Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

ISP: “5 arsye pse Parlamenti shkeli rregulloren gjatë votimit të ndryshimeve në Kodin Penal”

Kuvendi miratoi më 16 Prill një sërë ndryshimesh në Kodin Penal, që parashikojnë gjoba dhe dënime deri në tetë vite burg për këdo që thyen kufizime që lidhen me karantimin apo vetë-karantimin. Këto ndryshime u kundërshtuan hapur nga shumë figura publike dhe specialistë të fushës juridike duke i cilësuar ato jo humane dhe në shkelje të kushtetutës dhe të drejtave të njeriut.

Instituti i Studimeve Politike (ISP) renditi dje një sërë shkeljesh të Parlamentit gjatë votimit të këtyre ligjeve më 16 prill:

  • Amendamenti për ndryshime në Kodin Penal është propozuar disa minuta pas votimit në parim e tërësi, kurse vetë nisma u depozitua 6 ditë përpara votimit, kur Kodi Penal nuk mund të ndryshohet asnjëherë me procedurë të tillë të përshpejtuar.
  • Rregullorja e përcakton se çdo deputet ose Këshilli i Ministrave ka të drejtë të propozojë amendament/te gjatë shqyrtimit të projektligjit në komisionin përgjegjës. Komisioni përgjegjës merr në shqyrtim amendamentin e propozuar dhe jep shpjegime të arsyetuara për miratimin ose rrëzimin e tij. Në rastin konkret nuk pati respektim të afatit, as mbledhje Komisioni, dhe natyrisht as mendim komisioni.
  • Nuk pati as përsëritje votimi, as anulim të deklaruar, por u mor i mirëqenë votimi i parë në tërësi e në parim dhe mbi to u bënë ndryshime me votim të hapur, – një praktikë që nuk gjen mbështetje në asnjë nen të Rregullores.
  • U njoftua se ndryshimet në Kodin Penal në parim janë votuar pro nga 89 deputetë, 12 janë kundër dhe 2 janë abstenime, kurse në tërësi kanë votuar 88 deputetë pro, 13 kundër dhe 1 abstenim. Ky është rezultati i votimit që ka ndodhur përpara se Kuvendi të bëjë ndryshime të reja në Kodin Penal. Votimi në tërësi duhej të zhvillohej në fund, pas amendimeve, jo përpara tyre.

Drejtuesi i ISP Afrim Krasniqi tha për Citizens Channel se në vende si Gjermania, Çekia e Kosova gjykatat kushtetuese ndërhynë dhe anuluan disa praktika të qeverisë ose parlamenteve, kurse në Shqipëri ky mekanizëm garancie mungon. Ai fajëson mungesën e Gjykatës Kushtetuese si mekanizmi që mund të mbroj interesin publik nga ligjet e miratuara në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit.

“Nisma të tilla kanë interes politik dhe bëhen në funksion të axhendave ditore politike. Ashtu si edhe në të kaluarën pasojat e nismave dhe vendimeve të parregullta parlamentare sjellin kosto për Shqipërinë (raporte kritike ndërkombëtare dhe krijimin e precedentëve ligjore), kosto për shtetin

Afrim Krasniqi

e qytetarët (sepse dobësojnë institucionet, besimin tek demokracia dhe kanë efekte që prekin numër të madh qytetarësh), si dhe kosto për vetë kulturën ligjore dhe sistemin kushtetues në vend (sepse japin mesazhin se politika mund të miratojë gjithçka, pavarësisht normave kushtetuese dhe se çdo Kod mund të ndryshohet me amendim në mënyrë të përshpejtuar)”, sqaron Krasniqi.

Mekanizmat për të evituar një situatë të tillë sipas Afrim Krasniqit do të ishin struktura specifike monitoruese; Për shembull, Kuvendi duhej të kishte një komision të posaçëm monitorues të vendimmarrjeve në situatat e Covid-19, por edhe SPAK, Gjykata Kushtetuese dhe Prokuroria do të duhej të kishin njësi të posaçme të monitorimit dhe të ndjekjes ligjore të praktikave në kundërshtim me ligjin ose me natyrë abuzive me pushtetin.

“Situata e COVID 19 do kalojë, jeta do të kthehet në normalitet, kurse ligjet e votuara, praktikat abuzive në parlament, qeveri dhe vendimmarrje, do të mbeten në fuqi me impakt shumë më afatgjatë sesa vetë situata e jashtëzakonshme” përfundon ai.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *