Që nga momenti kur shkollat u mbyllën për shkak të COVID-19, nxënësit e ciklit 9-vjeçar dhe gjimnazistët po vijojnë mësimin në distancë përmes Radio Televizionit Shqiptar dhe platformave online.

Kjo formë e mësimdhënies, e cila nuk duhet të përbënte risi, e ka gjetur Shqipërinë të papërgatitur duke krijuar kaos dhe vështirësi mes mësuesve dhe nxënësve, të cilë shpesh i kthehen rrjeteve sociale si e vetmja mënyrë për të shkëmbyer informacion.

Historia e mësimit online dhe klasave inteligjente nuk është e re për Shqipërinë. Rreth 3.5 milionë euro janë shpenzuar në një projekt ambicioz të Qeverisë shqiptare në vitin 2014 për blerjen e tabletave dhe krijimin e klasave inteligjente, por sot nxënësit pohojnë sot se asgjë nuk iu është vënë në dispozicion.

Nxënësit shqiptarë gjenden para situatës ku duhet t’i drejtohen aplikacioneve si “WhatsApp” apo “Messenger” që deri dje janë përdorur për të komunikuar në mënyrë informale – ndërsa sot shërbejnë si të vetmet mjete për vijimësinë e mësimdhënies.

Në datën 4 prill, Ministrja e Arsimit Besa Shahini, publikoi në profilin zyrtar në “Facebook” një video ku i përgjigjej shqetësimeve të prindërve dhe nxënësve mbi problemet e mësimit online, duke i siguruar se platformat po funksionojnë dhe procesi po vijon në mënyrën më të efektshme në kushtet e izolimit.

Nxënësit e gjimnazeve kanë zgjedhur t’i përgjigjen me të njëjtën mënyrë ministres së arsimit. Në këtë video, maturantja Maria Milloshi ngre disa pyetje mbi shifrat që ministrja Shahini ka dhënë për aksesin në internet dhe televizion të familjeve shqiptare.

Besa Shahini:98% e familjeve shqiptare kanë televizor në shtëpi. Këtë e dimë nga statistikat që mblidhen nga instituti i Statistikave, ndër vite. Pra, jemi të sigurt që një pjesë e madhe e nxënësve tanë po i shohin leksionet në Radio Televizionin Shqiptar, dhe në këtë formë nuk po mbesin mbrapa me mësime”.

Maria Milloshi:Më lejoni t’u them që mua më pëlqejnë jashtë mase statistikat, sidomos kur i plotësoj vetë dhe eliminoj numrat me presje. Meqë ra fjala tek statistikat, zonja Besa, ju thatë se 98% e shqiptarëve kanë televizor në shtëpi. Nuk e di nëse i referoheni atyre me DVBT2 apo pa? 

Besa Shahini: “97% e të gjitha familjeve shqiptare kanë një telefon celular, kryesisht smart, në shtëpi dhe kjo është arsyeja se pse po arrijnë që të jenë në komunikim mësuesit dhe nxënësit në një masë shumë të madhe. “

Maria Milloshi: “Përsa i përket smartphonave. Juve thatë që 97% e shqiptarëve kanë smartphonave. Nëse i referoheni diçkaje të tillë, quhet ‘Nokia me dritë”. 

“Unë i them Stop stresit” – Maturantët i përgjigjen Ministres Shahini

Nxënësit kanë nisur një fushatë online, duke fotografuat slogane të shkruara mbi pankarta, ku i kërkojnë institucioneve të krijojnë lehtësime për këtë vit të vështirë shkollor.

 

Fillimisht tërmeti i 26 nëntorit 2019 pezulloi procesin mësimor për disa javë dhe më pas për shkak të pandemisë, nxënësit tregojnë se ndihen të papërgatitur për t’u përballur me provimet e maturës, që do të vendosin rrugëtimin e tyre drejt universiteteve.

Mungesa e njohurive mbi teknologjinë po pengon procesin mësimor

Mësuesit nuk dinë të përdorin teknologjinë Për më tepër janë të pakoordinuar me njëri-tjetrin, ata dërgojnë mësime pothuajse pa orar. Në shkollë bënim, le të themi, 6 orë mësim ‘produktiv’ tashmë bëjmë 24 orë në 7 ditë të javës vetëm mësim aspak produktiv”, shprehet maturantja Albjona Braha në videon e postuar në internet, në kuadër të nismës.

Kjo mesele, sipas saj, vjen si pasojë e mospërdorimit të teknologjisë më herët.

Deri dje, në shkollat tona nuk përdorej aspak teknologji në mësimdhënie ndërsa ne sot duhet ta bëjmë atë të funksionojë”.

 

“Ndoshta ju dukem pak e çuditshme por nuk jam unë e çuditshmja. I çuditshëm është fakti që ne kemi tekste të digjitalizuara ndërkohë që ne nuk kemi as kompjuterë për zhvillimin e lëndës së informatikës”, thekson në videon e saj Maria Milloshi.

Ajo ngre një sërë shqetësimesh që lidhen me detyrat dhe testimin e dijeve në kushtet e reja: “Ne duhet të ngriheshim herët, duhet të bënim detyrat e shtëpisë, të klasës njëkohësisht, duhet të testoheshim me gojë edhe me shkrim, ndërsa testimi me gojë u bë drejtpërdrejt nga kamerat e ‘WhatsApp’”.

Ekonomia

Zonja Shahini, gjëja elementare që duhet për të zhvilluar mësim online- duhet të jemi të gjithë të pajisur me smartphone dhe internet në shtëpitë tona. Prindërit e fëmijëve, me një pagë minimale nuk mund t’u sigurojnë fëmijëve të tyre këtë luks për të zhvilluar mësimin online”, thotë në vijim Albjona Braha.

Një tjetër maturante, Fatmira Mandrri, sjell në vëmendje aspektin ekonomik si faktor penalizues për familjen në vështirësi, duke u mohuar atyre kështu barazinë ndaj dijes.

Kushtet ekonomike të gjithë secilit, nuk janë të njëjta dhe jo gjithëkush rastis të ketë telefonin e tij personal, ose një Ipad ku të marrin mësimet. Duhet të punojnë të gjithë me telefonat e prindërve dhe kjo bën që të bëhet një “real mess” (ngatërresë e vërtetë) dhe tre-katër fëmijë me një telefon bëhet një ngatërresë e madhe. Ka raste kur humbasin detyrat”, thekson Mandrri në videon e saj.

Probleme të tjera

Duke e konsideruar mësimin online si të jo efektiv, maturantët tregojnë se e kanë humbur pjesën më të madhe të vitit shkollor:

Mendoj se duhet të kishin qenë pak më shumë kreativë dhe të kishin menduar një ide tjetër e të bërit mësim sepse ne kemi humbur shumë në fakt. Kemi humbur kur ra tërmeti, ngelëm në shtëpi, kemi humbur me rastin e koronavirusit. Nuk është faji i askujt prej nesh, janë të natyrës, por gjithsesi masat duhen ndërmarrë normale. Po vjen fundi i shkollës dhe maksimumi tre muaj shkollë kemi bërë”, pohon më tej Fatmira Mandrri.

Maria Milloshi shprehet se mësimet e transmetuara në Radio Televizionin Shqiptar nuk janë të njëjta me ato që ndodhen në tekst, kjo për arsye se shkollat përdorin botime të ndryshme.

Unë jam maturante dhe e di që gjithë kjo situatë është në dëmin tim. Kam ndjekur shpesh herë video të postuara nga Ministria e Arsimit në kanalin e saj në YouTube dhe në Radio Televizionin Shqiptar. Por shpesh herë shoh se këto informacione nuk janë të njëjta me ato që ndodhen në tekst. Ka botime të ndryshme librash, kapitujt i kanë të vendosur në mënyrë joparalele”.

Çfarë propozojnë maturantët?

Të ishte djegur viti shkollor për shembull, ta rimerrnim nga e para. Mendoj se duhej ribërë ky vit. Kemi humbur shumë në fakt, me thënë të drejtën. Po vjen fundi i shkollës dhe maksimumi tre muaj shkollë kemi bërë”.

Për maturanten Maria Milloshi idealja do të ishte të përfshiheshin në provimet e maturës pyetje të temave që janë zhvilluar në librat e vitit të parë e të dytë dhe provimet përfundimtare të kenë pak peshë në përqindjen e mesatares.

Zgjidhja më e mirë për maturantët është që provimet e maturës të zënë shumë pak në përqindjen e mesatares sonë dhe në provimet e maturës të kemi pyetje nga viti i parë dhe i dytë, shumë pak nga viti i tretë por që janë marrë nga të gjitha shkollat, edhe pse tekstet janë të botimeve të ndryshme. Deri në një vendim të qartë, unë i them stop stresit dhe i bëj bllok mësuesve”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu