Foto: HIV/AIDS Albania – Social Media Campaign

Denisi* udhëtoi drejt Tiranës në ditët e para të pandimisë. Masat e rrepta që lidhen me lëvizshmërinë dhe aktivitetin ekonomik ende nuk ishin në fuqi, kështu që mori lehtësisht mjekimet e nevojshme për të trajtuar virusin HIV, me të cilin “bashkëjeton” prej disa vitesh, për t’u kthyer më pas në qytetin e lindjes, ku edhe jeton.

Prej datës 9 mars, ku u shënuan dy rastet e para të qytetarëve të prekur nga koronavirusi, lëvizja e lirë është kufizuar. Me shtimin e rasteve, janë shtuar edhe masat e kufizimit të lëvizjes. Personat e prekur e kanë të nevojshme marrjen e medikamenteve, të cilat mund të aksesohen vetëm në Tiranë, pranë Ambulatorit të Spitalit Infektiv, në Qendrën Spitalore Nënë Tereza (QSUT).

I pyetur rreth rolit të Qeverisë Shqiptare në adresimin e nevojave të këtij komuniteti gjatë pandemisë, Denisi bën me dije se ata janë lënë në harresë, duke vënë një theks të veçantë tek individët që nuk zotërojnë një mjet lëvizës.

Me shumë bindje e them që personat që jetojnë me HIV/AIDS janë lënë në harresën më të plotë përsa i përket informimit, garantimit të medikimenteve të atyre që nuk kanë mundësi levizjeje nga rrethet, pasi nuk disponojnë automjet”, shprehet ai për Citizens Channel.

Lejet shëndetësore shkelin ruajtjen e konfidencialitetit

“Shoqata Ndërkombëtare AIDS” (The International AIDS Society), e krijuar në vitin 1988, është shoqatë me anëtarësi të profesionistëve nga 170 shtete, e cila ka si qëllim advokimin dhe veprimin e menjëhershëm për të reduktuar ndikimin e HIV në shoqëri.

Në një reagim lidhur me situatën e re të krijuar dhe ndikimin që kjo sjell në jetën e personave që jetojnë me HIV/AIDS, shoqata thekson se qeveritë duhet të respektojnë të drejtën e ruajtjes së privatësisë dhe moszbulimit të të dhënave të personave që jetojnë me këtë virus, në mënyrë që pandemia të mos shoqërohet me shkelje të të drejtave të njeriut.

Teksa vendet implementojnë masa për t’iu përgjigjur shpërthimit të COVID-19, qeveritë kombëtare duhet të sigurojnë që çdo masë për mbrojtjen e shëndetit të mos përsërisë shkeljet e të drejtave të njeriut”, shkruajnë ata, duke theksuar se marrja e mjekimeve nuk duhet të pësojë shkëputje.

Në vendet ku ka kufizime të lidhura me COVID-19 në udhëtimin e njerëzve, është e rëndësishme të sigurohet që njerëzit që jetojnë me HIV të kenë qasje në shërbime pa asnjë ndërprerje. Kjo përfshin mundësinë për të marrë trajtim në mënyrë anonime. Kur është e mundur, mjekët duhet të përshkruajnë 3-6 muaj furnizime me ilaçe për të zvogëluar shpeshtësinë e vizitave në mjediset klinike”, vijojnë ata.

Nga ana tjetër, Denisi tregon se në fakt, konfidencialiteti i të prekurve nuk ka qenë fokus për Qeverinë.

Pavarësisht punës së vazhdueshme të stafit të ambulatorit edhe në gjendje pandemie, brenda territorit të Spitalit Infektiv që ndodhet në karantinë, personat që shkonin të merrnin terapinë kanë shfaqur shqetësim se në disa raste kanë hasur probleme të aksesonin brenda perimetrit, si rezultat i ndalimit nga forcat e rendit me të cilët është dashur të diskutojnë se duhet të marrin terapitë. Kjo situate ekspozon personat, pra në një farë mënyre i evidentonte në mënyrë të forcuar”, shprehet më tej Denisi për Citizens Channel.

Një tjetër problem i hasur ka qenë orari tejet i ngushtë për personat që u duhej të udhëtonin drejt Tiranës për të marrë mjekimet, çka ka çuar në kalimin e orarit të lejuar dhe përplasje me policinë.

Problemi kryesor ishte se shumë kërkesa online nuk aprovoheshin edhe në rastin kur personat plotësonin vetëdeklarimin në modul paraqitej si orar: 05:00 – 08:00 dhe 12:00-13:00.

Duhet të kuptojmë se ishte praktikisht e pamundur të respektohej ky orar dhe mund të them se unë vetë personalisht jam gjendur në situatë të vështirë në kthim, pasi në një nga kontrollet e shumta gjatë rrugës për në kthim, patrulla e policisë rrugore insitonte se isha jashtë orarit”.

Duke iu referuar marrjes së lejes përmes e-Albania, e cila u shoqërua me shumë probleme ditët e para si pasojë e mbingarkimit, Denisi tregon se sërish “Leja për arsye shëndetësore” cënon të drejtën e personave të prekur me HIV/AIDS për të mos deklaruar statusin e tyre shëndetësor.

Leja për arsye shëndetësore, portali e-Albania

Tashmë në sistemin e-Albania është vendosur ‘Leje për asye shëndetësore’ e cila nuk vendos limite kohore por ka një problem tjetër; siç evidentohet edhe në shpjegimet e portalit, personat që aplikojnë për këtë lloje leje daljeje, duhet të kenë një dokument që provon patologjinë, gjë që pacientët që trajtohen për HIV/AIDS nuk e disponojnë, por që njeherazi edhe i vë ata përballë evidentimit si persona që jetojnë me HIV”.

Gjatë gjithë pandemisë, rezulton se personat e prekur me HIV/AIDS nuk janë përfshirë në asnjë prej fushatave të ndërmarrë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Burimet e informimit për këtë grup kanë qenë i pa organizuar. Faqja “HIV/AIDS Albania – Social Media Campaign”, në vazhdën e postimeve informuese, ka shpërndarë një manual si mund të përfitohet terapia gjatë pandemisë.

Personat që jetojnë me HIV nuk kanë qenë pjesë e asnjë lloj fushate informuese në asnjë prej kanaleve zyrtare të Ministrisë së Shendetësisë apo te Institutit të Shëndetësisë ose dhe të CCM, që është Mekanizmi Koordinues Vendor përsa i përket HIV/AIDS dhe Turbekulozit. Pra, askush nuk ka menduar t’i informojë çfarë sjelljesh apo masash mbrojtëse duhet të marrin këta persona, nëse duhet të ndjekin udhëzimet njësoj si popullata e përgjithshme apo ka masa shtesë, etj.”, përfundon ai.

*Emri i të intervistuarit është ndryshuar për të ruajtur konfidencialitetin

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu