuk janë të mësuar me teknologjinë dhe si pasojë janë të detyruar ta japin materialin mesimor nëpërmjet fëmijëve të tyre ose komshinjve. Nga ana tjetër,ka nxënës të cilët banojnë në zona të thella dhe si pasojë nuk kanë qasje në internet, apo dhe familje me varfëri të theksuar të cilët nuk disponojnë telefon smart apo tablet. Për këtë kategori nxënësish, mësuesit janë të detyruar t`ua japin temën apo materialin mësimor nëpërmjet telefonit të thjeshtë dhe gjithashtu i presin përgjigjet e pyetjeve në këtë lloj rruge,” – rrëfen ai për Citizens Channel.

Fatos Vreto, mësues matematike

Vreto ndan shqetësimin se shkollat ishin të pa përgatitura për realizimin e procesit mësimor në këtë formë.

Shkolla jonë nuk ishte shumë e përgatitur për të kaluar direkt në këtë lloj mesimdhenieje pasi interneti është i kufizuar. Për këtë arsye jemi të detyruar ta zhvillojmë mësimin vetëm në grupe whatsapp-i. Nuk mund të përdorim aplikacione të tjera siç janë Zoom apo Google Classroom, kjo për shkak se në rradhë të parë nxënësit nuk kanë internet mjaftueshëm për të bërë mesim më zë dhe video online si dhe ka mësues të cilët nuk mund t’i përdorin këto lloj programesh”, sqaron mësuesi i matematikës.

Për Fatmir Kryeziun, drejtuesin e gjimnazit “Dilaver Nezha” Qukës, në qytetin e Përrenjasit, kalimi në mësimin online nxori në pah problematika të rendësishme për këtë proces.

Ai rrëfen se më herët mësuesit dhe nxënësit nuk lejoheshin të përdornin telefonin në orën e mësimit, me urdhër të Ministrisë së Arsimit.

Asnjëherë mësuesit nuk patën bërë mësim me telefon, përkundrazi nuk i lejonim të përdornin telefonin, pasi ishte kundër rregullores. Ne si mësues e patëm shumë të vështirë pranimin e kësaj mënyre duke pasur parasysh që në strukturën e shkollës sonë 70% e përbëjnë mësuesit mbi moshën 50 vjeç, të cilët kanë vështirësi në përdorimin e telefonit apo programeve të ndryshme për mësimin online. Por dhe nxenesit nuk ishin ushtruar në këtë lloj mësimi, pavarësisht se përdorin mirë telefonin.”

Fatmir Kryeziu, drejtues i gjimnazit “Dilaver Nezha”

Aksesi në internet për nxënësit veçanërisht në zonat rurale është një ndër problematikat më thelbësore gjatë këtyre ditëve mësimi.

“Pas ngritjes së grupeve sipas klasave dhe mësuesve që japin mësim patëm vështirësi nga nxënësit pasi jo të gjihtë nxënësit kishin telefon celular. Nga klasa e parë deri në klasën e pestë, asnjë nxënës nuk kishte telefon, ndërsa nga klasa e gjashtë deri në klasën e 12-të, vetëm rreth 20% e nxënësve kishin telefon. Edhe ata që kishin telefon, zotëronin model të vjetër, të pamundur për lidhje me internet. Ata që kishin një ofertë interneti pas disa ditësh u përballën me përfundimin e saj dhe me pamundësinë për të bërë rimbushje. Theksoj këtu se rreth 80% e kryefamiljarëve të nxënësve  të shkollës janë me përkrahje sociale,” tregon për Citizens Channel, drejtuesi i shkollës.

Sipas tij, puna e mësuesve tashmë është e jashtëzakonshme dhe e lodhshme duke u kthyer në heronj të heshtur.

Për Suelv Sulo, nxënës i klasës së 11-të në një nga shkollat e qytetit të Vlorës, problematika e njëjtë dhe më kryesore është pamundësia për të qenë online e të gjithë nxënënsve.

Ajo kryesoja eshte se jo te gjithe kanë mundesinë për të qënë online dhe për të ndjekur mësimin, e për pasojë ngelen shumë mbrapa nga pjesa tjetër e klasës. Një tjetër problematikë është se mësimi bëhet në “WhatsApp” dhe jo në Google classroom, e për pasojë mësimi shpjegohet me voice nga mësuesit dhe 90% e nxënëse thjesht i dëgjojnë, por nuk e kuptojnë mësimin dhe po të pyesin përseri është shumë e vështirë të kuptohet. Kjo ndodh kryesisht në lëndët shkencore,” tregon Suelvi.

Imelda Rruplli, maturante në gjimnazin “Ibrahim Muça”, Librazhd, rrëfen se mësimi online nuk krijon mundësinë e zhvillimit të të gjitha lëndëve mësimore.

Oraret e zhvillimit të mësimit janë problematike, pasi mësimi zhvillohet kur mësuesit gjejnë një orar të lirë. Jo të gjitha lëndët mund të zhvillohen. Matematika ka shumë vështirësi. Provimet mund të bëhen vetëm me alternativa dhe nuk na japin mundësi të zhvillojmë ushtrime në shkenca ekzakte”.

Të njëjtën problematikë ndan edhe maturantja e gjimnazit të Shkodrës, Enxhi Qershija. Pamundësia për të marrë informacionet e duhura në tremujorin e tretë të vitit shkollor, sipas saj, mund të ndikojnë në rezultatet e provimeve.

Aktualisht po i zhvillojmë të gjitha lëndët, por jo të gjitha me përgatitjen e duhur sepse kjo varet edhe nga mësuesi nëse është përshtatur me metodën e re të organizimit. Kemi edhe mësues në moshë të madhe që kanë vështirësi në përdorimin e aplikacioneve. E vetmja gjë që mund të penalizojë në provime është që mësimet e mbetura të tremujorit të tretë do të zhvillohen online dhe nëse nuk i mësojme mirë do të ndikojnë në rezultatet e provimeve,”-rrëfen maturantja Enxhi Qershija.

Përaqësuesi i Qendresës Qytetare, Rigels Xhemollari shpjegon për Citizens Channel se mësimi online në arsimin parauniversitar është jo efektiv dhe se Ministria e Arsimit dhe Sporteve duhet të niste mësimin online duke certifikuar një platformë unike për vlerësimin e dijeve.

“Së pari provimet dhe testet nëpërmjet WhatsApp dhe Facebook janë mënyra argëtimi për prindërit e nxënësve dhe jo mjete për të vlerësuar dhe certifikuar njohuritë e nxënësve për shkak të mungesës së sigurisë dhe integritetit. Së dyti, mësimi online po zhvillohet në kushte diskriminuese dhe përjashtuese për të paktën 30% të nxënësve, të cilët i përkasin shtresave në nëvojë dhe nuk mund të kenë akses në internet apo të sigurojnë pajisje digjitale. Ndërkohë, mësimi që jepet nëpërmjet RTSH ka problematika me oraret, kohën televizive të pamjaftueshme në dispozicion, tekstet e pa unifikuara duke krijuar konfuzion tek nxënësit mbi njohuritë e marra deri në këto moment.

Pamundësua për të pasur akses në internet, i ka hequr të drejtën për mësim shumë nxënësve në zonat rurale, të cilët sipas të dhënave nga Drejtoritë Arsimore nuk do të marrin vlerësim në lëndët ku nuk kanë marrë pjesë. Vlerësimi i tyre do të kryhet bazuar në të dhënat para tremujorit të fundit të këtij viti shkollor.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu