Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Juristi Jordan Daci: “Ndryshimet në Kodin Penal, përdhosje e Kushtetutës”

Parlamenti miratoi dje tre vepra të reja penale, që parashikojnë gjoba dhe burgosjen deri në tetë vite për personat që thyejnë rregullat e karantinës dhe përhapin infeksionet. Që prej fillimit propozimet hasën kundërshtinë e shumë zërave kritik edhe mbi 30 organizatave të shoqërisë civile në mbrojtje të të drejtave të njeriut.

Këto ndryshime shihen si tregues i një demokracie të dobët nga Avokati Jordan Daci, i cili në një intervistë për Citizens Channel thekson se Presidenti dhe Qeveria u dakordësuan dje për të shkelur Kushtetutën, e cila ndalon ndryshimet në Kodin Penal me procedurë të përshpejtuar. Ai shton se një kuadër i tillë ligjor nuk ekziston në asnjë shtet tjetër demokratik.

Intervista e plotë:

  1. Cili është sipas jush treguesi më shqetësues i ndryshimeve të shpeshta ligjore që po bëhen në këtë periudhë?

Ndryshimet e shpeshta ligjore sidomos ato që prekin ligjet themelore të një shteti ku futen zakonisht Kodet dhe ligjet që miratohen me shumicë të cilësuar dhe aq më pak kushtetutat janë tregues të një vendi me demokraci shumë të dobët, ku interesat e momentit të grupeve të interesit në pushtet apo të lidhura me ato, marrin rëndësi më shumë sesa interesi publik. Vetë ndryshimet e shpeshta tregojnë mungesë studimesh, analizash, mungesë respekti për interesin publik, mungesë respektimi të të drejtave të njeriut, tregojnë qeverisje me tipare të dukshme autoritare në rastin më të mirë dhe zakonisht diktatoriale që përbëhen nga forma moderne të oligarkisë. Po ashtu, janë tregues edhe i një shoqërie me probleme ekonomike, shoqërore dhe politike që shfaqen në formën e konflikteve ndërshoqërore ose trazirave të cilat imponojnë ose përdoren për justifikim nga qeveritë për të ndryshuar ligjet. Pa dashur të zgjatem është tregues i pastër i faktit që ligji nga një instrument për ruajtjen e paqes sociale dhe mbrojtjen e interesit publik, shndërrohet në një mekanizëm të pushtetit për kontrollin e masave dhe për t’i krijuar vetës privilegje të padrejta.

  1. A mendoni se janë ndjekur hallkat institucionale dhe procedurat e duhura ligjore për aktet normative dhe vendimet e marra në këtë periudhë që po finalizohen me ndryshimet në Kodin Penal, duke marrë parasysh gjendjen e fatkeqësisë natyrore?

Unë mendoj që fakti që kemi kaq shumë akte dhe kaq shume ndryshime të tyre të bërë në një hark kohor kaq të shkurtër tregon që janë ndryshime që janë bërë pa asnjë studim dhe analizë paraprake dhe pa u konsultuar më specialistët e duhur. Ligji si një mekanizëm i rëndësishëm i shoqërisë duhet të reflektojë moralin dominues të shoqërisë, si dhe të jetë mbrojtës i verbër i interesit publik. Ai duhet të jetë produkt i një pjesëmarrje të gjerë të publikut në proces dhe jo thjesht një akt formal i përfaqësuesve të popullit. Për më tepër kjo bëhet edhe më shqetësuese kur kemi parasysh që përfaqësuesit aktual thuajse shumica kanë tradhtuar RSH dhe popullin pasi po marrin vendime në kundërshtim me interesin e përgjithshëm dhe janë shndërruar në vegla të një oligarkie shumë të rrezikshme që i bën veprimet në emër të demokracisë.

Në rastin konkret, është shkelur Kushtetuta e RSH, e cila ndalon miratimin e ndryshimeve në Kodin Penal me procedurë të përshpejtuar sikurse u bë në rastin konkret dhe akoma më e rrezikshme është “dakordësimi” edhe i kreut të shtetit me qeverinë dhe rikthimi i marrëveshjeve midis tyre në kurriz të interesit publik. Kjo në fakt delegjitimon të gjithë betejën e Presidentit për kushtetutën, pasi sot Kushtetuta nuk u shkel, por u përdhos dhe kjo do të ketë pasoja tepër të rënda edhe në vijim. Duhet theksuar që OSBE, Avokati i Popullit etj janë shprehur kundër procedurës, ndërkohë që pati mungesë transparencë dhe ndoshta edhe mundësi “falsifikimit” të numërimit të votave dhe votim krejt të parregullt në Kuvend. Nuk pati konsulta publike dhe u legjitimuar miratimi i një ligji që lejon dënime abuzive dhe do të ketë shumë probleme edhe në zbatim. Psh. a do të zbatohet kur një person infekton anëtarët e familjes së tij ose të afërtit? Si do vërtetohet që ishte pikërisht personi i akuzuar ai që infektoi një person të caktuar”; etj.  Është me rëndësi të theksohet që gjendja e fatkeqësisë natyrore nuk justifikon asnjë nga këto shkelje dhe as miratimin e këtyre ndryshimeve, por mos të harrojmë që janë ndryshuar edhe shumë ligje të tjera me pasoja tepër të rënda për shtetin e së drejtës dhe demokracinë në tërësi, sikurse Kodi i Procedurës Penale, Rregullorja e Kuvendit etj që kanë kaluar në qetësi dhe pa asnjë vëmendje.

  1. A kemi të bëjmë në këtë rast me një mbivendosje të kuadrit ligjor mbi ligje që janë ekzistuese? Çfarë mendoni se mund te sjellë kjo?

Ndryshimet në Kodin Penal nuk janë mbivendosje, por bëhen në kundërshtim me parimet e shtetit të së drejtës dhe kjo gjë do të hap rrugën për shkelje të vazhdueshme të Kushtetutës dhe ndryshimeve të ligjeve të rëndësishme në kohë fatkeqësie për tu përdorur për qëllime të pushtetit. Këto ndryshime do t’i hapin rrugën heqjes abuzive të lirisë së njerëzve dhe dënimeve të padrejta dhe të egra në kundërshtim me parimet themelore të së Drejtës Penale dhe parimet themelore Kushtetuese. Në tërësi do të rrisin agresivitetin e pushtetit ndaj njerëzve duke përfshirë edhe agresivitetin e pushtetit gjyqësor ndaj individëve në konflikt me ligjin në mënyrë jo të drejtpeshuar dhe subjektive me pasoja të rënda sociale, ekonomike dhe politike.

  1. Në dijeninë tuaj a ka pasur iniciativa të ngjashme për ashpërsim dënimesh dhe ndryshime në Kodin Penal ne vende të tjera të rajonit apo në Perëndim?

Në dijeninë time nuk ka asnjë iniciative të tillë, pasi në vendet normale demokratike (sikurse edhe në Shqipëri) ndalohet ndryshimi i Kodit Penal dhe ligjeve të tjera themelore në kohë të jashtëzakonshme dhe kjo është një garanci kushtetuese që të mos lejojë shfrytëzimin e një fatkeqësie natyrore ose gjendje të jashtëzakonshme për qëllime të ndryshme nga interesi publik sikurse ka ndodhur edhe në këtë rast në vendin tonë. Pra nuk mund të ketë dhe nuk ka pasi në dallim nga ne, ata respektojnë Kushtetutën dhe kanë edhe Gjykata Kushtetuese të cilat nuk të lënë të bësh përdhosje të kushtetutës sikurse bën Kuvendi ynë.

Këto ndryshime dhe gjithë vendimmarrja e deritanishme e Kuvendit dhe Qeverisë janë tregues të dukshëm që është tradhtuar interesi publik dhe po instalohet në mënyrë graduale një diktaturë e rrezikshme në kurriz të të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës. Ky pushtet ka humbur çdo legjitimitet dhe shqiptarët duhet të jenë të vetëdijshëm që diktatura më e rrezikshme bëhet me ligj dhe në emër të ligjit e drejtësisë dhe se klasa politikë në tërësi është pjesë e të njëjtit grup uzurpues të pushtetit dhe interesit publik që bën në mënyrë të vazhdueshme marrëveshje në kurriz të popullit. Prandaj, ka nevojë për një rivendosje të ekuilibrave politik dhe populli duhet të jetë në gjendje të vendos vetë dhe drejtpërdrejtë për vetën e tij.  Zoti i bekoftë Shqiptarët!

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *