Foto: Qëndresa Qytetare

8 maji i vitit 2020 ishtë data kur në universitetet  shqiptare do të mbaheshin zgjedhjet për organet drejtuese dhe këshillat studentore. Situata e pandemisë ndryshoi mënyrën e mësimdhënies, duke mbyllur institucionet e arsimit të lartë dhe si rrjedhojë duke pezulluar edhe zgjedhjet.

Me anë të një vendimi të datë 17 prill Rektori i Universitetit të Tiranës pezulloi zgjedhjet deri në përfundim të gjendjes së pandemisë.

Më 30 prill në një dalje publike për shtyp Ministrja e Arsimit, Sporti dhe Rinisë lajmëroi rinisjen e vitit akademik për një pjesë të studentëve.

Studentët që diplomohen në universitetet publike të të gjitha cikleve planifikohen të kthehen në audiotore në qershor të vitit 2020. Provimet e tyre i mbyllin gjatë korrikut dhe javës së parë të gushtit të vitit 2020. Ndërsa të gjihtë studentët e tjerë të viteve të para, të viteve të ndërmjetme, nuk planifikohet të kthehen në auditore deri në 25 gusht të këtij viti dhe provimet pastaj i mbajnë në tetor të të këtij viti. Përfundimi i vitit akademik mund të shtyhet vetëm me dy javë dhe mësimi online do të vijojë gjatë gjithë kësaj kohe”,-u shpreh ministrja Shahini.


Me një urdhër të dytë Ministrja e Arsimit vendosi zëvendësimin e datës 8 maj kur ishin planifikuar zgjedhjet me datën 12 qershor, dhe nisjen e fushatës më 11 maj.

Mbajtja e zgjedhjeve në situatë pandemie dhe në kushtet kur studentët nuk janë të pranishëm në universitet solli debate në opinionin publik.

Përfaqësuesi i Qëndresës Qytetare , Rigels Xhemollari shprehet për Citizens Channel se këto zgjedhje nuk kanë interes gjatë kësaj pandemie.

Rigels Xhemollari, Qëndresa Qytetare

Mbajtjet e zgjedhjeve gjatë pandemisë nuk përbëjnë as interes publik dhe as studentor. Kushtetuta jonë ndalon zgjedhjet për Parlamamentin, Presidentin dhe Bashkitë në periudhat e fatkeqësisë natyrore, dhe me një interpretim ligjor të thjeshtë urdhri i Ministres është nul dhe anti frymës së kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”,- sqaron Xhemollari.

Sipas Xhemollarit pesha e votës studentore është shumë e vogël, por edhe në këto kushte mungesa e debateve në auditore do të sjellë përjashtim të tyre.

“Sipas ligjit 80/2015 për arsimin e lartë pesha e votës së studentëve është 10%, e përkthyer  kjo në vota në Universitetin e Tiranës, 1 votë pedagogu vlen sa 320 vota studentësh. Me aktin e Komisionit Institucional të Zgjedhjeve (KIZ) të premten dhe mos anullimin nga MASR do të kemi jo vetëm përjashtimin e studentëve nga vendimmarrja por kthimin e procesit zgjedhor në një proces ku punëmarrësit votëbesojnë edhe për katër vite punëdhënësin pasi nuk do të ketë as fushatë e as debate”,- vazhdon më tej Xhemollari.

Vendimi numër 2 i Komisionit institucional të Zgjedhjeve në mbledhjen e datës 30 prill 2020 vendosi të shpallë hapjen e procesit të rregjistrimit të kandidatëve për postin e Rektorit dhe Anëtarëve të Senatit.

Fushata online e studentëve: “#Jo zgjedhje pa studentë!”

Në pamundësi për të qenë fizikisht në salat e universiteteve, studentët kanë ndërmarrë një fushatë online për të kundërsthuar zgjedhjet që do të mbahen në 12 qershor të këtij viti. Me anë të vendosjes së kornizës me titull “Jo zgjedhje pa studentë” në foton e profilit në rrjetin social Facebook ata kanë krijuar një komunitet të tyrin protestues.

Në grupin #Jo zgjedhje pa studentë!, ata ndajnë idetë dhe mendimet e tyre për situatën universitare.

Sidorela Vatnikaj, studente në vitin e tretë të studimeve Bachelor në Fakultetin e Ekonomisë, e konsideron të gjithë procesin zgjedhor në kundërshtim me ligjin e Arsimit të Lartë.

“Arsyeja pse ne e kemi filluar këtë protestë janë kryesisht sepse procesi po zhvillohet në shkelje të ligjit të Arsimit të lartë dhe procedurave zgjedhjore të parashikuara në Rregulloren për zgjedhjet, në rastin e Universitetit të Tiranës. Së pari, sipas Ligjit të Arsimit të lartë, shprehet qartë se strukturat drejtuese në universitet zgjidhen me votë të studentëve dhe pedagogëve, ndërkohë që tashmë dihet se vetëm një pjesë e studentëve do të rikthehen në auditore. Në këtë logjikë, ne mendojmë se procesi është tërësisht jo i mundur të ndodhë, pasi është selektiv dhe nuk garanton lirine bazë të procesit, pra të zgjedhjes”,- sqaron Sidorela.

Sidorela tregon më tej se pa u stabilizuar jeta universitare, zgjedhjet janë të pamundura për tu zhvilluar.

“Nga ana tjetër, ne Universitetin e Tiranës, ka edhe një konflikt mes instancave, ku Komisioni Institucional Zgjedhor, te cilit i ka përfunduar mandati, ka nisur procedurat zgjedhore, ndërkohë që Rektori i Universitetit të Tiranës nuk ka shpallur akoma periudhën zgjedhore, çka do të shënonte edhe nisjen e procesit. Në këto kushte, ne e cilësojmë absolutisht si te pamundur zhvillimin e zgjedhjeve në auditore, pa u stabilizuar paraprakisht jeta universitetare studentore”.

Por kjo situatë sipas saj i ka krijuar mundësinë forumeve partiake për të angazhuar studentët e tyre.

Sipas diskutimeve në rrethet universitare, vihet një angazhim i forumeve partiake për të kandiduar studentët pjesëtarë të tyre. Megjithatë, unë besoj se çdo kandidat, qoftë student apo pedagog, i cili bëhet pjesë e këtij procesi zgjedhor, si kandidat apo votues, vetem sa legjitimon paligjshmërinë e këtyre zgjedhjeve, dhe, sigurisht që kjo nuk është dëshira as e jona as e kujtdo që i do të mirën universitetit”,- përfundon Sidorela.

Ky proces pritet të mos kalojë në heshtje nga Qëndresa Qytetare. Xhemollari sqaron se do të ndërmerren një sërë veprimesh insitucionale për të penguar këtë proces.

“Hapi i parë insitucional do të jetë padia në Gjykatën Administrative ndaj Vendimit të Komisionit Institucional të Zgjedhjeve (KIZ), i cili ka dalë në kundërshtim me rregulloren dhe nga një organ pa mandate, Vendimin e rektorit për të shpallur zgjedhjet i cili do të jetë  vendim nul që ditën e parë pasi do të dalë në kundërshtim me vetë afatet e rregullores dhe Urdhrin e Ministrit i cili është në kundërshtim me frymën e Kushtetutës. Paralelisht do të informojmë Komisionin Parlamentar të Edukimit, Presidentin e Republikës dhe të gjitha autoritetet shtetërore mbukqyrëse për të penguar zhvillimin e këtij procesi jo demokratik”,-përfundon Xhemollari.

Një numër i madh studentësh i janë bashkuar kësaj forme të protestës nga shtëpia, duke shtuar në fotografitë e tyre të profilit në rrjetet sociale kornizën me sloganin “Jo Zgjedhje pa Studentët”

UKS: “Frikë JO, Përfaqësim PO”

Edhe Unioni i Këshillave Studentore iu bashkua nismës për shtyrjen e zgjedhjeve në universitete. Përmes një letre të hapur dërguar Ministrisë së Arsimit UKS liston një sërë arsyesh që lidhen me privimin e të drejtave për të realizuar fushatën dhe votimin, duke kërkuar shtyrjen e procesit zgjedhor në një kohë kur të gjithë studentët të jenë në auditorë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu