Shëtitorja e Durrësit e boshatisur nga njerëzit; Foto: Mila Ballhysa | Citizens Channel

Autore: Mila Ballhysa | Citizens Channel | Durrës

Ora 17.30. Në kohë normale, shëtitorja bregdetare do të ishte vendi me përqendrimin më të madh të banorëve në Durrës. Megjithëse jemi fillimi i muajit prill dhe moti është i ngrohtë, shëtitorja është tërësisht e zbrazët.

Tërmet-korona ka gjunjëzuar sektorin e turizmit dhe shërbimeve. Tërmeti i 26 nëntorit 2019 me dëmet e mëdha që la pas dhe tani Covid-19 që është ulur këmbëkryq në kontinentin e vjetër, kanë goditur rëndë operatorët turistikë në Durrës.

Vasil Luadhi

“Kemi mbetur në pikë të hallit. Të gjitha prenotimet që ishin bërë për sezonin veror u anuluan. Qeveria deri tani nuk ka dalë me një paketë ndihmëse për sektorin e turizmit. Unë kam 30 punonjës që nuk dua t’i humb, sepse është bërë një investim 5-vjeçar për trajnimin dhe formimin profesional të tyre. I kam paguar vetë në mars. Të gjithë operatorët në këtë periudhë nuk kanë para për të përballuar rrogat pa pasur punë. Covid-19 na zuri në fazë investimesh, nuk kemi para cash”,- thotë Vasil Luadhi, administratori i Diamma Resort, në zonën e Golemit.

Në strukturën e tij hoteliere qëndruan për rreth 3 muaj 370 qytetarë të Durrësit të mbetur të pastrehë nga tërmeti i 26 nëntorit, por për Luadhin situata e 4-5 muajve më parë nuk ka të krahasuar me situatën e krijuar nga Covid-19, megjithëse dhe atëherë goditja ishte një shok për turizmin.

Adil Beqiraj

“Kur bëra një krahasim të të ardhurave në mars 2019 me mars 2020, konstatova se tani kemi 4-fish më pak arkëtime. Kjo gjendje është tek restoranti, sepse hoteli është thuajse zero. Përgjatë gjithë marsit kemi pasur vetëm një dhomë të zënë”,- deklaron për Citizens Channel, Adil Beqiraj, administrator i restorantit dhe hotelit “2 Kitarat”. Hoteli i tij ka një specifikë ndryshe nga resortet buzë detit, ai është një hotel në qytet dhe ka klientelë çdo muaj të vitit.

“Goditja që kemi pësuar është e fortë. E çova vetë në Zyrën e Punës listën me punonjësit që shkurtova. Të paktën të përfitojnë pagesën e papunësisë. Unë e kam të pamundur t’i paguaj të gjithë. Kam mbajtur më të domosdoshmit, madje edhe ata janë përshtatur për të kryer detyra të ndryshme nga ato që kanë mbajtur deri në fillim të marsit. Për herë të parë, që nga hapja e restorantit dola të blija vetë peshk”,- vijon më tej Beqiraj. Për t’u përshtatur me situatën, restoranti nga data 25 mars funksionon vetëm në shërbimin delivery. Për të paguar pagat e punonjësve dhe mbajtur lidhjen me klientelën, bizneseve u duhet të përshtaten me situatën e luftës.

Eduart Xhepa

Ndërsa kreu i Shoqatës Shqiptare të Turizmit (ATA) në Durrës, Eduart Xhepa, njëkohësisht administratori i restorantit dhe hotelit “Aragosta” krahas humbjeve që po pëson në këtë periudhë sektori i turizmit nuk lë pa përmendur edhe humbjet që pësojnë hallkat e zinxhirit që janë në shërbim të tij.

“Në kohë normale unë kam rreth 30 furnitorë. Njësoj si ne edhe ata janë të stopuar. Nëse ne nuk nisim punë, edhe ata janë të penalizuar. Rrezikon gjithë prodhimi vendas”,- thotë Xhepa.

Agjencitë turistike lejohen të rrinë hapur, por nuk kanë çfarë të shesin

Bllokimi i transportit detar dhe ajror nxori “jashtë loje” agjencitë turistike. Qeveria i ka përfshirë në listën e bizneseve që lejohen të ushtrojnë aktivitetin, por nuk kanë çfarë të shesin.

“Kjo është një manovër e qeverisë për të mos paguar punonjësit tanë me pagën e luftës. Ata e dinë që ne nuk kemi si punojmë në një kohë që transporti i udhëtarëve me tragete apo avionë është i bllokuar. As me paketat turistike nuk mund të operojmë, sepse situata është e ngrirë gjithandej”,- thotë Edmond Basho, administratori i agjencisë Albtours D.

Edmond Basho

Në mars dhe prill, agjencitë turistike nuk kanë arkëtuar dhe as presin të arkëtojnë të ardhura. Madje u është dashur të rimbursojnë të gjitha biletat e anuluara gjatë kësaj periudhe.

“Nëse qeveria do të marrë përsipër pagesën e qirave dhe pagat e punonjësve, për ne situata mund të jetë më e përballueshme. Deri tani i kemi paguar vetë punonjësit, kuptohet me paga të reduktura, sepse thuajse të gjithë marsin kemi qëndruar mbyllur”,- vijon më tej Basho.

Kërkesat e operatorëve turistikë

Plani A i qeverisë Rama nuk parashikonte asnjë ndihmë për sektorin e turizmit. Në planin B që pritet të prezantohet në 15 prill janë paralajmëruar paketa ndihmëse për këtë sektor, që konsiderohet nga Këshilli i Ministrave si motor për ekonominë.

Enver Mehmeti, president i Vas Group, njëkohësisht kryetar i Shoqatës Shqiptare të Turizmit, bën të ditur se shoqatat e këtij sektori i janë drejtuar qeverisë me 3 shkresa zyrtare, ku kanë parashtruar kërkesat e tyre. Deri tani, qeveria dhe ministri Blendi Klosi u kanë bërë vetëm premtime verbale.

Në datë 14 mars, pak ditë pasi koronavirusi kishte “trokitur” në Shqipëri, Shoqata Shqiptare e Turoperatorëve dhe Agjencive Turistike (ATOA) parashtroi kërkesat e mëposhtme në qeveri.

  1. Pezullimin e pagesës së tatim fitimit minimalisht për një periudhë 3 mujore dhe në vazhdim përshtatjen e llogaritjes së saj me vitin aktual;
  2. Subvencionimin e pagesës së sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për një periudhë 3-6 mujore;
  3. Reduktimin e taksave vendore dhe shtyrjen e afatit të pagesës së tyre të paktën deri në fund të muajit Qershor;
  4. Akordimin e granteve ose kredive me interes “0%” për mbështetjen e nevojave për likuiditet të kompanive turistike.

Sipas Mehmetit, në të gjitha takimet e organizuara me operatorët turistikë është vënë theksi në ndërhyrjen e shtetit për të mbrojtur këtë industri kaq të rëndësishme, që siguron rreth 8.5% të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB).

Enver Mehmeti

“Operatorët turistikë të shoqatës sonë janë të shqetësuar për stafin e tyre, pasi janë asete që nuk zëvendësohen kollaj. Janë me mijëra punonjës që rrezikojnë vendin e punës. Për të mos folur këtu për punonjësit sezonalë, pasi shifrat rriten shumë më tepër”,- thotë Mehmeti.

Sipërmarrjet e akomodimit dhe të shërbimeve në funksion të turizmit përbëjnë rreth 15% të gjithë sektorit të shërbimeve si dhe 11% të të gjithë aktiviteteve ekonomike në Shqipëri, nga ku 93 mijë kanë qenë të punësuarit direkt dhe mbi 291 mijë ishin të punësuarit total në këtë sektor përgjatë 2017. 

Në mes të muajit mars, Këshilli Botëror i Udhëtimit dhe Turizmit (WTTC) parashikonte se rreth 50 milionë vende pune në këtë sektor mund të humbasin për shkak të pandemisë, raporton BBC.

Ndërkohë, Organizata Botërore e Turizmit (UNWTO) kërkoi pak ditë më parë që turizmi të shikohet me prioritet në planet e rimëkëmbjes së ekonomisë që do të zbatojnë qeveritë e ndryshme.

Pritshmëritë e operatorëve turistikë për vitin 2020

Shqipërinë e kanë vizituar gjatë vitit 2019 një numër rekord prej 6.4 milionë të huajsh, me një rritje prej 8.1% në krahasim me vitin e kaluar, sipas të dhënave të INSTAT.

Për këtë vit, parashikimet janë të zymta, të paktën deri tani. Operatorët shpresojnë të punojnë vetëm në korrik-gusht, në të kundërt sektori rrezikon të gjithë vitin.

“Tani për tani kemi një shpresë të vogël për periudhën korrik-gusht. Shpresojmë tek pushuesit vendas dhe ata nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Nëse do të rinisin udhëtimet me avion apo charter mund të shpresojmë për turistë nga Skandinavia, Gjermania, Çekia etj. Por gjithçka varet nga sa do zgjasë pandemia dhe kur do të lehtësohen masat”,- thotë Vasil Luadhi.

“Nëse do të nisin të lehtësohen masat dhe do të rinisin udhëtimet mund të flasim edhe për paketa apo udhëtime turistike. Por edhe këto do të varen nga sa do të preken njerëzit nga kriza e koronavirusit, sa do t’u rëndojë në xhepin e tyre”,- nënvizon Edmond Basho.

Pak ditë më parë, nëpër rrjete sociale mori shumë shpërndarje një apel drejtuar shqiptarëve që të pushuar në hotelet tona, për të konsumuar dhe blerë prodhimet dhe produktet tona, me qëllim që të ndihmojmë në rimëkëmbjen e ekonomisë shqiptare në periudhën pas Covid-19.

Pikërisht kësaj ideje i mëshon fort edhe kreu i shoqatës së turizmit në Durrës, Eduart Xhepa.

“Këto vite, të gjithë kanë menduar për pushime jashtë; politikanët, VIP-at apo dhe njerëzit e thjeshtë. Ka ardhur koha t’i rikthehemi turizmit vendas. Të gjithë shqiptarët t’i thërrasin mendjes. Çdo lek ta harxhojnë në vendin e tyre. Pikë së pari duhet të mendojmë për vendin tone, për ekonominë tonë”,- deklaron Xhepa për Citizens Channel.

Industria e turizmit është gjithë sy e veshë nga informacionet që jepen për përhapjen e koronavirusit kudo në botë dhe masat që qeveritë evropiane i përditësojnë dy herë në muaj, në varësi të ecurisë së Covid-19.

Në plazhin e Durrësit dhe zonën turistike të Shkëmbit të Kavajës, pasojat që la pas tërmeti i 26 nëntorit janë të dukshme me sy të lirë. Ndërsa tërmeti i shkundi fort, por i la në këmbë, koronavirusi i detyroi të mbyllin dyert. Rikthimi sa më i shpejtë i turistëve dhe klientelës mbeten për ta shpresa e vetme për të mos humbur një vit të tërë. Në të kundërt, humbjet e luftës do rrezikonin shumë prej tyre…

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu