98 persona të cilët kanë kryer krime seksuale me të miturit, tashmë kanë përfunduar dënimin dhe janë të lirë, ndërkohë që asgjë nuk është bërë as për rehabilitimin e as për mbikqyrjen e tyre. Në të gjitha rastet e identifikuara të krimeve seksuale me te miturit, asnjë prej tyre nuk është identifikuar si pedofil nga drejtësia shqiptare. Këto të dhëna janë pasqyruar nga një investigim i Qendrës Shqiptare MediaLook, për krimet me fëmijët nënë moshën 14-vjecare, për periudhën kohore 2010-2019. Informacionet e mbledhura janë marrë në rrugë zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme, Gjykatat e Rretheve dhe policia, ndërsa janë analizuar 151 vendime gjyqësore.

Elvin Luku, drejtues i Qendrës Shqiptare MediaLook, shpjegon për Citizens Channel se mos njohja e pedofilisë si term në vendimet gjyqësore është një nga problematikat kryesore që ngrihet në studim.

Kjo tipologji krimesh seksuale me të miturit, trajtohet njësoj si krimet e tjera kur dihet që secila vepër ka specifikat e veta. Në rastin konkret, nga analiza e 151 vendimeve që përbëjnë 50% të numrit total të vendimeve për krimet seksuale në dhjetë vitet e fundit, na ka rezultuar se vetëm në një vendim përmendej termi pedofili dhe vetëm në një rast është kryer ekspertim për ta diagnostikuar atë. Kjo krijon probleme dhe bën që gjithë sistemi i drejtësisë të dështojë pasi me vendimet e tyre gjykatat vetëm dënojnë por nuk rehabilitojnë këtë kategori personash“,-tha Luku.

Sipas studimit qytetet ku banojnë 61 pedofilë që tashmë kanë shlyer dënimin janë Tirana, Durrësi, Elbasani dhe Korca.

Vendodhja e 98 pedofilëve të liruar pas kryerjes së dënimit për krime seksuale me të mitur/ Grafika: Qendra Shqiptare MediaLook

Ndërtimi i një harte me vendodhjen e abuzuesve sipas Elvin Lukut është kryer për të rritur kujdesin e komunitetit përreth, pasi rreziku i paraqitur dhe prirja e përsëritjes së veprave të tilla është e lartë.

“Rreziku është shumë i madh. Autorët e krimeve seksuale me të miturit, kanë prirje që të përsërisin të njëjtën vepër pasi pedofilia klasifikohet nga OBSH dhe Shoqata Amerikane e Psikiatërve si një sëmundje psikike e cila duhet kuruar pasi në të kundërt përshkallëzon. Madje edhe organet hetimore, në 25% të rasteve kanë vërtetuar se këta persona janë recidivistë ose përsëritës. Kjo është arsyeja pse ne kemi ndërtuar dhe një hartë me vendodhjet e tyre, duke krijuar një lloj alerti te komunitetet përreth, por duke ruajtur në maksimum të dhënat e tyre personale,”-sqaron më tej Luku.

Përgjatë periudhës kohore 2010-2019, rastet e abuzuesve seksuale variojnë nga mosha 16 vjeç deri në mbi moshën 60 vjeç.

Mosha e abuzuesve Grafika: Qendra Shqiptare MediaLook

Të miturit nën 14 vjec që kanë rënë viktimë e krimeve seksuale në Shqipëri, nëntë vitet e fundit janë 38 djem dhe 93 vajza. Dy prej tyre të moshës nën 5 vjeç, 48 të mitur nga 5-9 vjeç, 109 të mitur nga 10-14 vjeç.

Raporti gjinori viktimave/ Grafika: Qendra Shqiptare MediaLook

Nga personat që kanë kryer dënimin për krime seksuale me të mitur dhe më pas janë liruar, sipas studimit vihet re se 47 prej tyre kanë kryer dënimin për “marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur nën 14-vjec”, nga të cilët 17 me dhunë. 25 prej këtyre krimeve janë kryer brenda rrethit familjar, ndërsa 32 vepra kriminale janë kryer nga fqinj ose miq të familjes së viktimës.

Raporti abuzues-viktimë/ Grafika: Qendra Shqiptare MediaLook

Shteti shqiptar përballë rasteve të pedofilisë

Në nëntë vitet e fundit të marra në studim,rezulton se vetëm 3.3% e rasteve nga 151 vendime për krimet seksuale me të mitur nën 14-vjeç janë zbuluar nga strukturat përgjegjëse shtetërore.

1% në 151 vendime për krime seksuale me të mitur nën 14-vjec gjatë periudhës 2010-2019 përdorin termin “pedofili”.

2% e hetimeve prej viteve 2014-2019 mbi pedofilinë online kanë përfunduar me një vendim dënimi.

6% e vendimeve për krimet seksuale kanë hequr përgjegjësinë prindërore kur babai ka abuzuar seksualisht me fëmijën.

1% e vendimeve për krime seksuale me të mitur nën 14-vjec në periudhën 2010-2019 kanë dhënë dënim plotësues për mjekim të pedofilit e ndërsa 48 pedofilë të cilët kanë rifituar lirinë mbikqyren nga 2 oficerë policie në Tiranë.

Drejtuesi i Qendrës Shqiptare MediaLook, shprehet për Citizens Channel se kapacitetet për t’i mbikqyrur abuzuesit janë të pamjaftueshme.

Elvin Luku – Drejtuesi i Qendrës MediaLook

“Institucionet shqiptare zotërojnë dosjet e gjurmimit për këta individë por e kanë të pamundur praktikisht që t’i mbajnë nën kontroll pasi Seksionit Kundër Dhunës në Familje dhe Fëmijëve përbëhet nga një numër shumë i kufizuar efektivesh të policisë të cilët janë njëherësh të ngarkuar për hetimin e rasteve të tjera kriminale, përfshi parandalimin, gjurmimin dhe ndjekjen e precedentit kriminal. Për t’iu dhënë një shembull në Tiranë janë të paktën 48 persona që janë liruar pasi kryen dënimin për abuzime seksuale dhe për t’i mbikëqyrur ata janë vetëm dy efektivë.”

Referuar studimit drejtësia shqiptare gjendet e papërgatitur për trajtimin e problematikës së pedofilisë. Vetëm në 1 nga 151 vendime për krime seksuale me të mitur nën 14-vjec në 10-vitet e fundit përmendet termi “pedofili” dhe është kryer ekspertim për të diagnostikuar atë, por nuk është dhënë asnjë dënim plotësues për trajtim mjekësor të tyre (neni 60/11), pavarësisht se 25% e tyre janë konfirmuar nga organet e hetimit si recidivistë.

Sipas Lukut, gjykatat në rastet e abuzimeve seksuale me fëmijë duhet të kërkojnë analizë psiqike të të pandehurit.

“Kur kemi të bëjmë me krime ose abuzime seksuale ku përfshihen të miturit nën 14-vjec, gjëja e parë që gjykata duhet të kërkojë është ekspertimi psikik i të pandehurit. Është ekspertiza që do të përcaktojë nëse kemi të bëjmë në një rast pedofilie dhe në çfarë shkalle është sëmundja psikike. Varësisht nga këshillat e psikiatërve rekomandohet që bashkë me dënimin të kryhen dhe terapi mjekësore në mënyrë që këta individë të rehabilitohen”. 

Pedofilia online është po ashtu një ndër mënyrat e shpeshta të këtyre veprave kriminale, por janë dërguar në gjyq vetëm një numër i vogël i tyre. Sipas statistikave zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme gjatë periudhës Janar 2014-Qershor 2019, nga 128 hetime të nisura për pedofili online (nenin 117) vetëm 14-prej tyre kanë përfunduar, nga të cilat 12 janë pushuar dhe dy janë dërguar në gjyq. Në vitin 2019 janë 8 çeshtje në hetim për pedofilinë online, ku asnjë prej tyre nuk është dërguar në gjyq.

Sipas Lukut, Prokurorët në Tiranë pohojnë se materialet e referuar nga ana e policisë s’kanë prova të mjaftueshme, ndërsa kërkon rritje të kapaciteteve njerëzore dhe logjistike në këtë drejtim.

“Në dijeninë time ka punonjës në Policinë Kriminale që janë shumë të kualifikuar por edhe ata janë në numër të kufizuar. Këta duhet të mbështeten si në burime njerëzore ashtu dhe në logjistikë. E dyta, në Kodin Penal të gjitha krimet seksuale online kategorizohen në Nenin 117, si Pornografi. Ndërkohë që me zhvillimin e teknologjisë, platformave interaktive dhe të njëcastshme duhet ndryshuar Kodi Penal për të trajtuar gamën e gjerë të veprave penale përfshi dhe ato që njihen si “sexting” apo “grooming”. 

Kliko këtu për të lexuar më shumë.

Çfarë është pedofilia?

Referuar përkufizimit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), pedofilia klasifikohet si një sëmundje e çrregullimit psiqik, pjesë e çrregullimeve parafilike. Pedofilia karakterizohet nga një dëshirë seksuale intensive dhe e vazhdueshme e cila manifestohet nga mendime, fantazi, nxitje dhe sjelle seksuale, që përfshin fëmijët, vajza dhe djem, para pubertetit ose në pubertetin e hershëm. Në mënyrë që të diagnostifikohet si crregullim pedofilik, me kod 6D32, individi duhet të ketë tentuar apo të ketë vepruar mbi këto mendime, fantazi, dëshira ose të ketë shprehur shqetësimin për to. Kjo diagnozë nuk vlen për sjelle të tilla seksuale mes fëmijëve në moshë të afërt.

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu