Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Artistët e pavarur kërkojnë përfshirjen në ndihmën financiare; “Nuk mund të jetojmë pa punuar”

Artistët e pavarur i kanë drejtuar një letër të hapur Kryeministrit Edi Rama në lidhje me vështirësitë ekonomike që po hasin gjatë periudhës  COVID-19. Në njoftimet e deri tanishme të qeverisë artistët janë cilësuar si një grup që është në gjendje ta përballojë luftën, duke konsideruar të rëndësishëm ata që janë në gjendje më emergjente.

Përfaqësues të disiplinave të ndryshme si teatri, filmi, artet pamore, muzika etj. kërkojnë nga qeveria përgjegjësi për mbështetjen e këtij grupimi duke qenë se rifillimi normal i jetës sociale dhe artistike kërkon kohë. Me anë të kësaj letre të hapur ata kanë propozuar ngritjen e një fondi të posaçëm jo vetëm për mbijetesën ekonomike të këtij komuniteti por edhe për vazhdimësinë e iniciativës së lirë krijuese.

Ata theksojnë se në vendet e Europës Perëndimore, artistët kanë qenë ndër të parët që janë përfshirë në përkrahjen financiare ndërsa qeveria jonë ende nuk ka një plan ekonomik për mbështetjen e këtij sektori edhe pse kanë kaluar më shumë se gjashtë javë në izolim.

Rosella Pellicciotti, koreografe dhe kërcimtare, është një nga artistet që ka hartuar këtë letër të hapur. Ajo shprehet se artistët nuk kanë një rrogë mujore fikse dhe të ardhurat e tyre janë të limituara në bazë të projekteve në të cilat përfshihen.

Rosella Pellicciotti, Koreografe

“Më duhet të kundërshtoj kategorikisht pohimin e Kryeministrit. Shumat e ofruara si shpërblime nuk e mundësojnë komoditetin e të jetuarit pa punuar. Kjo fazë nuk është fazë fillestare. Si pjesëtare e komunitetit artistik, jam e alarmuar për vështirësitë që na kanosen në këtë situatë pandemie, pasi aktiviteti ynë do të jetë i fundit që do të rifillojë funksionimin normal – diktuar kjo nga rregulli i ruajtjes se distancës fizike”, tregon artistja shqiptaro – italiane për Citizens Channel.

Nëse kjo kërkesë nuk merret parasysh, përpjekjet nuk do të mbesin me kaq pasi artistët janë të vendosur ta cojnë deri në fund kauzën e tyre. Xhulia Musagelliu, aktore, shprehet se ata nuk do të ndalen së kërkuari atë që i takon, njëlloj si qytetarët e tjerë.

Xhulia Musagelliu, Aktore

“Artistet janë qenie frymore si çdo qytetar tjetër. Ne ngushellojmë veten duke shpresuar se e gjitha kjo do te marrë fund së shpejti. Nevojat tona  janë të  njëjta me ata që nuk ushtrojnë asnjë veprimtari artistike, madje ne jemi edhe më të ndjeshëm se pjesa tjetër ndaj këtij ndryshimi. Synimi jonë është të degjohemi dhe te ketë nje reflektim përsa i përket problemit që po kalojmë” shprehet aktorja Musagelliu.

Në kërkesën e  tyre artistët e lirë rikujtojnë se janë kontributorë në buxhetin e shtetit në masën 15% të shumës së çdo shpërblimi të fituar dhe se neni 11 i Kushtetutës  parashikon trajtim të barabartë midis sektorit publik dhe privat.

Kjo është tentativa e dytë që artistët mundohen të marin përgjigje për kërkesat e tyre, pas emailit që Rosella Pellicciotti i ka dërguar ministres së kulturës Elva Margariti në ëmër të saj dhe kolegëve, më 10 Prill.

 

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *