Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Koronavirusi “mbyll” brenda një shtëpie viktimat e dhunës në familje dhe agresorët

Botërisht, një në tre gra ka përjetuar dhunë fizike/seksuale nga një partner intim dhe dhunë seksuale nga persona të tjerë gjatë jetës së tyre. Dhuna kundrejt grave ka tendencë të rritet gjatë çdo lloj emergjence, duke përfshirë edhe pandeminë”.

Kjo ishte deklarata e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në 20 mars, 2020, e cila adreson dhunën me bazë gjinore, si një ndër problemet më serioze, shoqëruese të pandemisë së Covid-19.

Qëndrimi në shtëpi, si mënyrë efektive për të parandaluar përhapjen e virusit korona tek qytetarët e tjerë, kundrejt anëve pozitive, përmban rrezikshmëri të lartë për të gjithë ata individë që përjetojnë dhunë. Kategoritë më vulnerabël, sipas vetë OBSH-së, mbeten gratë dhe fëmijët.

Mungesa e strehëzave mbyll viktimat në shtëpi me dhunuesit

Krahas rekomandimit për të qëndruar në shtëpi, Organizatat Botërore e Shëndetësisë vë në dukje se qeveritë dhe politikbërësit, qendrat shëndetësore, organizatat humanitare, anëtarët e komunitetit dhe gratë që kanë dalë nga cikli i dhunës – mund të shërbëjnë si pika kyçe për të ofruar ndihmë dhe kësisoj për të zvogëluar dhunën në familje.

Strehëzat që akomodojnë viktimat e dhunës në familje, si një politikë sociale e kërkuar vazhdimisht nga organizatat dhe aktivistët në Shqipëri, do t’i kishin ardhur në ndihmë të gjithë atyre individëve që momentalisht gjenden në situatë dhunë, sqaron juristja pranë shoqatës “Gender, Paqe dhe siguri”, pjesë e AWEN- Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri.

Edhe pse qeveria shqiptare ka masa të bollshme legjislative dhe masa të tjera të ndërmarra në zbatim të dispozitave të Konventës së Këshillit të Evropës për Parandalimin dhe Luftën kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje, planin kombetar te  veprimit bazuar ne Rezolutën 1325 për “Gratë, Paqen dhe Sigurinë”, nuk ka arritur të zgjeroje numrin e strehëzave. Ne e mendojme të domosdoshme të paktën një strehez në cdo qark”.

Detyrimi për të shmangur kontaktin fizik, ka detyruar organizatat dhe strehëzat kombëtare të karantinohen, pohon juristja Agolli, duke mos pranuar kështu rastet e reja.

Rezarta Agolli, juriste pranë shoqatës “Gender, Paqe dhe Siguri”

“Strehëza kombëtare dhe ato te menaxhuara nga OJF-të u futën menjëhërë në karantinim për mbrojtjen e viktimave dhe nuk u lane anekse për strehimin e viktimave të reja.”

Këto mungesa kanë vendosur në udhëkryq viktimat e dhunës në familje, por në anën tjetër, juristja Agolli pohon se ka pasur një solidaritet të rritur nga familjet e origjinës:

Mungesa e vendeve të strehimit të grave të dhunuara, i vendosi gratë vetëm para dy mundësive, ose të qëndrojne me dhunuesin dhe familjen e tij ose të shkojnë në familjen e origjinës. Në këtë kohë është shënuar një solidarizim  i familjarëve për të ndihmuar viktimat e dhunës në familje, ata kanë pasur një ndërgjegjësim të shtuar duke ofruar strehim, ushqim”.

I gjithë procesi i karantinimit dhe masat e shtuara, janë shoqëruar me doza ankthi dhe frike, të cilat rëndojnë më shumë tek personat që përjetojnë dhunë, shpjegon për Citizens Channel Aurora Kondakçiu, psikologe pranë shoqatës “Gender, Paqe dhe Siguri”.

Normalisht periudha e izolimit ka qenë e vështirë për të gjithë pasi ka ndryshuar komplet stili i jetesës dhe rutina. Në këto kushte, sigurisht që kjo situate ka ndikuar dyfish në rastet e viktimave të dhunës në familje, pasi ato janë gjatë gjithë kohës të frikësuara dhe në një nivel ankthi më të lartë se normalja”.

Kundrejt paralajmërimeve të dhëna nga Organizata Botërore e Shëndetësisë se izolimi do të shoqërohet me dhunë të shtuar, në Shqipëri pohohet se ka një rënie të denoncimeve. Sipas Kondakçiu kjo mund të shpjegohet në disa mënyra.

Aurora Kondakçiu, psikologe pranë shoqatës “Gender, Paqe dhe Siguri”

Së pari, për shkak të mbylljes së bizneseve, mund të ketë ndodhur që të ketë pasur mungesë të mundësisë për të konsumuar alkool në baret e lagjeve apo mund të mos kenë pasur mundësi të luajnë lojërat e fatit gjatë kësaj periudhe. Permend këto dy faktorë që janë aktualisht shkaqet kryesore të dhunës në familje.

Në lidhje me uljen e raportimit, mund të them se për shkak të pandemisë, forcat e policisë janë përqëndruar në ruajtjen e rendit dhe kjo mund të ketë lënë pas dhënien e rëndësisë së duhur viktimave të dhunës në familje. Ose dhe vetë gratë dhe vajzat kanë zgjedhur të mos raportojnë, pasi në këto kushte të vështira nuk sigurojnë dot të ardhurat dhe strehimin për t’u shkëputur nga dhunuesi”.

Ashtu sikurse thekson OBSH, fëmijet janë po ashtu një grup vulnerabël, të cilët janë vazhdimisht të ekspozuar ndaj dhunës. Dhuna e gërshetuar me pasigurinë, mund të çojë në izolim apo shpërthime emocionale.

Në rastin kur prindërit dhunohen në mënyre të vazhdueshme, pasiguria dhe ankthi i fëmijëve shtohet më tepër, duke sjellë më pas dhe problematika të sjelljes si shperthime emocionale apo dhe problematika të humorit, si mbyllja në vetvete”.

Ndryshimet në Kodin Penal adresojnë dhunën në familje

Shqipëria pritet të miratojë disa ndryshime në Kodin Penal, ditën e neserme. Masa dënuese parashikohen edhe për ushtruesit e dhunës në familje, ku këta të fundit mund të dënohen deri në 10 vjet arrest me burg, raporton Euronews.

Kanosja serioze për vrasje ose plagosje e rëndë, ndaj personit që është bashkëshortit, ish-bashkëshortit, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt ose lidhje apo ish-lidhje intime me autorin e veprës penale, me pasojë cenimin e integritetit psikik të tij, dënohet me burgim nga dy deri në pesë vjet. Plagosja e kryer me dashje, ndaj personit që është bashkëshortit, ish-bashkëshortit, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt ose lidhje apo ish-lidhje intime me autorin e veprës penale, që ka shkaktuar paaftësi të përkohshme në punë më tepër se nëntë ditë, dënohet me burgim një deri në  pesë vjet burg. Për këto vepra, të kryera në mënyrë të përsëritur, ose në prani të fëmijëve, dënohet nga dy deri në dhjete vjet burgim”, thuhet në propozimin ligjor.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *