Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Ultimatum në kohë pandemie” IKMT kërkon prishjen e tregut të rrobave të përdorura në Selitë

Banorët e Komunitetit Rom dhe Egjiptian në zonën e Selitës, në Tiranë, janë gjendur sot përballë Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), të cilët u kanë vënë ultimatum tregtarëve të zhvendosin mallin pasi tregu do të prishet, edhe pse ai është i mbyllur prej një muaji.

Kjo ka ngjallur panik tek tregtarët, që u pasua me grumbullimin e menjëhershëm të tyre për të kundërshtuar forcat e policisë, pavarësisht rrezikut që sjell ky veprim për shkak të situatës me COVID-19.

Banorët tregojnë se që prej vitit 2019 ju është premtuar se do të zhvendosen në një treg të ri të formalizuar dhe ata refuzojnë të zhvendosen deri sa hapësira e re të jetë ndërtuar.

Sipas Ilir Jashirit, një prej tregtarëve të rrobave të përdorura, kjo situatë u shkaktua pasi institucionet kanë menduar se tregu ka ri-nisur punë.

Ilir Jashari, tregtar

I kishte hy miu një tregtari mrena tek rrobat, e pastruan. Ata kujtuan që i hapën mbrëmë, edhe sot në mgjes erdhi *INUK-u , urdhër ultimatum tha, me u prish, për sot. Vazhdoi situata pastaj, tu bo debate. U ngritëm të gjithë pastaj. Erdhën të gjithë tregtarët”, pohon Jasharin për Citizens Channel.

llir Jashiri konfirmon se vetë tregtarët janë dakord me ndërtimin e një tregu të ri, por i mëshon faktit se ekzistuesi nuk duhet të prishet derisa ai të jetë gati.

Unë i thashe që ne kena bo shumë kërkesa në Bashki, për një treg të ri. Na strehoni me treg, jena dakord. Ne nuk jena kundër shoqërisë, me pagu taksa, ça ka nga shteti. Nuk dhanë fare arsye ata, e kupton. E mira është thanë, t’i nxirrni rrobat vetë”.

Një ndër arsyet pse tregtarët e Selitës kundërshtun aksionin e sotëm ishte sepse ata janë skeptikë lidhur me premtimin se do t’u ndërtohet një hapësirë e re.

Është premtu po nuk e di a do zbatohet a nuk do do zbatohet. Për këtë nuk jam 100% që do zbatohet, nuk e di. Po të na bëhet tregu i ri, që sot e prishim vetë, nuk është nevoja edhe shkojmë shesim tek tregu i ri. Janë mbi 120 familje që po hajnë bukë me këtë treg këtu”, vijon Jashari.

Prishja e tregut vjen pas përjashtimit nga “paga e luftës”

Me anë të një Vendimi të Këshillit të Ministrave në 27 mars, janë përcaktuar kategoritë e personave që përfitojnë nga ndihma monetare, e quajtur ndryshe nga Kryeministri si “paga e luftës”. Në këtë skemë përfshihen personat që marrin ndihmë ekonomike, ata që gëzojnë statusin e punëkërkuesit apo të punësuarit/vetëpunësuarin në sektorin privat me xhiro vjetore deri në 14,000,000 lekë, por jo këta tregtarë që punojnë përgjithësisht në kushte informaliteti.

Prej javësh organizatat në mbështetje të komunitetit rom dhe egjiptian kanë nisur një peticion ku kërkojnë që në skemën e ndihmës ndaj grupeve që preken ekonomikisht nga masat qeveritare, të përfshihet edhe punonjësit informalë nga kategoritë e margjinalizuara.

Ky sugjerim ka ardhur edhe nga Komisioneri Kundër Diskriminimit, i cili pohon se personat që marrin të ardhura përmes informalitetit, dhe i përkasin grupeve të pafavorizuara të shoqërisë, duhet të ndihmohen gjatë periudhës së pandemisë.

Ola Tare, përfaqësuese e Qendrës T’reja shprehet se tregu i materialeve të përdorura nuk duhet të prishet pasi kjo do të sillte një ndikim negativ tek grupet vulnerabël.

Ola Tare, përfaqësuese e Qendrës Treja

Për ne është shumë e rëndësishme që prishja e tregut mos të ndodhë para se të ndërtohet i riu. Njerëzit kanë nevojë për siguri dhe veprime konkrete. Në situatën që ndodhemi e kanë të vështirë të besojnë qoftë njëri-tjetrin, aktivistët dhe institucionet gjithashtu.

Këta persona janë në kushtet e informalitetit dhe automatikisht të përjashtuar nga VKM nr.254 dt.27.03.2020 për përfitimin e mbeshtetjes nga qeveria. Në një situatë si kjo, prishja e tregut do të kishte impakt negativ dhe do konsiderohej si një goditje tjetër ndaj grupeve te varfra”, artikulon Tare për Citizens Channel.

Duke shpjeguar se aksioni i sotëm ka shkaktuar shumë shqetësim, Ilir Jashari pohon se falë atyre të ardhurave paguajnë shpenzimet dhe taksat. Ai sjell në vëmendje mungesën e politikave nga institucionet shtetërore.

Shteti s’ka ardh një herë me na pyt, edhe për ushqime. Për t’u izolu, jena izolu. Tani ça do nga ne shteti më shumë? Mirë që s’vjen me na dhonë një pako ushqime, me na dhonë naj diçka, po na erdh për tregun. Një vdekje e dyfishtë sot na ka ardh. E qujmë vdekje këtë, se po na zure bukën e kalamajve është vdekje”, përfundon ai.

*INUK është termi i vjetër, tashmë i ndryshuar në “Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit” (IKMT)

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *