Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Emergjenca nga COVID-19 gjen 300 specialistë të shëndetit pa punë, nuk u “njihet” diploma

Autore: Esmeralda Keta | Citizens Channel 

Ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon sa më shumë testime dhe gjurmimin e rasteve që mund të jenë të prekur nga COVID -19, si një masë për parandalimin e përhapjes së sëmundjes që ka gjunjëzuar botën, 300 mjekë në Shqipëri janë pa punë. Ndonëse kanë një diplomë 5 vjeçare për shëndet publik në xhep, ata nuk mund të regjistrohen pranë “Urdhrit të Mjekut”, e si pasojë nuk mund ta ushtrojnë profesionin.

Gjurmimi i të gjithë kontakteve të rasteve të dyshuara apo edhe të infektuara deri më tani nga SARS-COV-2 në vendin tonë, po mbahet në këmbë nga 15 infeksionistë. Puna udhëhiqet nga Instituti i Shëndetit Publik, shefja e epidemiologjisë Silva Bino, ka deklaruar se procesi po behet me seriozitet, përtej lodhjes së stafit që merret me gjurmimin shtëpi më shtëpi.

“Gjurmimi epidemiologjik është themeli i kontrollit të çdo sëmundje infektive. Shumë shpërthime lokale të COVID-19 janë zbuluar dhe frenuar falë punës së epidemiologëve. Gjurmohen dhe testohen rastet dhe jo vetëm kontaktet e ngushta, por edhe të brezit të dytë e deri edhe të brezit të tretë”, – ka sqaruar Bino me anë të një statusi në profilin e saj në “Facebook”. Po ashtu Bino u bën thirrje atyre që studiojnë sëmundjet infektive se kanë “shansin të vijnë të punojnë në terren, pasi këtu vlerësohen dijet e mësuara dhe aplikohet epidemiologjia e vërtetë”.

Përtej kësaj situate ku Ministria e Shëndetësisë apelon vazhdimisht për vullnetarë dhe ekspertë të fushës, paradoksalisht 300 specialistë dhe epidemiologë nuk mund të ushtrojnë profesionin e tyre.

Indrit Seferi, specialist i shëndetit publik, njëkohësisht edhe pedagog pranë Universitetit Mjekësor të Tiranës, është njëri prej tyre. Ai zotëron një diplomë për shëndet publik dhe ka aplikuar që në mes të marsit edhe në portal, duke iu përgjigjur thirrjes së Ministrisë së Shëndetësisë, për të kontribuar në emergjencën e krijuar nga COVID-19.

“Ende nuk kam marrë asnjë përgjigje, megjithëse unë iu përgjigja menjëherë thirrjes për ndihmë”, – na thotë Seferi.

Ai e konsideron absurde situatën e testimeve aktualisht. Sipas tij, ndërsa gjurmimet po ecin me “hapin e breshkës”, për shkak se janë shumë pak epidemiologë që duhet të mbulojnë të gjithë vendin, qindra ekspertë jo vetëm nuk shfrytëzohen, por janë të paqartë se si ta përdorin diplomën e tyre.  “Absurdi qëndron në faktin se fakulteti i prodhon, por institucionet nuk na njohin dhe nuk na licencojnë. Si pasojë nuk mund të punojmë, madje as në këtë situate, kur jemi para një emergjence globale dhe ka nevojë për çdo specialist”, – sqaron ai.

Indrit Seferi, specialist i shëndetit publik

Ai shkon më tej, kur deklaron se nëse këto 300 specialistë, do të ishin përfshirë në këtë betejë ndaj COVID-19, rezultatet do të ishin krejt ndryshe.

“Sigurisht që me kaq kapacitete ka vështirësi në menaxhimin e situatës. Ka nivel të ulët të testeve, sepse gjurmimi bëhet më i ngadaltë. Mund të them se nëse këto 300 specialistë do të ishin injektuar në sistem, atëherë gjurmimi dhe si pasojë evidentimi i rasteve do të ishte bërë shumë më shpejt. Që do të thotë se karantina ta zëmë nga tre muaj, do të zgjaste vetëm një muaj e gjysëm”- shpjegon Seferi.

Sipas tij, që nga viti 2013, Fakulteti i Mjekësisë, përveç degëve Mjekësi e Përgjithshme (6 vite), Farmaci (5 vite) ofron edhe degën e Shëndetit Publik (bachelor dhe master = 5.5 vite).

“Aktualisht janë rreth 300 specialistë të shëndetit publik të diplomuar (menaxhim shëndetësor, epidemiologji, biostatistikë, promocion shëndetësor dhe shëndet mjedisor) dhe janë të papunë, ndërkohë që në këtë situatë ku ndodhemi nga epidemia e COVID-19 do të ishin një ndihmesë e madhe. Imagjino që aktualisht janë vetëm 15 epidemiologë që po merren me gjurmimin e rasteve” – thotë Seferi.

Seferi shprehet se e gjithë kjo armatë të diplomuarish për shëndet publik, ka mbetur peng i një vakumi ligjor, që duhet të rregullohet nga institucionet përgjegjëse.

“Urdhri i Mjekut nuk na licencon, dhe si pasojë ne nuk mund të punojmë. Ndërkohë që Institucionet publike, vendet e punës që mund ti mbulojmë ne, i mbulojnë me profesione të tjera. Si pasojë vetëm 20% e këtyre 300 të diplomuarve kanë arritur të gjejnë një vend pune, madje shumë herë edhe me shtigje të “dyshimta”, – thotë ai.

Çfarë është epidemiologjia

Shëndeti publik përkufizohet si “shkenca dhe arti i parandalimit të sëmundjeve”, zgjatja dhe

përmirësimi i cilësisë së jetës nëpërmjet përpjekjeve të organizuar dhe zgjedhjeve të informuara të

shoqërisë, organizatave, publike dhe private, individëve e komuniteteve.

Epidemiologjia është degë e mjekësisë e cila merret merret me analizën dhe shpërndarjen (Kush, kur

dhe ku?) modelet dhe përcaktuesit e gjendjes shëndetit dhe sëmundjeve në popullata të caktuara.

Fushat kryesore të studimit epidemiologjik përfshijnë shkaktarët e sëmundjeve, transmetimin,

hetimin e shpërthimit, mbikëqyrjen e sëmundjeve, epidemiologjinë mjedisore, mjekoligjore,

profesionale, screaning, biomonitorimin.

Kjo është arsyeja që epidemiologjia konsiderohet si gur themeli I shëndetit publik , që formon

vendimin politik bazuar në provat duke identifikuar faktorët e rrezikut për sëmundjen dhe objektivat

për kujdesin shëndetësor parandalues. Për të realizuar sa më mirë punën e tyre, epidemiologët

mbështeten në disiplina të tjera shkencore, si biologjia për të kuptuar më mirë një sëmundje apo

statistikat për nxjerjen me efikas të të dhënave dhe përfundimeve.

Ai e shikon zgjidhjen të statusi i punonjësit të shëndetit publik dhe ngritja e “Urdhrit të Shëndetit Publik”.  “Të gjithë flasin për shëndet publik, dhe shëndeti publik është baza e një shoqërie të shëndetshme. Ne kërkojmë që të marrë fund kjo amulli. Të miratohet statusi i punonjësit të shëndetit publik dhe institucionet të parashikojnë në organigramat e tyre edhe këta ekspertë. Sigurisht që po mendojmë edhe ngritjen e “Urdhrit Të shëndetit Publik” si një strukturë e mire organizuar, – përfundon Seferi.

Por Fatmir Brahimaj, president i “Urdhrit të Mjekut të Shqipërisë”, thotë se nuk janë ata fajtorë të këtij ngërçi. “Ne licencojmë vetëm ata që e kanë të shkruar “mjek” në diplomën e tyre dhe këta nuk bëjnë pjesë në këtë kategori. Si pasojë ne nuk mund t’i licencojmë”, – na shpjegon Brahimaj, i cili i referohet ligjit mbi të cilin e ushtron funksionin “Urdhri i Mjekut”.

President i “Urdhrit të Mjekut të Shqipërisë”

Ai shpjegon se në fakt ligji mbi të cilën operon aktualisht “Urdhri i Mjekut” në vendin tonë ka pësuar ndryshime dhe është kategorik në profilin që ata licencojnë. “Ndryshe nga vende të tjera si Italia, ta zëmë, ligji ynë na ndalon të licencojmë edhe ata, që nuk janë direkt mjekë, siç ndodhte më parë, por janë profesione ndihmëse. Ta zëmë janë fizikantë të mjekësisë, apo kanë mbaruar biomedika në Itali. Ligji shqiptar është i prerë dhe pranë nesh regjistrohen vetëm ata që kanë mbaruar për mjekësi dhe e kanë të shënuar në diplomë “mjek”, – sqaron Brahimaj.

Ai shkon më tej kur sugjeron se ndoshta ata duhet të krijojnë urdhrin e profesioneve ndihmëse të mjekësisë. “Janë biologë, biokimistë, fizikantë të mjekësisë apo edhe shëndet publik që nuk janë mjekë, por janë profesione ndihmëse të mjekësisë dhe punojnë në shëndetësi. Duke krijuar Urdhrin e tyre do të jenë më të organizuar dhe më të mbrojtur”- sugjeron Brahimaj.

Arben Gjata, rektor i Universitetit të Mjekësisë, e konsideron të padrejtë pretendimin e kësaj kategorie të diplomuarish pranë UMT-së. “Ata nuk janë mjekë dhe sigurisht që “Urdhri” nuk ka se si i licencon. Ata nuk kanë bërë kurrë një injeksion në pacientë. Problemi është se ne vumë re që para disa vitesh se Shqipëria prodhon shumë specialistë të shëndetit publik dhe ka pak vende pune për ta”, – thotë Gjata, por pa i dhënë përgjigje shqetësimit të ish- studentëve të tij.

Arben GjataRektor i Universitetit të Mjekësisë

Sipas tij, kjo është arsyeja që para dy vitesh, fakulteti i kufizoi pranimet në këtë profil dhe aktualisht ofrojnë një master një–vjeçar për drejtues institucionesh.

“Duke qenë se ata kanë njohuritë bazë në shëndet publik dhe e dinë se si funksionon, me anë të këtij masteri marrin edhe njohuri në ekonomi duke i profilizuar kështu drejt menaxhimit të institucioneve shëndetësore”, – sqaron rektori Gjata.

Sa i përket aplikimeve në portal, ai shpjegon se aplikuesit do të thirren sipas nevojave. “Kanë aplikuar rreth 3000 staf shëndetësor. Sigurisht që ata do të përzgjidhen për tu thirrur sipas nevojave dhe eksperiencave që ka specili prej tyre. Duke filluar nga java që vjen do të nisin edhe trajnimet me ata që do të thirren të parët”, – na shpjegon Gjata.

Tritan Shehu, mjek reanimator por edhe ish ministër i shëndetësisë sugjeron se këta “mjekë” nuk mund të lihen në rrugë.

Tritan Shehu, mjek reanimator

“Në një situatë të tillë, është mëkat të lësh në rrugë mjekë epidemiologë, kur dihet që ne kemi shumë pak mjekë të tillë, – thotë Shehu. – Duhet të gjendet patjetër një formulë që ata jo vetëm të futen në sistem, por mbi të gjitha t’i shërbejnë sistemit”, – përfundon ai.

Pavarësisht këtyre sfidave, Indriti nuk ka ndërmend të dorëzohet. “Unë do të pres të më thërrasin nga portali, pasi mendoj se në këtë situatë ka vërtetë nevojë për specialistë të shëndetit publik. Por edhe nëse nuk na thërrasin, ne do të vazhdojmë të kërkojmë me ngulm rishikim të statusit të specialistit të shëndetit publik. Duhet të marrë fund kjo zvarritje”, – përfundon ai.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *