Demonstrim i nje testi per koronavirus, Kopenhagen Foto nga AP

“Testime, testime, testime. Testoni çdo rast të dyshimtë. Nëse ata rezultojnë pozitiv, izolojini dhe gjeni personat që kanë pasur kontakt më të afërt me ta, testojini dhe ata persona gjithashtu”, ky ishte mesazhi i drejtorit të përgjithshëm të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Ghebreyesus më 16 mars.

Vetëm disa ditë përpara se gjendja shëndetësore e Boris Johnson të përkeqësohej, Kryeministri britanik u shpreh se testimet janë e vetmja rrugë për të zgjidhur “puzzle-n” e koronavirusit.

Sa lloje testesh për koronavirusin ka?

Testi për të vërtetuar nëse jeni pozitiv apo jo me COVID-19 realizohet me anë të një provëze, duke marrë material nga hunda ose fyti, i cili dërgohet në laborator për të kontrolluar nëse ka gjurmë të bazës gjenetike të virusit.

Testimi i koronavirusit me ane te antitrupave

Testit tjetër për të cilin diskutohet është ai i antitrupave, i cili përcakton nëse personi e ka kaluar apo jo koronavirusin dhe në këtë mënyrë një pjesë e popullsisë mund t’i kthehet jetës sociale, ndërsa pjesa tjetër vazhdon karantinën. Këto teste funksionojnë si testet e shtatzënisë, vetëm duke vendosur një pikë gjaku tek pajisja specifike.

Pse është i rëndësishëm testimi?

Dy arsye kryesore; të diagnostikohesh individualisht dhe të analizosh sa shumë është përhapur virusi. Informacioni i saktë për përhapjen e virusit lidhet me masat e duhura që ndërmerren për distancimin social.

A mund të testohem?

Testimi nuk është i mundur për pjesën më të madhe të njerëzve. Testimet realizohen vetëm për personat që shfaqin simptoma dyshuese të sëmundjes.

Shtetet të ndryshme në nivele testimi të ndryshme

Sipas Our World in Data, media shkencore online, disa shtete si Islanda apo Estonia kanë të dhëna shumë të sakta për sa i përket testimeve, me detaje edhe për grupmoshën, gjininë, zonën etj., ndërsa shtete të tjera kanë shumë pak të dhëna ose aspak. India ka tërhequr vëmendjen e mediave botërore për numrin e ulët të testimeve në përpjesëtim me popullsinë. “Pse India po teston kaq pak” shkruan BBC, duke e konsideruar pandeminë si një sfidë të vërtetë për sistemin e tyre shëndetësor.

Një shembull suksesi në zhvillimin e testeve është Koreja e Jugut, që duke marrë mësim nga ajo çka ndodhi në Wuhan, ka realizuar deri në 15 mijë teste në ditë apo edhe Gjermania me 12 mijë testime në ditë.

Sfida me testimet kanë hasur dhe superfuqitë si USA. Departamenti Amerikan i Shërbimeve Njerëzore dhe Shëndetësore ka publikuar një raport mbi eksperiencën e spitaleve në përballjen me COVID-19 në periudhën 23 – 27 Mars. Spitalet raportuan vështirësi për kryerjen e testeve nga mungesa e kiteve, kërkesë të lartë për testime dhe shtatë ditë ose më tepër pritje për marrjen e rezultateve, çka do të thotë vështirësi në trajtimin e pacientëve gjatë kësaj kohe për shkak të moskonfirmimit të sëmundjes.

Shqipëria dhe Kosova, dy vendet me më pak testime në rajon

Shqiperia dhe shifrat e rasteve, vdekjeve, testimeve per koronavirusin nga Worldometers

Të dhënat zyrtare të publikuara në faqen worldometers tregojnë se Shqipëria dhe Kosova janë dy vendet që kanë realizuar më pak teste në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Kështu, Mal i Zi renditet në vend të parë me 3708  testime për një milion banorë, Maqedonia e Veriut  qëndron në vend të dytë me 3154 testime, më pas renditet Serbia me 1413 të tilla. Shqipëria shënon 1120. Për Kosovën mungon listimi i të dhënave por nga një përllogaritje e përafërt rezulton se numri i testeve është më pak se një mijë për milion banorë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu