Imazh i marrë nga faqja e lëvizjes "Për Universitetin"

Rreth 60% e studentëve janë të pakënaqur me format e përdorura deri tani për zhvillimin e mësimit online. Ky është vetëm një nga rezultatet shqetësuese të një ankete të zhvilluar nga lëvizja “Për Universitetin”, ku 1570 studentë kanë ndarë eksperiencat e tyre mbi mësimin online dhe aksesin në mësimdhënie.

Sipas anketimit, rezulton se shumë studentë (44.5%), kanë akses të pjesshëm në internet dhe një pjesë dërrmuese (mbi 70%) janë të detyruar t’i ndjekin leksionet përmes telefonit celular.

45% e studentëve të anketuar janë me oferta internet të limituara apo huazojnë internetin nga komshinjtë, ndër këta të fundit futem edhe unë”, tha për Citizens Channel Joana Meraja, studente dhe aktiviste e lëvizjes “Për Universitetin”.

Nga 1570 të anketuar, vetëm 9.6% shprehen se mësimi online po shkon shumë mirë, 35.1% pohojnë se kanë shumë ngarkesë dhe 52.3% shprehen se po e përballojnë disi.

Gjetjet e anketës “COVID-19 dhe pasojat në Universitet”:

Anketimi online si një hap drejt evidentimit të problemeve dhe gjetjes së zgjidhjeve 

Kjo pandemi na vuri përballë një situate komplet të re dhe në komunikimin e përditshëm me shokët e tjerë të lëvizjes apo me shokët e klasave përkatëse, vërenim pakënaqësi të mëdha në lidhje me procesin mësimor, ndërkohë nga ana tjetër qeveria e propagandonte mësimin online si mundësinë e përkryer dhe mburrej me zhvillimin e këtij procesi”, shprehet Joana Meraja, duke shtuar se e konsideron zhvillimin online të mësimit si proces abuziv dhe të padrejtë.

Vumë re se shumica e studentëve kishin pamundësi për ta ndjekur mësimin online. Studentë që kishin vështirësi në aksesimin e internetit, mungesa e pajisjeve te duhura elektronike për të shlyer detyrimet akademike, mbingarkesa me detyra dhe vendosja arbitrare prej pedagogëve per mënyrën apo orarin që do të zhvillohet mësimi, pedagogë që mjaftohen me dërgimin e materialeve të leksioneve në format word”, vijon më tej ajo.

Joana Meraja, studente dhe aktiviste e Lëvizjes Për Universitetin

Duke iu kthyer statistikave të përcjella nga Ministria e Arsimit Besa Shahini, e cila pohoi në datën 4 prill se 97% e të gjitha familjeve shqiptare zotërojnë telefon smart, çka mundësonte zhvillimin e mësimit në masë të madhe, Meraja thekson se këto statistika bien ndesh me gjetjet e lëvizjes “Për Universitetin”.

70% e këtyre studentëve përdorin celularin për ndjekjen e procesit mësimor apo shlyerjen e detyrimeve akademike dhe vetëm 9.6% e studentëve mendojnë se mësimi po shkon për bukuri e pa asnjë ngarkesë”.

Meraja paraqet disa kërkesa të lëvizjes studentore “Për Universitetin”, pasi viti akademik të ketë rifilluar.

Në pak javë të bëhen përmbledhje të leksioneve, në mënyrë që asnjë student të mos diskriminohet prej pamundësisë për t’i ndjekur ato në kohë reale. Për studentët që nuk kanë patur mundësi të shlyejnë detyrimet akademike gjatë kësaj periudhe, t’i jepet mundësia t’i bëjnë më vonë.

Meqenëse epidemia mund të rishfaqet më vonë, nevojitet që shteti të mbulojë shpenzimet e pajisjeve elektronike dhe kostot e internetit për studentët e varfër. Kësisoj në të ardhmen, nëse duhet, mësimi online do të zhvillohet siç duhet”.

Sfida e mësimit online shtrihen edhe tek maturantët

Një grup maturantësh krjuan një javë më parë një fushatë online si përgjigje ndaj deklaratave të ministres së arsimit Besa Shahini, duke nxjerrë në pah problemet shoqëruese të mësimit online në ciklet e tjera, i cili në të shumtat e rasteve zhvillohet përmes aplikacionit “WhatsApp”.

Maturantët kanë listuar një sërë faktorësh pengues, duke filluar nga ekonomia, teknologjia dhe ndikues të tjerë, që kanë ngjallur tek ata stres dhe kaos. Nisma e tyre u quajt “Unë i them stop stresit dhe i bëj bllok mësuesve”.

Kundrejt investimeve të majme në vitin 2014, ku rreth 3.5 milionë euro janë shpenzuar për të blerë tabletë dhe për të krijuar klasa “inteligjente”, nxënësit dhe studentët u gjendën përballë situatës ku duhet të përdornin aplikacione si “WhatsApp” apo “Messenger” për të zhvilluar mësim.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu