Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Planet për tregun e ri për romët dhe egjiptianët vijnë bashkë me rrezikun për shembjen e banesave

Ashtu si ishte paralajmëruar, tregu i rrobave të përdorura në zonën e Selitës u shemb ditën e djeshme. Masat shtrenguese që po kalon vendi për shkak të COVID-19 dhe rezistenca e banorëve, nuk i penguan oficerët e Policisë Bashkiake dhe IKMT-në të rrethonin zonën dhe të finalizonin shembjen e hapësirës që ka shërbyer prej vitesh si i vetmi burim të ardhurash për rreth 30 familje, kryesisht nga komuniteti Rom dhe Egjiptian.

Aksion u nis fillimisht në 14 prill, kur tregtarëve iu dha ultimatum për tërhequr materialet sepse tregu ishte programuar të shembej po atë ditë. Veprimi nuk u çua deri në fund, pasi ata shfaqën rezistencë dhe nuk pranuan që tregu të prishej deri në ndërtimin e një të riu.

Dje, punonjës të Bashkisë Tiranë lajmëruan se tashmë tregtarët do të kenë mundësi të vazhdojnë aktivitetin në një hapësirë të re të formalizuar dhe plotësuan formularët me të dhënat e tyre, që do të shërbejnë për të hedhur shortin për vendndodhjen që do të ketë secili në tregun e ri.

Bashkë me tregun informal, tentohet të prishen edhe shtëpitë e palegalizuara

Krahas prishjes së tregut informal, aktivistët pohojnë se Bashkia po tenton të hedhë përdhe edhe shtëpitë që janë në proces legalizimi apo barakat ku strehohen banorët e zonës, çka ka sjellë tensione të shtuara.

Qendra Treja, organizatë e cila ka si synim fuqizimin e familjeve të varfëra dhe në nevojë, ka reaguar ndaj planit për të shembur shtëpitë që nuk janë të legalizuara, duke theksuar se rrezikohet nxjerrja e familjeve në rrugë në kohë fatkeqësie natyrore.

Nuk patëm mundësi të shijonim suksesin e ndërtimit të tregut për shkak se banorëve në Selitë, ju është lënë të kuptohet se mund t’ju prishen shtëpitë. Punonjës të Bashkisë Tiranë kanë mbledhur dje të dhëna mbi situatën socio-ekonomike të familjeve dhe statusin e pronësisë së banesës per t’i trajtuar me një nga programet sociale të strehimit”.

Ola Tare, përfaqësuese e Qendrës Treja shpjegon se shumë prej banorëve janë në proces legalizimi që prej vitit 2005-2006.

Ka dy situata: një – banorë që i kanë banesat në proces legalizimi që nga 2005-2006 dhe ende s’kanë asnjë përgjigje nga ALUIZNI; dy – banorë të cilët nuk janë në proces legalizimi, nuk kanë certifikatë pronësie. Bashkia pretendon t’i trajtojë me bonus qiraje si grup i veçantë, duke krijuar lehtësira”.

Duke qenë në situatë të gjendjes së fatkeqësisë natyrore, e cila është zgjatur deri në muajin qershor, Tare pohon se procesi i gjetjes së një shtëpie me qira është dyfish sfidë.

Megjithatë, kjo nuk është aspak zgjidhje për shkak se në kushtet e karantinës, njerëzit e kanë të pamundur të gjejnë shtëpi me qira. Si do kërkojnë shtëpi, kur edhe për pazar ju duhet të marrin leje nga policia? Si do t’i zhvendosin plaçkat?”

Ola Tare, përfaqësuese e Qendrës Treja

Prishja e shtëpive në situatë pandemie, sipas Tares, është haptazi shkelje e të drejtave të njeriut.

Është e nevojshme të shprehet ALUIZNI rreth statusit të banesave, të merren masa paraprake për trajtimin e familjeve që preken nga ky plan dhe të mos shfrytëzohet karantina për të shkelur banorët”, përfundon ajo.

Aksioni i djeshëm ka ngjallur reagime në rrjete sociale. Kjo video e publikuar në faqen “Fuqizim dhe Organizim Komunitar” thekson se komunitetet e margjinalizuara nuk gjejnë qetësi as në kohë pandemie.

Çdo herë e më larg fokusit qeveritar

Situata e pandemisë ka vështirësuar kushtet ekonomike të familjeve që kanë si burim kryesor të të ardhurave punën informale. Të gjendur para kufizimeve të lëvizjes dhe mbylljes në shtëpi dhe njëkohësisht të përjashtuar nga paketat e ndihmës, ata apelojnë për ndihmë nga shteti.

Pavarësisht nevojave urgjente, VKM-ja e datës 27 mars dhe as paketa e dytë e ndihmës, nuk parashikuan lehtësim financiar për individët që marrin të ardhura përmes informalitetit. “Paga e luftës” iu përcaktua personave që trajtohen me ndihmë ekonomike, ata që gëzojnë statusin e të papunit dhe të punësuarve/vetëpunësuarve në biznese që kanë xhiro vjetore deri në 14.000.000 lekë.

Edhe pse është premtuar që do të jenë pjesë e pagesave të ndihmës, ende asgjë konkrete nuk është bërë për grupet që e sigurojnë jetesën duke shitur rroba të përdorura apo duke mbledhur materiale të riciklueshme, që klasifikohen ndër më të rrezikuarat nga pasojat ekonomike.

Komisioneri për Mbrojtjen ndaj Diskriminimit ka apeluar që në këtë skemë të përfshihen grupe të tjera në nevojë, duke përfshirë edhe kategoritë e disavantazhuara në Shqipëri.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *