Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Studimi: Studentët mbetën të përjashtuar nga mësimi online dhe shtyrja e qirave gjatë krizës së COVID-19

Studentët duket se kanë hasur jo pak vështirësi gjatë periudhës së izolimit për shkak të COVID-19. Në një pyetësor të zhvilluar nga Qëndresa Qytetare me 720 studentë nga 9 universitete, rezulton se një pjesë e madhe kanë mbetur jashtë procesit mësimor online dhe nuk kanë përfituar nga masat lehtësuese të qeverisë.

Një ndër shqetësimet kryesore mbetet qasja në internet, ku mbi 40% e studentëve tregojnë se kanë pasur probleme aksesi për arsye ekonomike apo për shkak të mungesë së mbulimit me rrjet në zonën ku ata banojnë.

Vetëm tre universitete “kanë kaluar klasën” sipas e studentëve sa i përket mësimit online. Studentëve iu është kërkuar të vlerësojnë universitetin në një sërë kriteresh si efektiviteti i mësimit, koha kur ka filluar mësimi apo korrektësia e orareve në një shkallë nga 1 në 10 ,ku gjashtë nga nëntë institucione janë vlerësuar më notën 4 ose më poshtë.

Rigels Xhemollari, drejtues ekzekutiv i Qëndresës Qytetare ngre një tjetër shqetësim rreth mësimit online: “Dilema e parë pas këtij sondazhi është a njihet mësimi online, a ka bazë ligjore, apo a do akreditohen universitetet tona për të realizuar mësim online”.

Sipas sondazhit vetëm 0.6% e studentëve kanë shfrytëzuar Bibliotekën Dixhitale www.ulibrary.rash.al e cila kushtoi 700.000$ për të siguruar literaturën e mësimit online, ndërsa 99.4% e tyre e kanë siguruar literaturën nëpërmjet leksioneve të dërguara më e-mail nga pedagogët, librave të skanuar dhe blerjes së librave në librari.

Ndërkohë pjesa dërrmuese e studentëve, mbi 83%, janë shprehur se nuk kanë përfituar nga lehtësimi në pagesat e qirave për muajt e izolimit, pavarësisht se u përfshinë si kategori që përfiton nga shtyrja në Aktin Normativ të qeverisë.

Sipas Rigels Xhemollarit ky vëzhgim synon të nxjerr në pah reagimin e pakët të qeverisë dhe universiteteve tona në kohë krize, duke u gjetur të papërgatitura dhe pa plane emergjencash: “Evidentohet ajo që prej tre vjetësh Qëndresa Qytetare ka trumbetuar, mungesa e kërkimit shkencor dhe investimeve në shkencë. Sot në botë menaxhimi i krizës  së shkaktuar nga Covid 19 po bëhet nga sistemi shëndetësor, ndërsa zgjidhja për të ardhmen po jepet në universitetet më të mira në botë.

Rigels Xhemollari

Universitetet tona nuk janë gati të zhvillojnë një proces të rregullt mësimi online jo më të japin zgjidhje shkencore për përballimin e situatës nga e gjithë shoqëria”.

Në fund të këtij vlerësimi aktivistët kanë listuar një sërë rekomandimesh për Qeverinë, Këshillat Bashkiak, Universitetet si edhe Ministrinë e Arsimit dhe Sportit.

Kliko këtu për të lexuar raportin e plotë.

Kriza dhe situata e izolimit për shkak të pandemisë COVID-19 ka sjellë jo pak probleme për studentët, maturantët dhe mësuesit. Citizens Channel ka raportuar më parë për një anketim të “Lëvizjes për Universitetin” ku rreth 60 % e studentëve shprehnin pakënaqësi rreth mësimit online, pavarësisht ambicieve të qeverisë për krijimin e klasave të cilat duken se kanë mbetur në letër.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *