Foto: Konvikti i rikonstruktuar dhe pamje nga godina ku jetojnë aktualisht jetimët në Shkodër

Autore: Anila Dushi | Citizens Channel | Shkodër

Në Shkodër ka disa institucione që trajtojnë jetimët nisur nga Shtëpia Foshnjore, ajo parashkollore dhe shkollore.

Por pasi mbushin moshën 18 vjeç e ardhmja e tyre është e paqartë. Shpesh të papunë, dhe pa një banesë të qëndrueshme, ata strehohen provizorisht ku të munden.

Paragjykimi i shoqëron dhe shpesh bëhet pengesë, ndërsa mundësitë e limituara për të pasur një profesion dhe një punë e rëndojnë situatën. Jetesa në institucione i mundëson kushte normale, një strehë, ushqim, veshje, mundësi për të ndjekur arsimin e detyrueshëm dhe të mesëm.

Por ditëlindja e 18 i gjen jetimet të përjashtuar nga kujdesi dhe çdo lloj ndihme. Ata tregojnë se pushteti  vendor e qendror, pas 1990-ës pak ka menduar e bërë për këtë kategori.

Albert Rekaj

Albert Rekaj, nënkryetar i shoqatës së jetimëve në Shkodër shprehet: ”Flitet shumë por në realitet bëhet shumë pak për të mos thënë aspak. Prej 13 vjetësh që jam drejtues i shoqatës së jetimëve kemi trokitur në shumë dyer, por vetëm premtime që nuk mbahen, ndërsa nuk kanë munguar as rastet kur na kanë përplasur derën”.

Në Shkodër jetojnë 6 vajza dhe 10 djem jetimë që strehohen provizorisht në dy godina. Vajzat jetojnë në konviktin “Safet Spahiu” ndërsa djemtë, një pjesë e të cilëve kanë krijuar familje, jetojnë në konviktin e shkollës industriale. Të dy godinat janë të amortizuara dhe kushtet e jetesës janë tejet të vështira.

Konvikti i përshtatur për jetimët qëndron prej tre vitesh peng i burokracive

Në vitin 2017, përfundoi një projket me financim prej 8,236,581 lekësh i cili përshtati godinën e konviktit të ish-Shkollës Pyjore në Shkodër në 18 garsoniera dhe 6 apartamente banimi, duke rehabilituar linjat e furnizimit më ujë, kanalizimet dhe linjat elektrike.

Ky projekt i Ministrisë së Zhvillimit Urban synonte ta kthente këtë godinë në funksion të strehimit social të personave në nevojë që përfshin familjet një-prindërore dhe jetimët që dalin nga institucionet.

Prej tre vitesh, godina e rikonstruktuar i ka të gjitha kushtet, por askush nuk është vendosur aty.

Godina e rikonstruktuar e ish-Shkollës Pyjore në Shkodër; Foto: Anila Dushi | Citizens Channel

Sipas përfaqësuesve të Bashkisë Shkodër, vonesat procedurale  e kanë pamundësuar strehimin e këtij grupi në nevojë. Pengesat kanë të bëjnë me ndryshimin e fushës të përdorimit të një sërë objektesh në pronësi shtetërore që kalojnë në përdorim apo pronësi të Bashkisë Shkodër.

Tre vite pas rikonstruktimit, Konvikti i  ish-Shkollës Pyjore mbetej ende nën administrimin e Ministrisë së Arsimit dhe nën funksionin e përdorimit “Arsim Para Universitar”.

Një vendim i datës 26 Shkurt i Këshillit Bashkiak Shkodër (VKB)e ndryshoi këtë, duke i dhënë objektit  një status të ri përdorimi që përfshin strehimin dhe shërbimet sociale.

Nersada Mandija, kryetare e komisionit të çështjeve sociale në Këshillin Bashkiak Shkodër, tha për Citizens Channel se është miratuar në po të njëjtin muaj u miratua me VKB masa e qerasë për personat në nevojë që do të strehohen në këtë objekt, duke përfshirë edhe jetimët që jetojnë në dy godinat e amortizuara.

Nersada Mandija

“Kategoria e jetimëve ka përparësi dhe në sistemin e pikëzimit për përfituesit e strehimit në këto ambiente, janë favorizuar jetimët. Kjo pasi për këtë proces ka një tabelë të posaçme  pikëzimi pasi ka shumë grupe që kanë nevojë për strehim ,dhe në këtë rast jetimët e dy konvikteve, meshkuj e femra, janë përfitues”, sqaron Mandija.

Sipas saj kjo procedurë është ndërprerë si pasojë e situatës së  krijuar nga COVID-19: “Situata e pandemisë ka ndërprerë gjithçka dhe pasi të kalojë kjo pritet të vazhdohet me procedurat”.

Mes varfërisë dhe mungesës së një strehe, jetimët në vështirësi për shkak të COVID-19

Por ndërkohë që Këshilli Bashkiak pret fundin e pandemisë për të rinisur procedurat e strehimit, COVID-19 ja ka bërë edhe më të vështirë jetesën jetimëve që përballen me vështirësi të mëdha ekonomike. Ata rrëfejnë për Citizens Channel se izolimi i ka bërë të humbasin punën, ndërkohë që problem kryesore mbetet pagesa e qerasë.

Spartak Sofia i cili prej vitesh jeton në konviktin e shkollës industriale  rrëfen se jeta për ta është e rëndë dhe ka pak shpresë, për të mos thënë aspak.

Spartak Sofija

”Unë jetoj bashkë me vëllain tim binjak që e kam të sëmurë dhe nuk punon dot. Vetë punoj ku të mundem, kryesisht pastrim xhamash por çfarëdo lloj pune. Kushtet ku jetojmë janë tepër të rënda. Kanë thënë se do vendosemi tek shkolla pyjore që është rikonstruktuar por kjo nuk e di pse nuk bëhet. Tani që jemi të kufizuar nga pandemia nuk kemi me se të jetojmë. Kam hyrë borxh 40 mijë lekë të reja, i kam me listë dhe i falenderoj ato që më kanë ndihmuar”, tregon Sofija.

 

Lorenc Koçi, i cili është larguar nga institucioni në moshën 16 vjeçare përballet me të njëjtat vështirësi.

Lorenc Koçi

“Jetoj me qera, kam dy muaj që nuk e kam paguar dhe kam kontratë 6 mujore qeraje me pronarin e apartamentit. Punoj ku të mundem, mbledh kanaçe e material plastike ,por tani ka pak se lokalet janë mbyllur. Jam martuar dhe prej fëmijën e parë, kam marrë 40 mijë lek të reja kredi me interes zero për të blerë ato që duhen për fëmijën dhe nuk di si do e shlyej”.

Ervis Vezi thekson se problemi kryesor për këtë kategori është strehimi.

”Unë punoj, por qeraja e banesës është ajo që më pengon të bëj një jetë normale dhe më bën që të mos mendoj të formoj familje pa pasur një strehë. Që nga viti 2002 nuk është ndarë asnjë banesë për jetimët.”

Edhe Indrit Veliu, jetim, strehohet në një banesë me qera: “Pasi kam dalë nga institucioni kam jetuar në shtëpi familje të projektit “Shpresa” që menaxhohet nga një OJF por atje strehohen ata me probleme shëndetësore dhe ka një numër të limituar. Kështu u largova për t’i lëshuar vendin dikujt tjetër. Punoj pastrues banesash, lokalesh, aktualisht derisa filloi pandemia kam punuar një pastiçeri dhe në një disko. Kam përballuar qeranë 15 mijë lekë të reja në muaj. Për strehim nuk bëhet fjalë dhe pse kam statusin e jetimit të rritur në institucione dhe kam bërë kërkesë për strehë”.

Shërbimet Sociale bëjnë thirrje për më shumë bashkëpunim

Lidhur me këto problematika, përfaqësues të institucioneve shprehen se duhet koordinim e bashkëpunim i të gjithëve përfshirë dhe vetë jetimët, për të pasur një zgjidhje të efektshme.

Valbona Tula drejtuese e Shërbimit Social Shtetëror në Shkodër thotë se prej dy vitesh  funksionon një shtëpi familje për të rinjtë e moshave 16-18 vjeç. Institucion që sipas Tulës ka për qëllim aftësimin për tu përballur me jetën reale pasi jetimët mbushin moshën 18 vjeç dhe janë të detyruar të lënë institucionet e përkujdesjes.

”Ata që strehohen , asistohen me psikolog dhe punonjës social që të përgatiten për të ardhmen. Bashkëpunojmë dhe me familjet biologjike  kur kemi persona që i kanë. I ndihmojmë të gjejnë punë, kemi pasur tre raste të tilla vitin e kaluar Kemi 12 të tillë se aq është kapaciteti. Ka që janë larguar dhe kanë shkuar në qytete e tyre, siç janë dy vajza që u  është siguruar banesa dhe qeraja për një afat të caktuar mbulohet me donatorë”, thotë Tula

Ndërkohë drejtuesja e Zyrës së Punës në Shkodër, Rozafa Zmijani  tregon se mungesa e arsimit dhe kualifikimeve bëhet shpesh barrierë për punësimin e jetimëve.

”Ka raste që vijnë dhe regjistrohen, jemi përpjekur t’i shohim më me prioritet për tu gjetur

Rozafa Zmijani

punë. Por problem mbetet ana profesionale, pasi nuk kanë formim profesional për punë të caktuara. Këshillohen nga dy specialistë. Ka vështirësi në gjetjen e punës për këtë kategori, pikërisht pasi nuk kanë as arsim dhe as profesion. I kemi orientuar në formim profesional dhe disa prej tyre kanë ndjekur kurset dhe janë punësuar, si rasti i dy vajzave në rrobaqepësi.”

Zmijani theksnon nevojën e mbështetjes dhe programeve specifike të punësimit:

“Duhet të ketë programe punësimi nxitëse, biznesi të jetë më dashamirës. Duhet një kërkesë llogarie më e madhe nga vetë institucionet me njëri- tjetrin ,ato të pushtetit vendor dhe qendror që kjo kategori të mbështet më shumë. Por duhet dhe ato vetë të jenë më të interesuar  dhe kërkues për të ardhmen e tyre.”

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu